Çfarë është proçesi i përshpejtuar i deportimit

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Çfarë është proçesi i përshpejtuar i deportimit? 

T.H.

Yonkers NY

Procedura e përshpejtuar e deportimit (Expedited Removal) është një procedurë përmes së cilës nënshtetasit e huaj mund të dëbohen me shpejtësi nga Shtetet e Bashkuara me vendim të një zyrtari emigracioni të niveli të ulët, pa qenë nevoja për një seancë dëgjimore para një gjyqtari të emigracionit. Emigrantët pa dokumente, të cilët i nënshtrohen procedurës së largimit të përshpejtuar, kanë të drejtë të futen në sistemin e azilit nëse shprehin frikë se mos përndiqen, torturohen ose kthehen mbrapsht në vendin nga kanë ardhur. Dispozitat për largimin e përshpejtuar vlejnë për nënshtetasit e huaj që paraqiten në një pikë zyrtare hyrjeje në Shtetet e Bashkuara, si edhe për disa nënshtetas të huaj që kanë hyrë në vend pa u pranuar ose pa u liruar me kusht (parole) (pra, ata që kanë hyrë pa iu nënshtruar kontrollit të emigracionit – entry without inspection), dhe që nuk kanë qenë fizikisht të pranishëm në mënyrë të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara për të paktën dy vjet.

Procedura e përshpejtuar e deportimit (expedited removal) gjen zbatim vetëm për ata persona që bëjnë pjesë në kategorinë e atyre që nuk disponojnë dokumentet e nevojshme për hyrje, ose kërkojnë apo kanë kërkuar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes mashtrimit ose deklaratave të rreme. Megjithatë, që nga koha e miratimit të saj, mënyra se si është zbatuar procedura e largimit të përshpejtuar ka ndryshuar.

Subjekt për deportim të përshpejtuar përbën çdo nënshtetas i huaj që paraqitet në një pikë zyrtare hyrjeje, në çfarëdolloj kohe, dhe për të cilin gjykohet se është i papranueshëm për shkak mashtrimi ose deklarate të rreme, ose për mungesë të dokumenteve të nevojshme të hyrjes; si edhe çdo nënshtetas i huaj që ka hyrë në Shtetet e Bashkuara pa iu nënshtruar kontrollit të emigracionit (nga kufiri tokësor ose detar), që nuk është pranuar kurrë zyrtarisht në vend dhe nuk i është dhënë parole (leje e përkohshme hyrjeje), që kapet kudo në territorin e Shteteve të Bashkuara dhe që nuk mund të provojë se ka qenë fizikisht i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara gjatë dy viteve që i paraprijnë konstatimit nga zyrtari i emigracionit se ai ose ajo është i papranueshëm për shkak të mashtrimit, deklaratave të rreme ose mungesës së dokumenteve të nevojshme të hyrjes.

Në momentin që një zyrtar i emigracionit vendos që një nënshtetas i huaj duhet t’i nënshtrohet procedurës së përshpejtuar të largimit, po ai zyrtar urdhëron dhe largimin e nënshtetasit në fjalë nga Shtetet e Bashkuara. Ndryshe nga urdhrat e tjerë të largimit, një urdhër për largim të përshpejtuar zakonisht nuk mund të apelohet dhe, në shumicën e rasteve, shoqërohet me një ndalim pesëvjeçar të rihyrjes në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, dispozitat për largim të përshpejtuar parashikojnë një lloj mbrojtjeje që nuk lejon shumë hapësirë për manovrim për ata persona që shprehin frikë nga përndjekja ose tortura, ose që deklarojnë se kanë ndërmend të aplikojnë për azil.

Nëse dikush kërkon të aplikojë për azil ose ka frikë të kthehet në vendin nga ka ardhur, zyrtari i emigracionit duhet ta referojë këtë person për një intervistë përmes së cilës vendoset nëse frika është ose jo e besueshme (Credible Fear Interview – CFI). Më pas, një zyrtar i seksionit të kërkesave për azil duhet të kryejë intervistën në fjalë, e cila zakonisht zhvillohet përmes telefonit, pasi personat në paraburgim shpesh mbahen në ambiente paraburgimi larg zyrtarëve të azilit. Nëse zyrtari i azilit gjykon se personi nuk ka treguar frikë në nivel të besueshëm, urdhri fillestar i lëshuar ndaj tij/saj për largim të përshpejtuar mbetet në fuqi.

