Chollet i kërkoi Vuçiqit të marrë masa për uljen e tensioneve në veri të Kosovës

Uashington, 3 qershor 2023 – Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka bërë thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiq që të marrë hapa për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se Vuiqit i ka kërkuar t’i kthehet Dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Dje, e inkurajova presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që të kërkojë qetësimin e serbëve të Kosovës, të ndërmarrë hapa që ndihmojnë për zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe që t’i kthehet procesit të normalizimit dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Chollet në Twitter.

Në Zveçan,Leposaviq dhe Zubin Potok që prej 6 ditësh po protestojnë grupe të qytetarëve serbë që kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit,

Më 29 maj protestuesit sulmuan me mjete të forta, mjete shpërthyese e lëndë plasëse,si edhe me armë zjarri pjesëtarët e KFOR-it që ishin vendosur para ndërtesës së komunës në Zveçan. 30 ushtarë italianë e hungarezë pësuan lëndime, tre prej të cilëve u dërguan për trajtim më të specializuar mjekësor në  Hungari.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkuan që Kosova të mbajë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës. Kjo kërkesë u mbështet nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti thanë se zgjedhjet e reja mund gtë mbahen sipas ligjeve në fuqi dhe nëse sigurohet pjesëmarrja në to e votuesve serbë.

(r.m.)