Çështje të Emigracionit: Për herë të parë po vendosen tarifa për aplikimet për arsye humanitare

Avokati Kieran Both

Nga Avokati Kieran Both

Legjislacioni i miratuar kohët e fundit nga Kongresi ka autorizuar një politikë të re tarifash për aplikimet për arsye humanitare. Ka shumë ndryshime tarifash që kanë të bëjnë me emigracionin të sjella nga H.R.1 (projektligji i parë dhe më prioritari i Dhomës se Përfaqësuesve), i ashtuquajturi “Një Projektligj i Madh dhe i Bukur”. Ky ligj ka hartuar një regjim të ri tarifash për çështjet që i dërgohen USCIS-it dhe EOIR-it, si dhe për persona të caktuar të ndaluar nga ICE. Disa nga tarifat për strehim politik janë renditur më poshtë. Ka edhe shumë tarifa të tjera që lidhen me emigrantët që janë ndaluar nga ICE dhe që kanë marrë urdhër të largohen nga SHBA. Mbi tarifat e tjera do të flasim në rubrikën e ardhshme.

Aplikimi për Strehim Politik 

  • Tarifa e mëparshme: $0
  • Tarifa e re: $100
  • Kujt i shkon tarifa: 50% i shkon Gjykatës së Emigracionit (EOIR) dhe 50% Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) të depozituara këto në Fondin e Tarifave të Aplikimeve për Emigracionin (një llogari e posaçme federale ku mblidhen tarifat që aplikantët paguajnë për shërbime të emigracionit).
  • Kjo është hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë vënë tarifa aplikimi për personat që kanë paraqitur kërkesë për strehim politik.

Tarifa vjetore për Strehim Politik

  • Tarifa e mëparshme: $0 
  • Tarifa e re: $100, plus 100 dollarë shtesë për çdo vit që aplikimi për azil mbetet në pritje për shqyrtim. 
  • Kujt i shkon tarifa: Fondit të përgjithshëm të Thesarit (llogaria kryesore financiare e qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara ku mes të tjerash futen dhe disa tarifa të emigracionit).
  • Nuk është e qartë pse personat që kanë paraqitur kërkesë për strehim politik duhet të paguajnë tarifë për periudhën që çështja mbetet për shqyrtim, kur ata vetë nuk kanë asnjë lloj kontrolli as mbi kapicat e çështjeve të prapambetura dhe vonesat e EOIR-it ose USCIS-it, as në caktimin e datave të seancave dëgjimore ose të intervistave.

Dokumenti Fillestar i Autorizimit për Punë në Kuadër të kërkesës për Azil (“EAD”) 

  • Tarifa e mëparshme: $0 
  • Tarifa e re: $550. (Nuk ka përjashtime) 
  • EAD-ja (Dokumenti i Autorizimit për Punë) pushon së qeni i vlefshëm menjëherë pas refuzimit të aplikimit për azil nga një zyrtar i emigracionit, përveç rastit kur çështja i kalon një gjykatësi të emigracionit (IJ). Nëse çështja i kalon një IJ, EAD-ja përfundon 30 ditë pas datës kur IJ hedh poshtë aplikimin për azil, përveç rastit kur personi apelon vendimin e gjykatësit brenda afatit të caktuar pranë Bordit të Apelit të Emigracionit (BIA). Nëse apelohet vendimi, EAD-ja bëhet e pavlefshme menjëherë pas refuzimit të aplikimit për azil nga BIA. Rinovimi i EAD-së gjatë kohës që çështja është në apel të drejtpërdrejtë në një Gjykatë të Apelit të SHBA-së nuk është më i mundur.
  • Kujt i shkon tarifa: 25% e tarifës i shkon USCIS-it dhe jo më pak se 50% e asaj tarife duhet të përdoret për të zbuluar dhe parandaluar mashtrimet lidhur me përfitimet nga Emigracioni. Pjesa tjetër i kalon Fondit të Përgjithshëm të Thesarit.

Rinovimi dhe Shtyrja e EAD-së, në kuadër të kërkesës për Azil

  • Tarifa e mëparshme: Aplikim “në letër”: $520 Aplikim online: $470 
  • Tarifa e re: $275. EAD-ja (Dokumenti i Autorizimit për Punë) përfundon së qeni i vlefshëm menjëherë pas refuzimit të kërkesës për azil nga zyrtari i azilit, përveç rastit kur çështja i kalon një gjykatësi të imigracionit (IJ). Nëse çështja i referohet IJ-së, EAD-ja përfundon 30 ditë pas datës kur gjykatësi i emigracionit refuzon kërkesën për azil, përveç rastit kur personi paraqet apel në kohë pranë Bordit të Apelit për Emigracionin (BIA). Nëse bëhet apel, EAD-ja përfundon menjëherë pas refuzimit të kërkesës për azil nga BIA. EAD-ja nuk mund të rinovohet më gjatë kohës që çështja është në apel të drejtpërdrejtë pranë një Gjykate të Apelit të Shteteve të Bashkuara.
  • Kujt i shkon tarifa: 25% shkon për USCIS-in në Fondin e Tarifave të Aplikimeve për Emigracionin dhe mund të mbahet dhe shpenzohet nga USCIS-i pa pasur nevojë për një miratim të mëtejshëm buxhetor. Pjesa tjetër i shkon Fondit të Përgjithshëm të Thesarit.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com