ÇFARË MUND TË BËJNË PUNËDHËNËSIT NËSE AGJENTËT E EMIGRACIONIT VIJNË NË VENDIN E PUNËS

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Agjentët e emigracionit mund të vijnë në vendin tuaj të punës për një audit të Formularit I-9; për një bastisje; ose për të ndaluar persona të caktuar.

Çfarë është një Audit i Formularit I-9?

Një audit i Formularit I-9 është kur ICE vjen në biznesin tuaj për të kontrolluar nëse keni ndjekur rregullat për Formularin I-9. Formulari I-9 konfirmon identitetin e punonjësit dhe autorizimin e tij/saj për të punuar në SHBA.

Kërkesat e Punëdhënësit për I-9:

Formulari I-9 kërkohet për të gjithë punonjësit e rinj.

Duhet t’i mbani formularët I-9 në dosje për 3 vjet pas punësimit ose 1 vit pas ditës së fundit të punës së punonjësit, cilado që të jetë data më e vonë.

Mos i kërkoni një punonjësi të plotësojë Formularin I-9 më shumë se një herë, përveç rasteve kur leja e tij/saj e punës është afër skadimit ose kur keni një arsye tjetër të vlefshme dhe ligjore.

Shënim: Nuk jeni të detyruar të mbani kopje të dokumenteve të identitetit ose të autorizimit të punës së punonjësit.

Nëse auditi nuk shkon mirë…

Nëse ICE vendos se nuk i keni ndjekur rregullat e Formularit I-9, mund të përballeni me:

Një urdhër për të ndaluar punësimin e personave pa leje të vlefshme pune.

Gjoba dhe ndëshkime civile dhe penale.

Mund të mësoni më shumë rreth Formularit I-9 në Manualin për Punëdhënësit në faqen:

https://www.uscis.gov/i-9-central/form-i-9-resources/handbook-for-employers-m-274

Çfarë është një Bastisje nga ICE?

Agjentët e ICE-it shkojnë në një vend pune pa paralajmërim pjesë kjo e një hetimi ndaj një punëdhënësi. Agjentët e ICE-it nuk janë oficerë policie. Megjithatë, uniformat e tyre mund të shkruajnë “Police” ose “Federal Agent”. Ata mund të mbajnë armë. Ndonjëherë, oficerë të policisë lokale ose agjentë nga agjenci të tjera federale shoqërojnë agjentët e ICE-it gjatë bastisjeve.

Po nëse ICE Dëshiron të Ndalojë një Punonjës të Caktuar?

Agjentët e ICE-it mund të vijnë në biznesin tuaj për të gjetur një person të caktuar (ose persona). Gjatë kohës që janë aty, ata mund të përpiqen të marrin në pyetje, të ndalojnë ose edhe të arrestojnë persona të tjerë.

Si mund të përgatiten punëdhënësit për veprimet e ICE-it

Përgatisni paraprakisht një Plan Reagimi me Shkrim.

Flisni me biznese të tjera ose shoqata biznesi. Pyetni se çfarë po bëjnë për t’u përgatitur. Krijoni një plan që funksionon për ju.

Bëni prova si të ishte një stërvitje në rast zjarri. Do të jeni më të përgatitur nëse dini çfarë të thoni dhe çfarë të bëni.

Lidhuni me rrjetet e reagimit ndaj emigracionit në zonën tuaj. Ato ofrojnë mbështetje për çështje familjare, ligjore, financiare dhe mediatike nëse agjentët e emigracionit vijnë në biznesin tuaj.

Trajnoni të gjithë punonjësit që të mos lejojnë agjentët e ICE-it të hyjnë në vendin e punës. Një punonjës mund t’u thotë: “Nuk mund t’ju jap leje për të hyrë. Duhet të flisni me punëdhënësin tim”.

Mësojini të gjithë punonjësit të mos ndërveprojnë me agjentët e ICE-it. Nëse agjentët e ICE-it kanë pyetje ose kërkesa, punonjësit duhet të mos thonë asgjë, ose të thonë: “Nuk ju lejohet të hyni. Flisni me punëdhënësin tim.”

Njihni të Drejtat Tuaja!

Punëdhënësit kanë të drejta kur ICE shkon për kontroll në një biznes. Agjentët e ICE-it nuk kanë gjithmonë të drejtë të hyjnë në biznesin tuaj, të ndalojnë ose arrestojnë punonjës, apo të marrin dokumente. Punoni me një grup komunitar ose ligjor për të organizuar një trajnim “Njihni të Drejtat Tuaja” për ju dhe stafin tuaj dhe paguajini punonjësit për kohën që kalojnë në trajnim.

