Çfarë thanë prokurorët e ZPS-së për Thaçin e të tjerët në rastin për pengim të drejtësisë?

Hagë, 10 shtator 2026 – Prokurorja e specializuar, Kimberly West, në fillim të fjalës përmbyllëse të ZPS-së, tha se Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tjerë për muaj të tërë tentuan të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve për rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Bashkë me bashkëpunëtorët e tij në këtë proces ai tentoi ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha ajo.

West i cilësoi të bashkakuzuarit e tjerë të Thaçit, si bashkëpunëtorë të tij, shokë të devotshëm, lojalistë, dhe ish-vartës, të cilët, sipas saj, Thaçi i udhëzoi “që të shënjestronin dëshmitarët, dëshmia e të cilët, sipas tij, ishin vendimtare për procesin për krime lufte”.

West pretendoi se udhëzimet ishin të ndryshme, nga kërkesa për ndryshimin e dëshmive, apo që Thaçi të vihej apo të mos vihej në ndonjë vend ku pretendohet se janë kryer krime.

Sipas saj, duke krijuar grupe të vogla, Thaçi udhëzoi të bashkakuzuarit se si dëshmitë e dëshmitarëve t’i përshtateshin “narrativit të tij”.

Prokurorja tha se dëshmitë u printuan në qendrën e paraburgimit dhe u diskutuan gjatë vizitave po në këtë qendër.

Ajo po ashtu pretendoi se Thaçi kishte biseduar me të akuzuarit e tjerë edhe për hierarkinë e UÇK-së dhe si dëshmitarët, me dëshminë e tyre, siç tha ajo, të zbehnin rolin komandues të tij.

Prokuroria paraqiti pjesë të audio-incizimeve të bisedave të Thaçit me të askuzuarit tjerë

Më pas prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, paraqiti pjesë të incizimeve të bisedave të Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tjerë, duke e akuzuar mbrojtjen se po tenton “t’i bishtnojë” provat, që sipas tij, kanë peshë të madhe.

Hafetz tha se Thaçi, gjatë udhëzimeve që u ka dhënë të akuzurave tjerë, ka pëshpëritur dhe shpjegoi se Prokuroria nuk i ka përdorur pjesët që nuk janë dëgjuar mirë. Në seancë u dhanë pjesë të bisedave të Thaçit me Fazliun lidhur me dëshminë e Rrustem Mustafës – Remit.

Prokuroria tha se vetëm një ditë pas udhëzimit të Thaçit, Fazliu u kthye në Kosovë dhe e kontaktoi Mustafën, përmes të birit të Fahri Fazliut. Disa ditë më vonë ai e njoftoi Thaçin për bisedën me Mustafën dhe Thaçi e udhëzoi sërish Mustafën si të veprojë gjatë dëshmisë së tij.

“Dymdhëdhjetë orë pa rrëshqitur diku, s’mundet. Thuaj shkurt, ‘po’, ‘jo’. Ai i ka mirë deklaratat, por mund të rrëshqasë, se gjatë. Thuaji t’i shkurtojë”, dëgjohet Thaçi duke i thënë Fazliut në incizimin e lëshuar në gjykatë.

Prokurori Hafetz tha se gjatë vizitave të Fazliut në qendrën e paraburgimit në Hagë, Thaçi zbuloi edhe informacione konfidenciale dhe e identifikoi një provë për të cilën Mustafa do të pyetej gjatë dëshmisë së tij, si edhe për një libër për të cilën do ta pyesnin prokurorët. Sipas prokurorit, Thaçi dha udhëzime se si Mustafa do të duhej të dëshmonte.

Prokurori po ashtu e përmendi një takim të Hajredin Kuçit me Thaçin në Hagë, në kohën kur Kuçi ishte pjesë e mbrojtjes së Veselit. Ai tha se Kuçi e kontaktoi Mustafën përmes mesazhit, ndonëse ishte në dijeni se është e ndaluar të kontaktohen dëshmitarë pa një autorizim paraprak të gjykatës. Prokuroria tha se, me këtë veprim, Kuçi nuk iu bind gjykatës.

Për të përshkruar raportin e ngushtë që, sipas Prokurorisë, kishin Thaçi dhe Kuçi, Prokuroria tha se Kuçi, gjatë vizitës në Hagë, iu referua  Thaçit me fjalën “boss [shef]”, ndërkaq Thaçi e quajti mbi 50 herë “Hajro”.

Sipas Prokurorisë, Thaçi i shënjestroi përmes Kuçit tre dëshmitarë, dy ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe një i tretë që nga prokuroria cilësohet si viktimë e pjesëtarëve të UÇK-së.

