Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Ashtu si të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë, banorët e përhershëm të ligjshëm — të njohur edhe si mbajtës të Kartës së Gjelbër (“Green Card”) — i nënshtrohen kontrollit nga Doganat dhe Patrulla Kufitare e SHBA-së (CBP) kur mbërrijnë në një aeroport ose pikë kufitare tokësore. Megjithëse ata që kanë këtë status gëzojnë më shumë të drejta sesa jo-emigrantët kur kthehen në Shtetet e Bashkuara pas një udhëtimi jashtë vendit, të gjithë ata që nuk janë nënshtetasit amerikanë përballen tani me kontroll më të shtuar në kufi. Kontroll i posaçëm mund të bëhet për çështje të mëparshme emigracioni, probleme me policinë apo aktivitet politik. Është e rëndësishme që të njihni të drejtat tuaja kur ktheheni në SHBA.
Rezidentë që kthehen apo të huaj që mbërrijnë
Nëse keni “Green Car”, CBP do t’ju kontrollojë për t’u siguruar që jeni “rezident i kthyer” apo “i huaj në mbërritje”. Nëse CBP vendos se jeni “rezident i kthyer”, duhet të përpunoheni shpejt dhe të pranoheni në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, CBP do t’ju trajtojë si “të huaj në mbërritje” nëse arrin në përfundimin se ju:
- Keni braktisur ose hequr dorë nga statusi juaj i rezidentit të përhershëm;
- Keni ndenjur jashtë SHBA-së për një periudhë të pandërprerë më shumë se 180 ditë;
- Keni kryer veprimtari të paligjshme pasi keni lënë SHBA-në;
- Keni dalë nga SHBA ndërsa ishit në procedura dëbimi ose ekstradimi;
- Keni kryer disa vepra penale të caktuara, përveç rasteve kur ju është dhënë një përjashtim emigracioni (waiver); ose
- Po përpiqeni të hyni pa kontroll (pa inspektim).
Kontrolli dytësor
Nëse lindin pyetje dhe CBP nuk është në gjendje t’ju pranojë menjëherë, mund të dërgoheni në një zonë të veçantë për “kontroll dytësor”. Dërgimi për kontroll dytësor, në vetvete, nuk do të thotë domosdoshmërisht se jeni në telashe, por mund të mbaheni nga disa minuta deri në disa orë ose më gjatë.
Gjatë kontrollit dytësor:
- CBP mund t’ju bëjë pyetje, të kryejë verifikime dhe të mbledhë të dhëna biografike dhe biometrike (si gjurmë gishtash dhe fotografi).
- Telefoni, laptopi ose pajisje të tjera elektronike mund të kontrollohen dhe të mbahen përkohësisht. Kontrolli mund të përfshijë shqyrtimin e aktivitetit tuaj në rrjetet sociale. Në disa raste, pajisjet mund të mbahen dhe t’ju kthehen më vonë.
- Mund të kërkoni një faturë/konfirmim për pajisjet tuaja nëse merren nga CBP.
Pyetje mbi politikën, fenë ose aktivizmin
CBP mund t’ju pyesë për bindjet tuaja politike, shoqërimet ose pjesëmarrjen në protesta. Ju nuk jeni të detyruar t’u përgjigjeni pyetjeve që lidhen me aktivitete të mbrojtura nga Amendamenti i Parë (liria e shprehjes, fesë, etj.). Mund të refuzoni t’u përgjigjeni pyetjeve të papërshtatshme.
Mund të ndaloheni dhe mbaheni në paraburgim nëse CBP ka shqetësime për pranueshmërinë tuaj në SHBA.
Nëse ndaloheni – njihni të drejtat tuaja
Nëse CBP beson se jeni i papranueshëm, mund të ndaloheni dhe mbaheni gjatë natës ose të transferoheni në një qendër ndalimi për emigracionin. Por, ju ende keni të drejtat e mëposhtme:
- Keni të drejtë të kontaktoni konsullatën tuaj. Konsullata mund t’ju ndihmojë të kontaktoni një avokat ose një anëtar të familjes.
- Mund të kërkoni të flisni me një avokat. CBP mund të refuzojë aksesin te një avokat, por ia vlen ta kërkoni për procesverbal.
- Keni të drejtë të heshtni dhe të mos nënshkruani asnjë dokument pa këshillë ligjore, veçanërisht nëse vini re gabime në dokumente ose nuk pajtoheni me përmbajtjen e tyre.
- Keni të drejtë të shqyrtoni të gjitha deklaratat me shkrim të përgatitura për ju, në një gjuhë që e kuptoni.
- Keni të drejtë të kërkoni një përkthyes nëse nuk i kuptoni plotësisht pyetjet ose dokumentet që ju jepen. Mos nënshkruani asgjë që nuk e kuptoni.
E drejta dalje përpara një Gjykatësi të Emigracionit
Nëse CBP pretendon se ju mund të dëboheni, keni të drejtë për një seancë dëgjimore para një gjykatësi të emigracionit. Mos hiqni dorë nga kjo e drejtë. Një gjykatës i emigracionit — jo CBP — duhet të vendosë nëse statusi juaj i “green card” mund t’ju hiqet.
