Çfarë pritet në Republikën Sërpska, pas heqjes së mandatit të Dodikut?

 Banja Llukë, 22 gusht 2025 – Tashmë është zyrtare: Milorad Dodik nuk është më president i Republikës Sërpska (RS), njërit nga dy entitetet e Bosnjës e Hercegovinës.

Më 18 gusht 2025, Gjykata Supreme e Bosnjës e Hercegovinës e hodhi poshtë ankesën e Dodikut kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për t’ia hequr mandatin e presidentit dhe për t’ia ndaluar aktivitetin politik për gjashtë vjet.

Ky vendim i jep fund një procesi dyvjeçar, por zbatimi i tij nuk do të jetë i lehtë, pasi Dodik nuk do të largohet pa luftë.

“Unë nuk do ta respektoj këtë vendim. Do ta respektoj vullnetin e popullit serb. Ata [Gjykata Supreme dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve] ishin të paturpshëm dhe arrogantë, dhe presin që unë të nënshtrohem. Unë nuk do ta bëj këtë”, tha Dodik në një reagim.

Dodik tha se ai mbetet president i entitetit të dominuar nga serbet e Bosnjës.

“Populli më zgjodhi. Unë nuk do të zëvendësohem nga një qeveri e huaj. Ata e bëjnë punën e tyre, ne e bëjmë punën tonë. Shpresoj që rrugët tona të mos kryqëzohen përsëri,” deklaroi Dodik.

Në këtë situate Bosnja e Hercegovina vihet në prag të një krize kushtetuese.

Në ditët në vijim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Sarajevë do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme për postin e presidentit të Republikës Sërpska. Udhëheqja e këtij entiteti në Banja Llukë ka paralajmëruar se do të parandalojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, “nëse është e nevojshme me përdorimin e policisë”.

Kjo do të tensiononte marrëdhëniet midis përfaqësuesve politikë të tre popujve shtetformues të Bosnjës e Hercegovinës: boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë), kroatëve dhe serbëve. Lufta e përgjakshme në Bosnjë e Hercegovinë që kishte shpërthyer në vitin1992 kishte përfunduar në fund të vitit 1995 me Marrëveshjen e Dejtonit.

Dodikut vendoset t’i merret pasaporta diplomatike

Qeveria boshnjake ka thënë se mosrespektimi i vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të tolerohet. Ministri i Jashtëm Elmedin Konakoviq – një boshnjak – ka nisur procedurat për revokimin e pasaportës diplomatike të Dodikut, pasi ai nuk është më në detyrë. Në Republikën Sërpska, Asambleja Kombëtare pritet të marrë vendim për mbajtjen e një referendum për të ardhmen e entitetit.

Referendum mbi pavarësinë e Republikës Sërpska?

Ndërkohë, Dodik e ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit të dhe ka njoftuar emërimin e një kreu të ri të qeverisë. Meqenëse presidenti është i vetmi institucion në Republikën Sërpska që mund ta emërojë kreun e qeverisë, një veprim i tillë mund ta çojë të gjithë qeverinë e Republikës Sërpska në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës e Hercegovinës, pasi është emëruar në mënyrë të kundërligjshme.

(DW)