Berlin, 29 tetor 2025 – SHBA dhe Kina e kanë përgatitur terrenin për një takim midis Presidentëve Donald Trump dhe Xi Jinping, vetëm disa javë pasi të dy presidentët u angazhuan në një luftë tregtare gjithnjë e më intensive.
Përpara takimit, të planifikuar për të enjten, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), përfaqësuesit e tregtisë të të dy vendeve njoftuan se kishin arritur një marrëveshje kornizë që përfshin tarifa më të ulëta për importet kineze në SHBA dhe një shtyrje të kufizimeve kineze për eksportet e mineraleve të rralla.
Pas mbërritjes në Korenë e Jugut, të mërkurën, Trump tha se priste që “shumë çështje” të zgjidheshin gjatë bisedimeve.
Trump i tronditi tregjet në fillim të këtij muaji, duke njoftuar tarifa 100% për importet kineze, pasi Kina njoftoi se do të kufizonte eksportet e mineraleve të rralla, thelbësore për prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë.
Perspektiva e kthimit të udhëheqësve të dy ekonomive më të mëdha të botës në tryezën e negociatave nxiti tregjet e aksioneve në mbarë botën këtë javë.
Edhe pse detajet e marrëveshjes kornizë nuk janë bërë publike, të dielën, Sekretari i Thesarit i SHBA, Scott Bessent, u tha mediave amerikane se ajo ka të ngjarë të përfshijë “një lloj shtyrjeje” të kontrolleve të eksportit të mineraleve të rralla kineze dhe do të kërkojë që Kina të blejë një sasi “të konsiderueshme” të sojës amerikane.
Bessenti deklaroi gjithashtu se kërcënimi i Trumpit për të vendosur tarifa 100% ishte “në fakt jo në tryezë”.
“Të dyja palët duket se po bëjnë disa lëshime, gjë që i ka bërë vëzhguesit e jashtëm, veçanërisht investitorët, të ndihen pak më optimistë”, tha për DW Dennis Weng, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Shtetëror Sam Houston në Teksas.
Por, Weng deklaroi se armëpushimi që po vjen nuk ka gjasa të ndryshojë “dinamikat themelore të rivalitetit strategjik” midis Pekinit dhe Uashingtonit në plan afatgjatë.
“Të gjithë e dinë se konkurrenca vazhdon, por ata nuk duan që ajo të shkaktojë papritur një kolaps ekonomik”, tha Weng, duke shtuar se qëllimi për të dyja vendet është që ndikimi i marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara “të bjerë butësisht”.
“Jam skeptike se a do të arrihet një marrëveshje e madhe dhe praktikisht nuk ka asnjë përputhje midis interesave të SHBA-së dhe Kinës”, tha për DW Bonnie Glaser, drejtoreshë e përgjithshme e programit të Fondit Gjerman Marshall për Indo-Paqësor.
Glaser shtoi se bashkëpunimi i vogël që pret të dalë nga takimi mund të jetë në luftën kundër fentanilit, “ku kinezët do të punojnë me amerikanët për ta bërë Trumpin të heqë tarifën prej 20% që u vendos për shkak të rolit të Kinës në tregtinë e fentanilit.
Kina ka më shumë ndikim në Trump 2.0
Takimi në Korenë e Jugut do të jetë takimi i parë ballë për ballë i Trumpit me Xi gjatë mandatit të dytë të presidentin amerikan. Të dy udhëheqësit kanë folur në telefon të paktën tri herë këtë vit, më së fundmi në shtator.
Trump e filloi presidencën e tij duke vendosur tarifa ndaj vendeve anembanë botës, por Kina arriti të përdorte ndikimin e saj të madh ekonomik për t’u kundërpërgjigjur.
Kjo ka përfshirë pezullimin e blerjeve të sojës amerikane nga korrja aktuale, e cila u ka kushtuar miliarda fermerëve amerikanë.
Kërcënimii Pekinit për të kontrolluar eksportet e metaleve të rralla, në tetor, u pa si një përshkallëzim i madh, pasi Kina nxjerr rreth 70% të totalit botëror dhe kontrollon më shumë se 90% të kapacitetit të rafinimit.
Këto zhvillime kanë shkaktuar një ndjesi déjà vu, pasi Trump u takua për herë të fundit personalisht me Xi gjatë mandatit të tij të parë, më 2019, pasi nisi luftën e parë tregtare kundër Kinës. Por Pekini mund të jetë më pak i gatshëm të bëjë kompromis këtë herë.
