Çështje të Emigracionit: Si ta kuptojmë “Retrogresionin e vizave”

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Departamenti i Shtetit (DOS) nxjerr një dokument të përmuajshëm që quhet “Buletini i Vizave”. Ky buletin u tregon njerëzve se kur mund të aplikojnë për green card. Datat në Buletinin e Vizave janë afate kohore që bazohen në numrin vjetor të green card-ave të vëna në dispozicion si dhe në vendin prej nga vijnë njerëzit që aplikojnë. Ka kategori të ndryshme për marrjen e green card-ës, të cilat kanë për bazë punësimin ose bashkimin familjar.

Në Buletinin e Vizave, ka dy lista për secilën nga kategoritë: njëra për kohën kur mund të filloni të aplikoni (Dates for Filing Applications) dhe tjetra për kohën kur mund të kryhen veprimet përfundimtare që lidhen me aplikimin (Application Final Action Dates). Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të SHBA-së (USCIS) bazohen në këto lista për të vendosur se kur mund të dërgoni aplikimin për green card. Nëse ka një numër të mjaftueshëm green card-ash në dispozicion, përdorni për referim listën “Dates for Filing Applications”. Nëse jo, përdorni listën “Application Final Action Dates“. E gjitha është si qëndrim në pritje derisa të të vijë radha.

Zakonisht, datat në Buletinin e Vizave ose lëvizin përpara ose mbeten çdo muaj pa lëvizur. Por ndonjëherë, në një muaj të caktuar, data e rregullt për të aplikuar lëviz dhe nuk është po njësoj në muajin në vijim. Diçka e tillë quhet “retrogresion i vizave,” pra një lloj lëvizje mbrapa e kohës për aplikim, që do të thotë që duhet të prisni më shumë se ç’parashikohej për të aplikuar për green card.

Pse ndodh “retrogresioni i vizave”?

Çdo muaj, DOS-i vlerëson se sa do të jetë numri i vizave që do të vihen në dispozicion në secilën kategori. DOS-i përdor faktorë të ndryshëm për të vlerësuar numrin e vizave të emigracionit që janë të disponueshme, mes të cilëve përfshihen faktorë si: sa aplikime ka të ngjarë të miratohen, sa njerëz kanë datë prioritare në më shumë se një kategori dhe sa anëtarë të familjes do të marrin green card së bashku me aplikantin kryesor. Ndonjëherë, kërkesa për viza është më e madhe se numri i vizave që janë në dispozicion. Në këto raste, DOS-i rishikon llogaritjen e mëparshme dhe përdor një datë më të hershme “ndërprerjeje” për të siguruar që të mos lëshohen më shumë viza sesa lejohet.

Po sikur “retrogresioni” të ndodhë në kategorinë e vizave për të cilën kam aplikuar?

Nuk është se do të humbisni vendin tuaj në radhë dhe data juaj prioritare nuk do të ndryshojë. Nëse keni marrë pjesë tashmë në një intervistë për vizë ose keni aplikuar në Shtetet e Bashkuara dhe data prioritare pëson retrogres, aplikimi juaj vazhdon të mbetet në radhë derisa datës suaj prioritare t’i vijë sërish koha, pra të bëhet “aktuale”. Nëse nuk keni marrë pjesë ende në një intervistë për vizë ose nuk keni aplikuar për ndreqje statusi, atëherë që të mund të ndërmerrni një nga këto hapa, duhet të prisni derisa datës suaj prioritare t’i vijë koha.

Nëse kategoria e vizës për të cilën kam aplikuar pëson retrogres, ndërkohë që aplikimi im për green card është në pritje për shqyrtim, çfarë mund të bëj?

Ndërkohë që aplikimi juaj për green card është ende duke u shqyrtuar nga USCIS-i, juve ju lejohet që të qëndroni në Shtetet e Bashkuara. Kjo quhet “periudhë e qëndrimit të autorizuar”. Gjithashtu, mund të kërkoni leje për të punuar dhe për të udhëtuar si dhe mund të vazhdoni të rinovoni këto leje sa herë të keni nevojë.

Nëse USCIS-i e ka patur aplikimin tuaj I-485 për të paktën 180 ditë, atëherë mund të kaloni në një punë të re në një fushë të ngjashme. Fëmijët tuaj që aplikuan për green card së bashku me ju mund të kualifikohen ende për të qëndruar në SHBA edhe nëse mbushin 21 vjeç, kjo falë Ligjit për Mbrojtjen e Statusit të Fëmijëve (Child Status Protection Act.)

Po sikur data ime prioritare të ecë përpara në një kategori tjetër vize? A mund të ndryshoj kategori?

Po, mund të kërkoni të kaloni në një kategori tjetër vize. Për shembull, nëse keni një peticion I-140 që është në pritje për miratim ose të miratuar, për një kategori tjetër vizash që kanë për bazë punësimin, data prioritare e të cilit është bërë aktuale, atëherë mund të kërkoni të përdorni atë peticion për aplikimin tuaj për green card. Për këtë qëllim, mund t’ju duhet të mbushni një formular shtesë të quajtur I-485 Supplement J.

Nëse keni një çështje që ka për bazë bashkimin familjar, data prioritare e së cilës është bërë “aktuale”, në një kategori tjetër, nëpërmjet një kërkese me shkrim, mund t’i kërkoni USCIS-it që të ndryshojë aplikimin për green card duke e kaluar në kategorinë në fjalë.

Do të ishte mirë të bisedoni me një avokat emigracioni për të parë nëse mund të përdorni ndonjërin nga këto opsione.

Kur do ta marr green card-ën?

Shpesh është vështirë të parashikohet shpejtësia me të cilën do të lëvizin datat në Buletinin e Vizave. Green card-ën do ta merrni kur t’ju vijë radha në Buletinin e Vizave. Nëse kualifikoheni ende kur të ndodhë kjo gjë, atëherë aplikimi juaj sipas të gjitha gjasave do të miratohet. Është si të presësh që të dalë numri yt, kur je në radhë.

Ndërkohë, ne vazhdojmë të monitorojmë me kujdes buletinin e përmuajshëm të vizave dhe ju inkurajojmë që të na kontaktoni nëse keni pyetje. Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]