Christopher Hill në Gjykatën Speciale në Hagë: Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në. UÇK-ja nuk kishte hierarki vertikale

Hagë, 10 nëntor 2025 – Christopher Hill, diplomati amerikan në pension, i cili ka qenë i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë, ka nisur të hënën dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hill dëshmoi për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në Rambuje.

Gjatë dëshmisë së tij, diplomati i pensionuar amerikan që është thirrur dëshmitar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, tha se Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandat, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.

Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”.

Ai gjithashtu e përshkroi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.

Si një i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë luftës, Hill tha se e kishte shumë të vështirë ta gjente një njeri të vetëm që do të fliste në emër të UÇK-së.

Ndërkohë, Hill gjithashtu foli edhe për ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe partinë e udhëhequr nga ai, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai dëshmoi se UÇK-ja nuk donte që Rugova të ishte zëri i Kosovës.

“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, tha Hill.

Për më tepër, Hill tha se takimin mes Rugovës dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998 në Beograd, e nxiti SHBA-ja.

“Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.

“Unë isha shumë skeptik”, tha Hill, gjatë dëshmisë së tij, të hënën.

Dëshmia e diplomatit amerikan do të vazhdojë të martën.

Hill: Unë u emërova i dërguar i posaçëm në Kosovë nga sekretarja Albright.

Seanca gjyqësore ku merrin pjesë edhe të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nisi me pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit, ai tha se në përpjekjet për uljen e tensioneve në Kosovë ishte përfshirë për herë të parë në maj të vitit 1998, me kërkesë të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright, e cila më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador amerikan në Maqedoni, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë”, tha ai.

Hill tregoi se për punën e tij si i dërguar i posaçëm i raportonte direct sekretares Albright.

Hill tregon se me kë komunikonte në Kosovë dhe në Serbi

Avokati mbrojtës tani vazhdoi me pyetjet e tij rreth komunikimeve të Hillit si i dërguar amerikan në konfliktin e Kosovës.

Hill dëshmoi se ka biseduar me të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.

“Ka qenë e rëndësishme të bisedonim me palët e ndryshme, të cilat do të ishin pjesë e zgjidhjes ose problemit pastaj. Kam kaluar shumë kohë në përpjekje për të komunikuar me njerëzit qoftë nga pala serbe apo ajo e Kosovës”, tha ai.

I pyetur nga avokati mbrojtës se me kë kishte punuar nga pala serbe, Hill u përgjigj: “Kam punuar me presidentin Sllobodan Millosheviq dhe ekipin e tij, ku përfshiheshin ish-ministri i Jashtëm, zoti Milletinoviq”.

“Nga pala serbe ishte shumë e kufizuar, ishte kryesisht Millosheviq”.

Hill shtoi se për të ka qenë sfidë e madhe ta gjente dikë me autoritet për të biseduar në Kosovë.

“Ishte e vështirë të gjesh njerëz që flisnin me autoritet. Nuk ishte problem të gjeje dikë që jepte mendim, por ishte problem të gjeje dikë që fliste me autoritet. Një prej personave ishte natyrisht, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova”.

“Por, Rugova nuk ishte personi i vetëm me të cilin mund të komunikoje në Kosovë, sepse nuk i përfaqësonte të gjitha pikëpamjet”.

Hill: Isha skeptik për takimin Rugova-Millosheviq në Beograd

Hill tha se SHBA-ja e nxiti Ibrahim Rugovën të takohej me Sllobodan Millosheviqin në Beograd më 1998.

“Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.

“Unë isha shumë skeptik”, tha Hill.

I pyetur nëse takimi mes Rugovës dhe Millosheviqit kishte ndikim në imazhin që kishte Rugova te shqiptarët e Kosovës, Hill theksoi:

“Mendoj se e dëmtoi Rugovën, sepse njerëzit në Kosovë nuk mund t’i ndihmonte. Unë kisha rezerva se takimi mund të ndihmonte. Ai ishte shumë i shqetësuar, por nuk donte që në takimin e parë me Holbrooke të gjendej në një situatë ku refuzonte”, shpjegoi Hill.