“Xi Jinping ndihet shumë më i sigurt. Ai ndoshta është i gatshëm ta forcojë pak më shumë”, tha për DW Ja Ian Chong, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Singapurit.
Wengu tha se “Pekini e ka studiuar Trumpin shumë tërësisht” për të llogaritur lëvizjen e tij të ardhshme, me disa lëshime të orkestruara strategjikisht paraprakisht si monedha negociuese.
“Në fakt, Kina e ndaloi blerjen e sojës menjëherë pasi Trump e mori detyrën, në janar, gjë që tregon se e gjithë çështja e sojës ishte planifikuar që nga fillimi”, tha ai.
A do të ushtrojë presion Xi mbi Trumpin në lidhje me Tajvanin?
Përtej mosmarrëveshjeve tregtare, bisedimet e Trumpit me Xi-në pritet të mbulojnë tensionet gjeopolitike mbi Tajvanin, demokracinë vetëqeverisëse që Pekini e deklaron territor kinez dhe kundër së cilës nuk ka përjashtuar veprimet.
Shtetet e Bashkuara, megjithëse nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike zyrtare me Tajvanin, mbeten garantuesi kryesor i sigurisë së ishullit dhe furnizuesi i tij kryesor i pajisjeve dhe armëve ushtarake.
Përpara takimit midis Trumpit dhe Xi-së, janë rritur shqetësimet në lidhje me një ndryshim të mundshëm në mbështetjen e SHBA-së për Tajvanin.
“Wall Street Journal” raportoi për herë të parë në shtator se Xi po rinovon presionin e tij mbi administratën Trump për të deklaruar zyrtarisht se “e kundërshton pavarësinë e Tajvanit”.
“Ka shumë të ngjarë që [Trump] të bëjë disa komente në lidhje me Tajvanin, që Pekini i konsideron të padëmshme ose joprovokuese. Trump tenton të ndjekë këtë linjë”, tha Weng.
Mes shqetësimeve, Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio tha të shtunën se administrata Trump nuk do të braktisë mbështetjen tradicionale të SHBA-së për Tajvanin në negociatat me Kinën për të arritur një marrëveshje tregtare.
Të martën, Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Lin Chia-lung, tha se nuk ishte i shqetësuar se Trump do t’ia kthente shpinën Tajvanit.
Wengu tha se deklarata e Rubios ishte e paqartë, pasi qasja e SHBA-së ndaj Tajvanit “ka qenë gjithmonë mjaft fleksibile, me një gamë të gjerë opsionesh”. Kjo politikë e SHBA-së njihet si “paqartësi strategjike”.
Çdo ndryshim në qëndrimin e SHBA-së, i cili ka mbetur i pandryshuar për dekada dhe zyrtarisht shprehet si “mosmbështetje e pavarësisë së Tajvanit”, do të përfaqësonte një fitore të madhe diplomatike për Pekinin dhe do ta linte ishullin të cenueshëm.
Chongu deklaroi se një ndryshim i madh në retorikën e SHBA-së ndaj Tajvanit ishte i pamundur, duke pasur parasysh vendndodhjen strategjike të ishullit në Indo-Paqësor, pasi një ndryshim i tillë “do të sillte gjithashtu një ndryshim të madh në të gjithë rajonin”.
Trumpi do të sjellë në takim me Xi-në vrullin e marrëveshjeve me Azinë
Çfarë rezervon e ardhmja për marrëdhëniet SHBA-Kinë? Trump mbërriti në Korenë e Jugut të mërkurën dhe është planifikuar të largohet të enjten, duke anashkaluar agjendën kryesore të samitit të APEC (Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor).
Ai thuhet se i tha një salle të mbushur plot në samit se beson që Shtetet e Bashkuara “do të arrijnë një marrëveshje” me Kinën dhe se do të jetë “një marrëveshje e mirë për të dy ne”.
Trump kishte thënë më parë se planifikonte të vizitonte Kinën në fillim të vitit 2026, pa dhënë një afat kohor specifik.
Wengu shpreson që periudha midis bisedimeve të së enjtes dhe vizitës së Trumpit në Kinë të jetë një periudhë e një uljeje relative të tensioneve midis dy palëve.
Megjithatë, Chongu deklaroi se ndërsa samiti Trump-Xi ofron një mundësi për të dërguar sinjale, “ajo që ndodh pas takimeve nuk është më pak e rëndësishme”.