Çështje të Emigracionit: Qendra Kombëtare e Vizave (NVC)

Avokati Kieran Both

Nga Avokati Kieran Both (Adresa për pyetje personale lidhur me emigracionin ndodhet në fund të shkrimit.)

NVC mbush 30 vjet këtë vit. NVC-ja ka të punësuar tetë punonjës të qeverisë (katër nëpunës civilë dhe katër zyrtarë të punëve tw jashtme) dhe rreth 700 kontraktorë qeveritarë. I njëjti kontraktor drejton si NVC-në ashtu edhe Qendrën Konsullore të Kentakit (KCC). Në vitin 2023, NVC-ja mori rreth 583,000 peticione nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të SHBA-së (USCIS), nga të cilat rreth 80% u paraqitën nëpërmjet shërbimit elektronik ELIS dhe rreth 100,000 u paraqitën në letër. Aktualisht, NVC-ja ka rreth 1 milion dosje fizike dhe 1.3 milion raste të depozituara në mënyrë elektronike. Roli i NVC-së është administrativ, jo gjykues; NVC-ja mundohet të sigurohet që rastet e paraqitura pranë saj janë gati për fazën e intervistës në pikat konsullore si dhe të minimizojnë vonesat e procesimit të çështjeve pranë këtyre pikave konsullore gjatë këtyre intervistave për vizë emigruese.

1. Komunikimi me publikun

Formulari Public Inquiry Form në adresën elektronike https://nvc.state.gov/inquiry

Për herë të parë që nga viti 2014, NVC-ja ka eliminuar kapicën e e-maile-ve, duke iu përgjigjur aktualisht pyetjeve nga njerëzit, të paraqitura nëpërmjet formularit përkatës Public Inquiry Form (PIF), brenda 1-2 ditëve pune. Kërkesat e dorëzuara përmes formularit PIF u kalohen për shqyrtim anëtarëve të stafit. Ata marrin rreth 22,000 kërkesa në javë, nga të cilat rreth 7,000 janë nga avokatët dhe rreth 900 janë kërkesa për procedura të përshpejtuara. Ka rreth 30 anëtarë të stafit të cilët janë caktuar për t’u marrë me pyetjet që vijnë nga zyrat e senatorëve lidhur me ecurinë e një çështjeje emigracioni të paraqitur më parë si dhe me kërkesat për procedura të përshpejtuara. Përveç formularit PIF, NVC-ja do të fusë në punë dhe një shërbim të quajtur “Navigator” për të përmirësuar shërbimin ndaj klientëve si dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve më të zakonshme, duke reduktuar kështu trafikun e pyetjeve që vijnë nëpërmjet postës elektronike dhe që interesohen për çështje bazë. Komunikimi me linjë telefonike nuk do të rikthehet, por do të vazhdojnë të bëhen telefonata (dalëse) me synim të caktuara nga NVC-ja direkt tek aplikantët dhe avokatët për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve dhe çështjeve që kanë qenë për një kohë të gjatë në pritje.

2. Dokumentet e Gjendjes Civile

Nëse një dokument nuk është i disponueshëm ose gjen zbatim në rastin tuaj, aplikanti, në seksionin e vënë në dispozicion për dokumentin në fjalë, mund të ngarkojë (të fusë në internet) një deklaratë të mosdisponueshmërisë (Statement of Non-Availability), (për shembull, nëse një certifikatë lindjeje nuk është e disponueshme, atëherë në vend të saj, në seksionin përkatës të çertifikatës së lindjes, duhet të ngarkoni deklaratën që shpjegon pse ky dokument nuk është i disponueshëm). Në deklaratë duhet të tregoni hapat e ndërmarrë nga ju ose arsyen pse një dokument nuk është i nevojshëm në rastin tuaj. Gjithashtu, egziston mundësia që të kërkoni që çështja juaj t’i dërgohet pikës konsullore pa dokumentin në fjalë, por nëse zgjidhni të veproni kështu, rritet mundësia që në intervistën për vizë emigruese, t’ju jepet refuzimi i kërkesës për vizë së bashku me kërkesën për të paraqitur dokumentin në fjalë.

3. Ngarkimi i dokumentave në internet

Preferohet ngarkimi i të gjitha dokumenteve së bashku dhe jo pjesë-pjesë. Kur, sipas kërkesës së NVC-së, dërgohen dokumenta të reja shtesë, çështja i caktohet nga e para një punonjësi tjetër të NVC-së, pra nuk i shkon të njëjtit punonjës që e mori në fillim. Qëllimi i NVC-së është të shqyrtojë dokumentet brenda 10 ditëve. NVC-ja nuk ka në plan të rrisë kapacitetin e ngarkimit të dokumenteve përtej kapacitetit aktual 4 MB. Dokumentat zip nuk pranohen. NVC-ja aktualisht nuk mund të procesojë formularët I-140 në mënyrë elektronike kështu që dokumentet për formularët I-140 me bazë punësimin do të vazhdojnë të dërgohen me postë.

4. Çështjet që kanë të bëjnë me formularin e garancisë (Affidavit of Support)

Dokumenti që preferon NVC-ja si provë për të ardhurat në të kaluarën dhe tatimet e paguara mbi to, është transkripti i taksave i lëshuar nga IRS-ja. Praqitja e një dokumenti të tillë do të shmangte kërkesat për dokumente shtesë, si p.sh. formularët W-2 apo 1099. Për peticionerët që kanë banuar jashtë Shteteve të Bashkuara, një deklaratë që tregon synim për vendbanim në Shtetet e Bashkuara mjafton si dëshmi vendbanimi në SHBA.

5. Kërkesat për procedura të përshpejtuara

Kërkesa për procedurë të përshpejtuar duhet t’i bëhet NVC-së në adresën [email protected] dhe duhet të dërgohet së bashku me të gjithë dokumentacionin në mbështetje të kërkesës. Mos paraqisni kërkesë tjetër përveçse nëse nuk keni marrë përgjigje brenda 30 ditëve. NVC-ja më pas do t’ia kalojë pikës konsullore kërkesën në fjalë. Pika konsullore do t’ia çojë vendimin NVC-së. Me të marrë vendimin nga pika konsullore, NVC-ja ia komunikon vendimin kërkuesit. NVC-ja nuk ka një rol vendimmarrës në përshpejtimin e çështjes.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]