Çfarë duhet të bëjnë punëdhënësit kur ICE mbërrin:

Për Zonat Publike

Kushdo – përfshirë agjentët e ICE – mund të hyjë në zonat publike të biznesit tuaj pa leje. Zonat publike përfshijnë një sallë ngrënieje në restorant; parkingun; hollin ose zonën e pritjes. Të qenit në një zonë publike nuk i jep ICE-it autoritetin të ndalojë, të marrë në pyetje ose të arrestojë këdo. Askush nuk mund të hyjë në një zonë private të biznesit tuaj pa lejen tuaj ose pa një urdhër gjyqësor. Për të treguar se disa zona janë private, shënojini me një tabelë “Private”, mbajini dyert të mbyllura ose të kyçura dhe zbatoni një politikë që nuk u lejon vizitorëve dhe publikut të hyjnë në ato zona pa leje.

Për Zonat Private

Agjentët e imigracionit mund të hyjnë në një zonë private vetëm nëse kanë një urdhër gjyqësor.

Një urdhër gjyqësor duhet të nënshkruhet nga një gjyqtar dhe të ketë në krye “U.S. District Court” ose një Gjykatë Shtetërore. Pa një urdhër gjyqësor, agjentëve të ICE-it do t’u nevojitet leje nga ju për të hyrë në zonat private të biznesit tuaj. Nëse agjentët e ICE-it përpiqen të hyjnë në një zonë private, duhet të thoni:

“Kjo është një zonë private. Nuk mund të hyni pa një urdhër gjyqësor të nënshkruar nga një gjyqtar. A keni një urdhër gjyqësor?”

Nëse agjentët e ICE-it thonë se kanë një urdhër gjyqësor, kërkoni një kopje dhe lexojeni. Punëdhënësi mund ta pranojë urdhrin, por gjithsesi të refuzojë dhënien e pëlqimit për kontroll. Ndonjëherë, agjentët e ICE-it përpiqen të përdorin një urdhër administrativ për të hyrë. Por një urdhër administrativ nuk u lejon agjentëve të hyjnë në zonat private pa lejen tuaj. Urdhrat administrativë nuk janë nga gjykata. Ata shkruajnë “Department of Homeland Security” dhe janë në formularët I-200 ose I-205.

Gjatë Bastisjes

Qëndroni të qetë. Kërkojuni edhe punonjësve të qëndrojnë të qetë. Mos vraponi drejt daljeve. Kjo do ta përkeqësojë situatën, sepse agjentët e ICE-it mund të thonë se personat që vrapojnë ka gjasa të shkelin ligjet e imigracionit. Kur ICE ju tregon një urdhër administrativ me emrin e një punonjësi, nuk jeni të detyruar të thoni nëse ai/ajo po punon atë ditë apo jo. Nuk jeni të detyruar t’i çoni agjentët e ICE-it te punonjësi i përmendur në urdhër (edhe nëse ai/ajo është në punë në atë moment). Mos i ndihmoni agjentët e ICE-it të ndajnë njerëzit sipas statusit të imigracionit ose vendit nga vijnë. Vëzhgoni agjentët dhe shihni nëse po respektojnë atë që është shkruar në urdhër. Nëse agjentët po kontrollojnë zona që nuk janë të listuara në urdhër, kundërshtoni këto kontrolle duke shprehur kundërshtimin tuaj dhe duke e shënuar atë. Nëse ju ose një punonjës jeni të gatshëm, duhet të filmoni ose të regjistroni atë që bëjnë agjentët e ICE-it në vendin tuaj të punës. Mund të jeni në gjendje të provoni se agjentët kanë shkelur të drejtat tuaja ose të drejtat e punonjësve. Ruani çdo pamje nga kamerat e sigurisë së kompanisë të regjistruara gjatë bastisjes.

Po nëse Agjentët e ICE-it Përpiqen të Ndalojnë, Marrin në Pyetje, Mbajnë ose Arrestojnë një Punonjës?

Agjentët e ICE-it mund të përpiqen të ndalojnë, të marrin në pyetje ose edhe të arrestojnë një punonjës pa autoritetin e duhur. Mënyra më e mirë që punonjësit të mbrojnë të drejtat e tyre është të qëndrojnë në heshtje dhe të kërkojnë një avokat. Punonjësit nuk janë të detyruar t’i dorëzojnë ICE-it asnjë dokument identiteti ose letra. Të gjithë punonjësit e kanë këtë të drejtë. Çdo informacion që punonjësit i japin ICE-it mund të përdoret kundër tyre më vonë.

Menjëherë Pas Bastisjes

Shkruani ose regjistroni këto gjëra pasi ICE të largohet:

Sa agjentë të ICE-it ishin të pranishëm (brenda dhe jashtë)?

Si ishin veshur agjentët?

A ishin të armatosur dhe si?

A ju bënë agjentët ju ose punonjësit të besonit se nuk mund të lëviznit ose të largoheshit?

A keqtrajtuan agjentët dikë? Nëse po, si?

Nëse ICE arreston ndonjë nga punonjësit, pyesni agjentët e ICE-it se ku po i çojnë.

Ky informacion do ta ndihmojë familjen dhe avokatin e punonjësit të gjejnë personin.

Falënderojmë Qendrën Kombëtare për Ligjet e Emigracionit që na ofroi këto udhëzime. Ky informacion është i përgjithshëm dhe NUK përbën këshillë ligjore si dhe NUK i është përshtatur situatës suaj konkrete. 

Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com