Çfarë do të thotë diskualifikimi i Trumpit për zgjedhje në Kolorado?

Denver, 20 dhjetor 2023 – Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është diskualifikuar për rundin e parë të zgjedhjeve të Kolorados, me një vendim të Gjykatës Supreme të këtij shteti, vendim i pazakonshëm, që nuk dihet nëse do të ketë implikime në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.

Çfarë thuhet në vendim?

Një shumicë e thjeshtë e Gjykatës Supreme të Kolorados, ka marrë vendim që Trump të diskualifikohet në zgjedhjet e këtij shteti, sipas pikës 3 të Amendamentit të 14-të të Kushtetutëss amerikane, e cila ia ndalon secilit, që është përfshirë në “kryengritje apo rebelim”, që të jetë në krye të një zyre federale.

Një gjykatë më e ulët në këtë shtet, pati vendosur paraprakisht që veprimet e Trumpit, më 6 janar të vitit 2021, janë të barasvlefshme me kryengritje, por nuk e ka diskualifikuar atë, duke thënë se pika 3 nuk aplikohet për presidentët.

Më 6 janar, një turmë e madhe është rebeluar në ndërtesën e Kongresit amerikan, derisa ligjvënësit kanë qenë duke e certifikuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden në zgjedhje.

Gjykata Supreme në Kolorado e ka pauzuar vendimin e vet, për rishikim eventual nga Gjykata Supreme e SHBA-së, të cilin Trump ka thënë se menjëherë do ta kërkojë.

A do të mund të zbatohet vendimi?

Rasti është i pashembullt pasi në pikën 3 përfshihen disa çështje.

Ai është hartuar pas Luftës Civile në SHBA dhe rrallë është përmendur.

Ende nuk është e qartë se si do të vendosë Gjykata Supreme, mirëpo ajo është e dominuar me shumicë konservatore, e cila përfshin tre persona të emëruar prej Trumpit, disa prej të cilëve janë skeptikë nëse gjykatat duhet të kenë kompetenca që nuk janë krejtësisht të bazuara në legjislacion.

Ky ka qenë shqetësimi kyç i gjykatësve të Kolorados, disa prej të cilëve, që e kanë kundërshtuar vendimin, kanë thënë se Trumpit nuk mund t’i pamundësohet një e drejtë bazike, pa një proces adekuat.

Ata kanë thënë se Trumpi nuk është i dënuar për rebelim nga ana e një jurie.

Çfarë ka deklaruar Trumpi për vendimin?

Fushata e Trumpit e ka quajtur vendimin “jodemokratik”.

“Gjykata Supreme në Kolorado e ka lëshuar një vendim të gabuar dhe ne do ta apelojmë në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë një zëdhënës i fushatës.

Ai dhe aleatët e tij e kanë kritikuar rastin e diskualifikmit në Kolorado dhe disa tentime të ngjashme në shtetet tjera, duke i cilësuar si jodemokratike, dhe si pjesë e komploteve të rivalëve të tij politikë për ta mbajtur larg zyrës së presidentit.

Si mund të ketë ndikim në zgjedhje ky vendim?

Edhe nëse ky vendim i mbijeton rishikimit të Gjykatës Supreme, ai do të jetë i parëndësishëm për rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2024, sepse Trumpit nuk i duhet ta fitojë Koloradon dhe as nuk pret, duke marrë parasysh bazën e madhe të demokratëve.

Koloradoja i ka nëntë prej 270 votave të nevojshme elektorale që i duhen një kandidati për të fituar pozitën e presidentit.

Biden ka fituar më shumë se 13 për qind të pikëve totale në zgjedhjet e vitit 2020.

Mirëpo, vendime të ngjashme mund të merren edhe në shtetet tjera që Trumpi duhet t’i fitojë patjetër për t’u bërë president, dhe meqë gjykatat e këtyre shteteve nuk janë të lidhura me vendimin e Kolorados, gjyqtarët e tyre mund ta analizojnë në hollësi vendimin e kolegëve, për të marrë, më pas, vendime në të ardhmen.

Cili është statusi i rasteve tjera të diskualifikimit të Trumpit?

Votuesit dhe grupe të ndryshme kanë tentuar të bllokojnë Trumpin nga gara edhe në mbi 12 shtete tjera, mirëpo në të paktën shtatë prej tyre kanë dështuar, për arsye të ndryshme.

Gjykatat në Miçigan, Nju Hempshir dhe Florida, i kanë hedhur poshtë këto raste, për shkak të arsyetimeve procedurale dhe juridike, dhe disa kanë thënë se gjykatat nuk kanë pushtet për të diskualifikuar njëanshëm një kandidat nga gara në zgjedhje.

Edhe Gjykata Supreme e Minesotas, e ka hedhur poshtë një tentim të tillë për diskualifikim.

(REL)