Çështje të Emigracionit: Çfarë po ndodh me programin DACA

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Më 13 shtator 2023, Gjykata e Qarkut të SHBA-së, në Teksas vendosi dhe njëherë që programi DACA është i paligjshëm. Urdhri zgjat pezullimin e programit dhe e ka zgjeruar këtë pezullin në mënyrë që të përfshijë dhe rregulloren DACA të vitit 2022, të lëshuar nga Administrata e presidentit Biden.

Çfarë është DACA? 

Atyre që përfitojnë nga DACA u referohemi si “Dreamers” (që në shqip përkthehet “ëndërrimtarët”), një lojë e qëlluar fjalësh me inicialet e aktit ligjor të propozuar të Zhvillimit, Ndihmës dhe Arsimit për të Miturit e Huaj — Development, Relief and Education for Alien Minors (DREAM). Si rrjedhim, emigrantëve të rinj në moshë pa dokumenta tashmë u drejtohemi si Dreamers. Akti ligjor DREAM është një propozim dypartiak i cili do të bëntë të mundur krijimin e një rruge – me kusht përmbushjen e disa kritereve të caktuara – drejt rezidencës së përhershme të ligjshme për disa të rinj pa dokumenta, të cilët erdhën si fëmijë në SHBA. Mes kritereve të tjera, për t’u kualifikuar, këta të rinj duhet të kryejnë shkollën e mesme, të tregojnë karakter të mirë moral dhe të përfundojnë të paktën dy vjet të arsimit të lartë ose të shërbejnë për të paktën dy vjet në ushtrinë amerikane. Ky akt ligjor u propozua, por nuk ka marrë asnjëherë votën e plotë të Kongresit. Më 15 qershor, 2012, DHS-ja krijoi programin DACA. DACA është një ushtrim i lirisë së veprimit (diskrecionit) prokurorial, që përkohësisht çliron nga rreziku i deportimit (shtyrje deportimi) dhe i jep autorizim pune emigrantëve të rinj në moshë, pa dokumenta të sjellë në SHBA kur ishin ende fëmijë. 

Shoqata e Avokatëve amerikanë të Emigracionit (AILA) ka lëshuar një deklaratë në përgjigje të vendimit të lartpërmendur ku theksohet se konkluzioni lidhur me legjitimitetin e DACA-s, “nuk është i saktë”. Drejtori ekzekutiv i AILA-s, Benjamin Johnson i ka bërë thirrje Kongresit të veprojë menjëherë dhe të miratojë ligjin që mbron “ëndërrimtarët”. Ai deklaroi: Ky vendim –  dhe proçeset e vazhdueshme gjyqësorë kundër DACA-s – bëjnë të qartë një gjë: Kongresi duhet absolutisht të veprojë menjëherë dhe të miratojë legjislacionin që u siguron “ëndërrimtarëve” dhe atyre që kanë jetuar në SHBA dhe e quajnë këtë vend shtëpinë e tyre, një status ligjor të qëndrueshëm, të përhershëm si dhe një rrugë drejt marrjes së nënshtetësisë. Sinqerisht, ky proces gjyqësor i vazhdueshëm kundër një programi që bie qartazi brenda autoritetit ligjor të degës ekzekutive, shpërdoron paratë e taksapaguesve dhe harxhon kohë dhe energji që do të ishte shumë më mirë të shpenzoheshin për stabilizimin e familjeve amerikane pas pandemisë si dhe rritjen e bizneseve amerikane. Kjo pasiguri mund të zgjidhet një herë e përgjithmonë nëse Kongresi mobilizohet dhe bën atë që dëshiron shumica dërrmuese e votuesve amerikanë: të mbrojë “ëndërrimtarët” njëherë e përgjithmonë dhe t’u japë atyre një rrugë drejt nënshtetësisë. Kongresi duhet ta bëjë këtë gjë.”

Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Alejandro Mayorkas, lëshoi ​​një deklaratë ku shprehu zhgënjimin e tij lidhur me vendimin dhe theksoi se “përfituesit e DACA-s nuk do ta humbasin mbrojtjen nga deportimi”.

Çfarë nënkupton ky vendim gjyqësor?

Nga pikëpamja praktike, vendimi i ri nuk do të prekë situatën aktuale:

Personat që përfitojnë aktualisht nga DACA, do të vazhdojnë ta ruajnë këtë status si dhe mbrojtjen që u ofron ky status; Për ata që duan të rinovojnë statusin, vendimi gjyqësor i lejon USCIS-it të vazhdojë të marrë dhe të procesojë kërkesat për rinovim nga ata që kanë përfituar nga DACA (që prej 6 korrikut, 2021) ose për ata të cilëve u ka skaduar mbrojta e ofruar nga DACA që prej më pak se një viti. Për ata që aplikojnë për herë të parë: vendimi gjyqësor nuk i lejon USCIS-it të procesojë apo të aprovojë statusin DACA për ata që aplikojnë për herë të parë për këtë status. Aprovimet për statusin DACA dhe lejet për punë (EAD) të lëshuara nën këtë status, mbeten të vlefshme deri kur të arrijnë datën e skadimit, (përveçse kur personat vetë kanë hequr dorë nga ai status). Kjo do të thotë që personat që kanë statusin DACA si dhe janë pajisur me lejet përkatëse për të punuar nuk nevojitet të paraqesin kërkesë për DACA apo leje pune derisa të afrohet koha për të kërkuar rinovimin e tyre.

Kongresi duhet të bëjë kompromis:

DACA u ka mundësuar qindra mijëra të rinjve të kualifikuar që të punojnë në mënyrë të ligjshme, të ndjekin shkollën dhe të bëjnë plane për jetën pa qenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të deportimit. Megjithatë, ndryshe nga legjislacioni federal, DACA nuk u siguron njerëzve status të përhershëm ligjor dhe duhet të rinovohet çdo dy vjet.

Amerikanët vazhdimisht kanë qenë të mendimit që Dreamers e meritojnë një mundësi për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen në të vetmin vend që njohin si shtëpinë e tyre. U bëjmë thirrje Kongresit dhe presidentit që ta aprovojnë aktin ligjor DREAM. Nëse nuk veprojmë, u bëjmë dëm këtyre të rinjve, familjeve të tyre si dhe të gjitha bizneseve dhe komuniteteve që varen prej tyre. Amerikanët kanë treguar mbështetje të jashtëzakonshme në mbrojtje të këtyre të rinjve dhe u është bërë presion gjithnjë në rritje kongresit dhe presidentit për të bashkëpunuar me krahun tjetër politik dhe për të aprovuar një zgjidhje legjislative të perhershme.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]