Përpara deportimit, individi mund të kundërshtojë konstatimin e zyrtarit të azilit duke kërkuar një seancë dëgjimore para një gjyqtari të emigracionit, i cili duhet ta shqyrtojë çështjen “nëse është e mundshme në planin praktik, brenda 24 orëve, por në asnjë rast më vonë se 7 ditë.”

Shqyrtimi nga gjyqtari kufizohet vetëm në vlerësimin nëse frika e individit është ose jo e besueshme. Nëse zyrtari i azilit konstaton se personi ka arritur të demonstrojë një frikë të besueshme përndjekjeje, zyrtari i emigracionit e anulon urdhrin për largim të përshpejtuar, duke i lejuar personit të kërkojë mbrojtje përmes procedurave të zakonshme të largimit.

Një procedurë tjetër e ngjashme, e njohur si “rikthimi në fuqi i urdhrit të largimit” (reinstatement of removal), zbatohet për individët që “kapen” pasi janë deportuar më parë dhe më pas kanë rihyrë në Shtetet e Bashkuara pa iu nënshtruar kontrollit të emigracionit (entry without inspection). Për këta nënshtetas të huaj, një zyrtar i emigracionit mund të rikthejë në fuqi menjëherë urdhrin e mëparshëm të largimit, kudo dhe në çdo kohë. Megjithatë, nëse një person në këtë situatë shpreh frikë nga kthimi në vendin e tij/saj të origjinës, një zyrtar i azilit duhet të përcaktojë nëse personi ka një “frikë të arsyeshme” (reasonable fear) nga përndjekja — një standard ky më i lartë për t’u arritur krahasuar me standardin e “frikës së besueshme” (credible fear).

Nëse personi që i nënshtrohet rikthimit në fuqi të urdhrit të largimit arrin të demonstrojë se ka frikë “të arsyeshme” nga përndjekja, atij/asaj do t’i lejohet të aplikojë për ndalim të largimit (withholding of removal) ose shtyrje të largimit (deferral of removal) përpara një gjyqtari të emigracionit. Individët për të cilët konstatohet se kanë një frikë të besueshme ose frikë të arsyeshme nga përndjekja, mbahen në paraburgim në pritje të shqyrtimit të mëtejshëm të çështjes së tyre të azilit. Në disa rrethana, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) mund të zgjedhë t’u japë këtyre individëve parole nga paraburgimi — domethënë, t’i lirojë me kusht dhe t’i lejojë të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara për sa kohë që çështja e tyre mbetet në pritje për shqyrtim.

Meqenëse personat që kërkojnë azil shpesh mbahen në paraburgim deri në përfundimin e procesit të frikës së besueshme ose frikës së arsyeshme, çështjet e tyre marrin përparësi nga qeveria. Për këtë arsye, personeli i Zyrës së çështjeve të Azilit merret kryesisht me këto intervista, gjë që çon në rritjen e numrit të çështjeve “të zakonshme” të prapambetura për azil në pritje për shqyrtim (backlog).

Personat të cilët i nënshtrohen procedurës së largimit të përshpejtuar zakonisht nuk kanë të drejtë ta kundërshtojnë deportimin e tyre në gjykatat federale. Kjo do të thotë se, edhe në rastet kur një zyrtar i emigracionit ka vepruar në mënyrë të paligjshme kur ka nxjerrë urdhrin për largim të përshpejtuar, nënshtetasi i huaj ka mundësi shumë të pakta në dispozicion për ta kundërshtuar atë vendim. Individët mund të paraqesin një padi për të kundërshtuar një urdhër për largim të përshpejtuar vetëm nëse janë rezidentë të përhershëm të ligjshëm (lawful permanent residents), ose persona që tashmë janë përcaktuar si refugjatë ose të cilëve u është dhënë azil, dhe që i janë nënshtruar gabimisht procedurës së largimit të përshpejtuar.

Procedura e largimit të përshpejtuar (Expedited Removal) është bërë një element themelor i mënyrës se si Shtetet e Bashkuara trajtojnë dhe përpunojnë çështjet e nënshtetasve të huaj, veçanërisht në kufirin jugor të vendit. Garancitë procedurale janë të nevojshme për të siguruar që kjo procedurë të mos çojë në largimin e personave — veçanërisht të atyre që kërkojnë mbrojtje — që bie në kundërshtim me ligjet e Shteteve të Bashkuara dhe detyrimet ndërkombëtare.

Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com 

 

Comment

*