Çështje të Emigracionit: Nga Avokati Kieran Both

DACA është një program emigracioni i Shteteve të Bashkuara që u jep personave përfitues autorizim pune si dhe u ofron mbrojtje nga një dëbim i mundshëm nga SHBA-ja. DACA vazhdon t’u ofrojë rinovim të statusit personave të caktuar të cilët kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur dhe vazhdojnë të jetojnë aty në mënyrë të paligjshme. Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të Shteteve të Bashkuara për momentin nuk po proceson më aplikime për DACA që paraqiten për herë të parë.
Megjithatë, individët që tashmë kanë përfituar nga DACA mund të: rinovojnë statusin e tyre DACA dhe autorizimin për punë çdo dy vjet. Për t’u kualifikuar, individët duhet të dorëzojnë aplikimin për rinovim në periudhën midis 120 dhe 150 ditëve para datës së skadimit të DACA-s së tyre; të kenë banuar gjatë të gjithë kohës në Shtetet e Bashkuara duke filluar që nga 15 qershori 2007; të mos kenë dalë pa leje nga Shtetet e Bashkuara më ose pas 15 gushtit 2012; të mos jenë dënuar për krim të rëndë, për kundravajtje të rëndësishme penale, apo për tre ose më shumë kundravajtje penale, dhe të mos përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare ose rendin publik.
Individët që tashmë kanë DACA mund të: aplikojnë për leje udhëtimi jashtë SHBA-së për qëllime të caktuara. Përfituesit e DACA-s mund të marrin leje për të udhëtuar jashtë Shteteve të Bashkuara për arsye arsimore, profesionale, ose humanitare. Por, kini parasysh se udhëtimi jashtë Shteteve të Bashkuara, edhe me leje, mund të përbëjë rrezik nga pikëpamja ligjore për disa individë. Është mirë të konsultohuni me një avokat emigracioni para se të udhëtoni.
Statusi aktuali i programit DACA
Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS) aktualisht as nuk pranon dhe as nuk proceson aplikime të reja për programin DACA (për individët që kualifikohen për DACA, por nuk kanë aplikuar më parë për të përfituar nga ky program). Megjithatë, USCIS-i vazhdon të pranojë dhe procesojë aplikime për rinovimin e DACA-s. Edhe pse DACA tani është një rregullore federale, ende vazhdojnë proceset gjyqësore për të sfiduar programin. Këtu përfshihet dhe çështja “Texas-i kundër Shteteve të Bashkuara”, e cila ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Pasi kjo çështje të vendoset, mund të kërkohet që USCIS-i të rifillojë procesimin e aplikimeve të reja për DACA, por me disa kufizime lidhur me autorizimet për punë për ata aplikantë që jetojnë në Teksas, si dhe me propozimin për t’i regjistruar këta persona si persona të cilëve u është shtyrë masa e deportimit (deferred action), por nuk u njihet prania ligjore (lawful presence). Pezullimi aktual i punës së qeverisë ndikon në kohën që do të duhet për të marrë një vendim përfundimtar. Ju rekomandojmë aplikantëve për DACA që të konsultohen me parë me një avokat të kualifikuar emigracioni lidhur me përditësimet e mëtejshme mbi këtë çështje si dhe për të përcaktuar nëse aplikimi është hapi i duhur për ta.
Disa lloje autorizimesh për punësim përfitojnë automatikisht një shtyrje të afatit të skadimit në momentin që paraqitet aplikim për rinovim. Një shtyrje e tillë e afatit të skadimit të EAD-së automatikisht, nuk gjen zbatim për dokumentet e autorizimit për punë (EAD) që bazohen në programin DACA.
Personat që dëshirojnë të bëhen gati për të dorëzuar aplikimet për DACA për herë të parë, pasi të merret një vendim në çështjen gjyqësore të lartpërmendur, mund të fillojnë përgatitjen duke mbledhur dokumentacionin e nevojshëm.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com