Hill: Ishte e vështirë të gjeje njerëz në UÇK që flisnin me autoritet

Hill shpjegoi gjatë dëshmisë se ka qenë e vështirë të gjendeshin njerëz në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të cilët mund të flisnin me autoritet për çështjen e Kosovës.

“Robert Gelbard, i cili kishte mbajtur pozitën që e mora unë pas tij, ai kishte pasur takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe ai kishte dëgjuar se ata ishin udhëheqës të UÇK-së. Por, nuk kishte prova që ata ishin udhëheqës të saj”, tha Hill.

Hill: Gelbard e quajti UÇK-në organizatë “terroriste”, sikur dha sinjal për sulmin ndaj familjes Jashari

I pyetur nga mbrojtja nëse ambasadori Gelbard i ishte referuar UÇK -së si organizatë “terroriste”, Hill tha “po”.

Hill shpjegoi se Gelbard ishte bazuar në përvojën e tij në Amerikën Latine kur e cilësoi të tillë UÇK-në.

“Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, dhe kishte fjalë se kjo e kishte shpejtuar këtë ngjarje, pra sulmin në familjen Jashari. Gelbard sikurse kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Besoj se nuk ka provë për një gjë të tillë, por ajo është diskutuar, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, sikur u jep sinjal serbëve të lëviznin kundër tyre”, tha Hill.

Hill shtoi se Gelbard, më pas, mori qëndrim shumë më të ashpër ndaj serbëve, pasi ndodhi ngjarja në Prekaz, dhe përfshiu bisedë të ashpër me Millosheviqin”.

“Millisheviqi më pas deklaroi se ai nuk donte të takohej më me Gelbard. Gjithë çështja në maj filloi me fjalimin apo komentet e Gelbardit nga përvojat e mëhershme”, tha Hill.

Hill tha se Shtetet e Bashkuara kanë mekanizëm për ta shpallur terroriste një organizatë të huaj dhe se, sipas tij, ato nuk e kanë cilësuar të tillë UÇK-në.

Hill: UÇK nuk kishte strukturë hierarkike verikale

Hill tha se kontakti i tij i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndodhi në verën e vitit 1998 në Tiranë të Shqipërisë.

“Derisa po punoja me stafin tim dhe të tjerë, duhej të gjenim një zyrtar apo grup zyrtarësh të UÇK-së me të cilët mund të flisnim lidhur me UÇK-në. Duhet të shtoj se kam punuar për një kohë në këtë drejtim pa pasur sukses dhe arritëm në përfundim se nuk kishte një udhëheqje të tillë. Pra, këtu bëhej fjalë për një grup njerëzish në nivel vendor, që ishte përshkrim shumë më i saktë i asaj me të cilën po merreshim ne”, tha Hill, duke iu referuar UÇK-së.

Ai shtoi se në Tiranë takoi “dikë që na e kishin përshkruar si kreun e UÇK-së”.

“Unë dhe kolegët e mi erdhëm në përfundim se ai vepron brenda kësaj lëvizjeje, por nuk mund të flasë në emër të UÇK-së. Ne vazhduam punën për të gjetur njerëz që mund të flisnim si përgjegjës për këtë. Shkuam në verë dhe vjeshtë të ’98-ës në Likoc”, tregoi Hill.

Hill tha se nuk i kujtohej emri i personit të parë nga UÇK-ja me të cilin ishte takuar, por i kërkoi avokatit që e merrte në pyetje për t’i thënë ndonjë emër.

Avokati e pyeti nëse ishte Xhavit Haliti, dhe Hill i tha se “po”.

I pyetur nga mbrojtja e Thaçit nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte strukturë vertikale me organizim hierarkik, Hill tha “jo”.

Hill: UÇK-ja donte që ajo të ishte zëri i Kosovës e jo Rugova

I pyetur nga mbrojtja se cilat ishin synimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hill tha se ajo donte që vetë UÇK-ja të ishte zëri i Kosovës dhe jo Ibrahim Rugova.

“UÇK-ja donte të punonte me Shtetet e Bashkuara sepse mendonte se ato mund t’i ndihmonin Kosovës ta fitojë pavarësinë afatmesme”, tha Hill.

