Çfarë dokumentesh duhet të paraqesë dikush që ka green card për të rihyrë në Shtetet e Bashkuara?

Avokati Kieran Both

Nga Avokati Kieran Both

Nëse kërkoni të hyni në Shtetet e Bashkuara pas një udhëtimi të përkohshëm jashtë vendit, do t’ju duhet të paraqisni “green card”-ën tuaj (Formulari I-551) e cila duhet të jetë ende e vlefshme dhe brenda afatit të skadimit. Kur të mbërrini në pikën e hyrjes, një nga zyrtarët e agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së do të shqyrtojë green card-ën tuaj si dhe çdo dokument tjetër identifikimi që do t’i paraqisni, si p.sh. pasaportën, kartën e identitetit të nënshtetasit të huaj ose patentën e shoferit të SHBA-së, dhe më pas do të vendosë nëse mund të hyni ose jo në Shtetet e Bashkuara.

Personat që kanë green card janë të lirë të udhëtojnë jashtë Shteteve të Bashkuara, dhe udhëtimet e përkohshme ose të shkurtra zakonisht nuk përbëjnë problem për statusin e banorit të përhershëm të ligjshëm. Por, nëse arrihet në konkluzionin se nuk keni patur për synim të vendoseni përgjithnjë në Shtetet e Bashkuara, atëherë mund t’ju konsiderojnë si dikë që ka braktisur statusin e banorit të përhershëm. Një kriter i përgjithshëm që përdoret për të vendosur diçka të tillë është mosprania fizike në Shtetet e Bashkuara për më shumë se një vit.

Braktisja e statusit mund të konstatohet edhe në udhëtime prej më pak se një viti, nëse besohet se nuk keni pasur synim të vendoseni përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që udhëtimet e shkurtra jashtë vendit në përgjithësi nuk përbëjnë problem, zyrtari mund të marrë në konsideratë kritere të tilla si: nëse qëllimi juaj ka qenë të qëndroni jashtë vendit vetëm përkohësisht si vizitor, nëse keni mbajtur lidhje familjare dhe shoqërore në SHBA, keni mbajtur vendin e punës në SHBA, keni paraqitur taksat e të ardhurave në SHBA si rezident, ose nëse keni treguar në një mënyrë ose një tjetër që synimi juaj ka qenë gjithnjë që të riktheheni në Shtetet e Bashkuara si në vendbanimin tuaj të përhershëm. Si faktorë të tjerë mund të konsiderohen nëse keni mbajtur ose jo adresën postare në SHBA, llogaritë në bankat amerikane dhe patentën, ende brenda afatit të skadimit, të shoferit të SHBA-së, nëse keni diçka në pronësi apo drejtoni një biznes në SHBA, ose çfarëdolloj tjetër prove që dëshmon që natyra e mungesës suaj në SHBA ka qenë e përkohshme.

Nëse keni në plan të qëndroni jashtë Shteteve të Bashkuara për më shumë se një vit, këshillohet që më parë të aplikoni për një leje rihyrjeje (Formulari I-131). Marrja e kësaj lejeje përpara se të largoheni nga Shtetet e Bashkuara i lejon një rezidenti të përhershëm ose një rezidenti të përhershëm me kusht që të aplikojë për t’iu lejuar të hyjë në Shtetet e Bashkuara – sa kohë që leja është e vlefshme – pa qenë nevoja të marrë vizë rikthimi nga një Ambasadë ose Konsullatë e SHBA-së jashtë vendit. Kini parasysh se kur të ktheheni, kjo leje nuk ju garanton hyrjen në Shtetet e Bashkuara, jo pa u vendosur më parë që jeni person që përmbush kriteret e pranimit në territorin e SHBA-së; megjithatë, leja do t’ju ndihmojë të tregoni që synimi juaj ka qenë të banoni përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara.

Nëse qëndroni jashtë Shteteve të Bashkuara për më shumë se 2 vjet, çdo lejeje rihyrjeje që ju është dhënë përpara largimit nga SHBA-ja do t’i ketë dalë afati. Në këtë rast, këshillohet të shihni si alternativë aplikimin për një vizë rikthimi të rezidentit (SB-1) pranë ambasadës ose konsullatës më të afërt të SHBA-së. Një aplikanti për vizën SB-1 do t’i duhet të provojë që përmbush kriteret e pranueshmërisë për vizë emigruese si dhe do t’i duhet t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor. Bëhet përjashtim nga ky proces për bashkëshortin/en ose fëmijën/t e një anëtari të Forcave të Armatosura të SHBA-së ose të një punonjësi civil të qeverisë së SHBA-së të caktuar me urdhër zyrtar për të punuar jashtë vendit.

Gjithashtu, qëndrimi jashtë Shteteve të Bashkuara për një periudhë prej gjashtë ose më shumë muajsh mund të përbëjë një ndërprerje të “pranisë së vazhdueshme fizike” në SHBA, kërkesë kjo që duhet përmbushur kur të vijë koha për të marrë nënshtetësinë amerikane. Nëse qëndroni jashtë SHBA-së për një ose më shumë vjet dhe dëshironi të ruani “praninë e pandërprerë fizike” në SHBA për qëllime natyralizimi, atëherë mund të paraqisni formularin N-470 (Application to Preserve Residence for Naturalization Purposes).

Nëse gjatë kohës që gjendeni jashtë SHBA-së, green card-a ose leja e rihyrjes ju humbet, jua vjedhin apo ju dëmtohet mund t’ju duhet të aplikoni për t’u pajisur me dokument udhëtimi duke paraqitur Formularin I-131A. Ky dokument udhëtimi i lejon një linje ajrore ose një transportuesi tjetër të marrë në bord një banor të ligjshëm të përhershëm që kthehet drejt Shteteve të Bashkuara, pa rrezikuar penalizim. Kontaktoni ambasadën ose konsullatën më të afërt të SHBA-së, ose vizitoni faqen e tyre të internetit për të marrë udhëzime se si të aplikoni. Përpara se të paraqiteni në një ambasadë ose konsullatë të SHBA-së për të dorëzuar Formularin I-131A, duhet të paguani më parë tarifën e aplikimit përmes sistemit online të aplikimeve në faqen e internetit të USCIS-it. Kur të paraqiteni personalisht në ambasadën ose konsullatën më të afërt të SHBA-së për të dorëzuar Formularin I-131A, duhet të keni me vete dëshminë e pagesës.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com