“Shënjestrimi i dëshmitarëve ishte që ai [Thaçi] të përgatiste narrativin e tij të preferuar se ai nuk kishte përgjegjësi penale për veprat e paraqitura në çështjen 6”, tha prokurori Hafetz.

Ai tha se njëri nga dëshmitarët e shënjestruar ishte Sylejman Selimi, i njohur si dëshmitari numër 5. Sipas prokurorit, gjatë takimit të 3 shtatorit 2023, Thaçi e udhëzoi Kuçin që Selimi të thoshte se vetëm komandantët e zonave të UÇK-së kishin fuqi.

“Thuaj që telefonin satelitor ia ka sjellë diaspora… [Adem] Demaçi ka bërë disa rregullore”, dëgjohet duke përshpëritur Thaçi në incizimin e lëshuar në gjykatore.

Prokurori tha se Thaçi diskutoi me Kuçin edhe për librin për të cilin do të pyetej Mustafa dhe se, përmes Kuçit, Thaçi i dërgoi udhëzime edhe Selimit si të dëshmonte.

Sipas Prokurorisë, Thaçi e udhëzoi Kuçin edhe si të dëshmonte Bislim Zyrapi, i njohur si dëshmitari numër 2. Sipas organit të akuzës, nga incizimet konstatohet se Thaçi kërkonte që Zyrapi të ndryshonte dëshminë e tij – pasi paraprakisht e kishte paraqitur atë si autoritet mbi Shtabin e Përgjithshëm – dhe të thoshte se ai, Thaçi dhe persona të tjerë, përfshirë Veselin, u bënë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në nëntor të vitit 1998.

“Thaçit i nevojitet të japë përgjigje të sakta për strukturën e Shtabit të Përgjithshëm, që do të minimizonte përgjegjësinë penale të tij para nëntorit ’98”, tha prokurori.

Prokurori tha se Thaçi ka dhënë udhëzime edhe për dëshmitarin e tretë, i cili u identifikua vetëm si “dëshmitari 6”, pasi ai është dëshmitar i mbrojtur. Prokurori tha se nuk mund të japë publikisht detaje për të, por tregoi se Thaçi e udhëzpnte që ai të mos e implikonte drejtpërdrejt në ndonjë krim.

Prokuroria paraqiti edhe argumentet e saj për përfshirjen e Kilajt në këtë rast. Prokurori tha se Kilaj e vizitoi fillimisht Thaçin në shkurt të vitit 2023, disa ditë pasi Thaçi i kishte pranuar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur. Sipas Prokurorisë, Thaçi e udhëzoi Kilajn se si të dëshmonin dëshmitarët. Prokurori tha se bëhet fjalë për dëshmitarin e mbrojtur me numër 4.

Ai tha se Kilaj e vizitoi Thaçin sërish në tetor, me ç’rast ia dha dëshminë e dëshmitarit dhe e udhëzoi saktësisht çfarë të ndryshonte.Sipas Prokurorisë, në incizime dëgjohet që Thaçi kërkon të korrigjohet pjesa e gjashtë, faqja 7 rreshti 9. Sipas Prokurorisë, dëshmitari e kishte implikuar Thaçin në rastin e keqtrajtimit.

Prokuroria tha se në zotërim të Kilajt janë gjetur materiale të dëshmisë së dëshmitarit dhe materiale konfidenciale, si edhe udhëzime se si duhet të dëshmonte.

Në fund të fjalës përmbyllëse, Prokuroria foli për përfshirjen e Bashkim Smakajt në këtë rast. Sipas Prokurorisë, Smakaj ishte udhëzuar nga Thaçi se si duhej të dëshmonte Bislim Zyrapi. Prokuroria tha se në makinën personale të Smakajt është gjetur edhe një dokument konfidencial, të cilin pretendohet se e kishte marrë nga Thaçi në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Prokuroria tha se Smakaj, pas vizitës në Hagë, kishte komunikuar dhe ishte takuar me Zyrapin.

Prokurori tha se incizimet tregojnë modelin e ndjekur nga Thaçi. Ai tha se Thaçi i kishte kërkuar Zyrapit që gjatë dëshmisë së tij të përgjigjej shkurt dhe e sugjeronte që për tema të caktuara të thoshte “nuk më kujtohet” apo “nuk e di”.

Akuzat ndaj Thaçit e të tjerëve për pengim të drejtësisë

Thaçi, si edhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

(Sipas Radios Evropa e Lirë)