Nga Avokati Kieran Both
Programi H-1B vlen për punëdhënësit që kërkojnë të punësojnë të huaj me status joemigrues, që shquhen për merita dhe aftësi të caktuara në profesione të specializuara ose në fushën e modës (modele/ë). Një profesion i tillë është ai ku kërkohet vënia në zbatim e një numri njohurish shumë të specializuara si dhe marrja e të paktën një diplome bachelor ose ekuivalentja e saj. Synimi i programit H-1B është të ndihmojë punëdhënësit të cilët nuk kanë mundësi tjetër për të gjetur në radhët e fuqisë punëtore të SHBA-së, persona që të kenë aftësitë dhe talentin që i nevojitet atij biznesi, duke autorizuar punësimin e përkohshëm të atyre individëve të kualifikuar të cilëve nuk u është dhënë mundësi tjetër për të punuar në Shtetet e Bashkuara.
Ligji ka vendosur disa standarde të caktuara të cilat kanë si synim mbrojtjen e punonjësve amerikanë me punësim të ngjashëm, nga pasojat negative që mund të vijnë nga marrja në punë e punonjësve me status joemigrues, si dhe mbrojtjen e personave të punësuar me vizë H-1B. Punëdhënësit duhet të vërtetojnë pranë Departamentit të Punës se do t’u paguajnë të punësuarve me vizë H-1B një pagë që është të paktën e njëjtë me pagën aktuale që ky punëdhënës u jep të punësuarve të tjerë që kanë përvojë dhe kualifikim të ngjashëm dhe kryejnë po këtë lloj pune, ose pagën që jepet zakonisht në këtë lloj profesioni në fushën ku do të kryhet punësimi – cilëndo prej tyre që të jetë më e madhja.
Disa viza H-1B janë të kufizuara. Peticionet për viza H-1B që i nënshtrohen një tavani, përfshirë këtu dhe rastet që kualifikohen për përjashtim pasi bazohen në diploma më të avancuara si diploma master, mund të paraqiten vetëm atëherë kur bazohen në një regjistrim paraprak për vizë (të personit për të cilin paraqitet peticioni) që e ka kaluar fazën e përzgjedhjes dhe është i vlefshëm (përveç rasteve kur kërkesa për regjistrim është pezulluar). Mund të paraqisni një peticion H-1B jo më shumë se gjashtë muaj përpara datës kur personit, në emër të të cilit është paraqitur peticioni për vizë H-1B, do t’i kërkohet të fillojë punë. Periudha specifike e paraqitjes dhe vendi ku do të paraqitet peticioni gjenden në njoftimin H-1B Registration Selection Notice ose në faqen e internetit të USCIS-it në rastet kur kërkesa e regjistrimit është pezulluar. Aktualisht, për të gjitha peticionet H-1B janë vënë në dispozicion proçedura të përshpejtuara procesimi.
Gjatë periudhës fillestare të regjistrimit, Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë të SHBA-së (USCIS) i ka ardhur një numër i mjaftueshëm regjistrimesh elektronike për të kapur tavanin (H-1B cap) që është caktuar për vitin fiskal (FY) 2024, ku përfshihen dhe “rastet që bëjnë përjashtim” për shkak të nivelit të avancuar të diplomës (tavani për ata që kanë diploma master). USCIS-i ka kryer përzgjedhjen e rastësishme mes gjithë regjistrimeve të paraqitura siç duhet për të kapur tavanin si dhe ka njoftuar të gjithë peticionerët e mundshëm, regjistrimet për vizë të të cilëve e kanë kaluar fazën përzgjedhëse, se tashmë kanë të drejtë të paraqesin një peticion H-1B në emër të personit përfitues.