“Mu krijua përshtypja se ata nuk donin të punonin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ata bënë çfarë mundën që ta prishnin reputacionin e LDK-së”.

“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, shtoi ai.

I pyetur nëse UÇK-ja e kishte synim përfundimtar ta udhëhiqte Kosovën, Hill u përgjigj: “Nuk e kam dëgjuar këtë konkretisht, por çfarë kam dëgjuar se ata donin autonomi dhe të ishin të pavarur”.

Hill: Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në

Krispopher Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Hashim Thaçin gjatë vitit 1998. Ai e përshkroi ThaՈin si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, tha Hill.

I pyetur nëse kishte përshtypjen nëse Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill thekoi se nuk kishte bazë për një gjë të tillë.

“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por, nuk mu krijua përshtypja se ai ishte një person që në kishte kontroll këtë organizatë të madhe, ose që drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, dëshmoi ai.

Hill: Thaçi nuk ishte ai personi që e përshkruante Millosheviqi

Hill u pyet nga mbrojtja për pretendimet e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, lidhur me Hashim Thaçin gjatë një takimi mes tyre në vjeshtën e vitit 1998.

Avokati Misetiq e pyeti Hillin nëse Thaçi ishte “luftëtar i madh dhe kishte marrë pjesë në vrasje” siç pretendonte Millosheviq, gjë të cilën diplomati amerikan e mohoi.

“Jo vetëm që unë vlerësova që Thaçi nuk ishte ai personi që e përshkruante Millosheviqi, por nuk e kisha dëgjuar këtë gjë nga askush dhe mendoj se është e rëndësishme që kuptohet e gjitha, sepse gjatë gjithë asaj kohe unë kam qenë në kontakt me presidentin Ibrahim Rugova, dhe ai kishte mundësi të shumta t’i denonconte njerëzit me emër, por nuk e ka bërë”, tha Hill.

Hill: Thaçi nuk ishte në pozitë për të thënë “po” në Rambuje

Një pjesë e dëshmisë së Hillit u përqendrua në Konferencën e Rambujesë më 1999, dhe në rolin të Thaçit në këtë konferencë.

Hill tha se Thaçi nuk e pranoi dokumentin e marrëveshjes për shkak se në të nuk përmendej pavarësia e Kosovës.

I pyetur nga mbrojtja se pse ai nuk e pranonte dokumentin, Hill tha se Thaçi frikësohej ta bënte këtë.

“Thaçi më tha se nëse do ta pranoja, do të më vrisnin sapo të kthehesha në Kosovë”, tha Hill.

Ai tha se Thaçi e kishte thënë këtë në dy raste.

“Unë nuk e pyeta si apo nga kush [do të vritej], por thjesht e kuptova se ai nuk ishte në pozitë për të thënë ‘po’”, tha Hill.

Kush është Christopher Hill?

Christopher Hill është diplomat i pensionuar karriere dhe ka qenë i përfshirë në çështje lidhur me Kosovën, përfshirë si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt edhe në bisedimet në Rambuje në vitin 1999.

Ai kishte disa takime me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999. Hill, së bashku me diplomatin e lartë amerikan, Richard Holbrooke, kishin takuar përfaqësuesit e UÇK-së në Junik në qershor të ’98-ës.

Ndërsa, me ambasadorin William Walker e kishin vizituar shtabin e UÇK-së në Likoc më 13 janar të ’99-ës, për ta ndërmjetësuar lirimin e tetë ushtarëve serbë të cilët ishin zënë rob.

Diplomati Hill ishte angazhuar si pjesë e Grupit të Kontaktit për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve në Rambuje të Francës.

Megjithatë, bisedimet në Rambuje përfunduan pa sukses, pasi pala serbe nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen, duke nxitur NATO-n ta kryejë një fushatë 78-ditore të bombardimeve ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Diplomati amerikan së voni shërbeu edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.

Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Hashim Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Kadri Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Jakup Krasniqi zëdhënës, ndërsa Rexhep Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

(Sipas Radio Evropa e Lirë)