Vizat e punësimit H-2B dhe afatet kohore për sezonin e pikut të aplikimeve për vitin 2024
Programi i vizave joemigruese H-2B u lejon punëdhënësve të punësojnë përkohësisht joemigrantë për të kryer shërbime ose punë jo-bujqësore në Shtetet e Bashkuara. Punësimi duhet të jetë i një natyre të përkohshme për një periudhë të kufizuar kohore, si p.sh. për një herë të vetme, për nevoja sezonale, nevoja gjatë periudhës së pikut të punës ose për nevoja me ndërprerje. Programi H-2B kërkon nga punëdhënësi që t’i vërtetojë Departamentit të Punës se do t’i ofrojë të punësuarit me vizë joemigruese H-2B një pagë që është e barabartë ose më e lartë se paga maksimale që jepet në përgjithësi, paga minimale federale në fuqi, paga minimale shtetërore ose ajo minimale lokale për profesionin në fushën ku do të kryhet punësimi gjatë gjithë periudhës që parashikon çertifikata e aprovuar e punësimit (Labor Certificate) për vizën H-2B. Programi H-2B ka caktuar gjithashtu disa standarde që lidhen me rekrutimin dhe zhvendosjen, dhe që kanë për qëllim mbrojtjen e punëtorëve të SHBA-së të punësuar në mënyrë të ngjashme.
Duke filluar nga data 18 janar, 2024, zyra federale pranë Departamentit të Punës që merret me vënien në zbatim të ligjeve të punësimit (The Wage and Hour Division) do të ketë përgjegjësi ekzekutive të cilat i janë deleguar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, për të siguruar që punonjësit e pajisur me viza H-2B do të punësohen në përputhje me kërkesat që parashikon çertifikata e punës H-2B. The Wage and Hour Division mund të marrë masa administrative ndaj atyre punëdhënësve që shkelin rregullae e caktuara të parashikuara nga H-2B-ja. Masa të tillë mund të jenë në formën e pagesave të rrogave të prapambetura ose të gjobave në shuma të caktuara.
The Office of Foreign Labor Certification (OFLC) u kujton punëdhënësve dhe palëve të tjera të interesuara se dritarja kohore për të paraqitur aplikimin për çertifikatë punësimi të përkohshëm H-2B Application for Temporary Employment Certification (Formulari ETA-9142B dhe shtojcat përkatëse ) ku kërkohet si kohë e fillimit të punës data 1 prill, 2024 ose më vonë, do të hapet më 2 janar 2024, në orën 12:00 të mëngjesit sipas Eastern Time.
Sipas procedurave standarde të punës të OFLC-së, aplikimet për H-2B Application for Temporary Employment Certification që kërkojnë si kohë të fillimit të punës datën 1 prill 2024, do të refuzohen nëse dorëzohen përpara kohe d.m.th. përpara datës 2 janar 2024, në orën 12:00 të mëngjesit sipas Eastern Time. OFLC-ja do të nisë procesimin sipas një radhe të vendosur në mënyrë të rastësishme të të gjitha aplikimeve H-2B që kërkojnë fillim të punës më datë 1 prill, 2024 dhe që janë paraqitur gjatë tre ditëve fillestare kalendarike (2-4 janar 2024). Për këtë qëllim OFLC-ja do të vërë në zbatim procedurat përkatëse të randomizimit (procesit të përzgjedhjes në mënyrë të rastësishme), të publikuara në Regjistrin Federal më 4 mars, 2019.
Kur OFLC-ja identifikon disa aplikime që duket se janë paraqitur për të njëjtën mundësi punësimi, OFLC-ja dërgon nje njoftim që quhet Notice of Deficiency. Nëse janë dorëzuar aplikime të shumëfishta gjatë periudhës treditore të vënë në dispozicion, secila prej tyre do të marrë njoftimin Notice of Deficiency, sipas të cilit i kërkohet punëdhënësit të tregojë se nuk bëhet fjalë për të njëjtat vende punësimi. Cilido aplikim i paraqitur nga një punëdhënës që nuk është në gjendje të tregojë në mënyrë bindëse që aplikimet e paraqitura janë me baza reale pra bona fide, nuk do të aprovohet.