Hagë, 11 nëntor 2025 – Diplomati amerikan në pension, Christopher Hill, vazhdoi të martën dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor kundër katër ish-udhëheqësve të UÇK-së që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Edhe ditën e dytë të dëshmisë së tij, Christopher Hill, i cili ka qenë i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka vazhduar t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit.
Hill: Nuk kam dëgjuar asokohe që Thaçi të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme
I pyetur nga avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, përse kishte vendosur të merrte pjesë në këtë proces gjyqësor, Hill ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se Thaçi është përfshirë në aktivitete për të cilat akuzohet.
“Nuk kam arsye të besoj, dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme. Dhe, siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i paraburgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje. Pra, u ndjeva sikur m’u kërkua kjo gjë. Nuk kontaktova njerëz. Njerëz më kontaktuan mua dhe ndjeva që duhet të them atë që dij lidhru me situatën”, tha ai.
Hill: Rugova ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij
Gjatë dëshmisë së tij, Hill tha se ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij.
“Rugova, i cili ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij , shkoi në Vatikan. Ai u lirua nga Beogradi dhe shkoi në Vatikan pas ftesës se një lloj Ministrie të Punëve të Jashtme të Vatikanit. Drejt përfundimit të fushatës ajrore të bombardimeve, m’u kërkua që ta takoj atë dhe që të kuptoj se cilat ishin synimet e tij dhe nëse po planifikonte të jepte ndonjë deklaratë publike lidhur me fushatën e bombardimeve. Unë bëra këtë gjë, por ai nuk e kishte planifikuar të jepte deklarata publike dhe unë u ktheva në Shkup”, tha Hill.
Ai tha se pas fillimit të bombardimeve nga NATO është marrë kryesisht me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, dhe tregoi se detyra e tij e fundit gjatë konfliktit në Kosovë ishte pjesëmarrja në takimin e përfaqësuesve të NATO-s me komandantë të ushtrisë së Serbisë në Kumanovë, ku ishte arritur marrëveshja për largimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova dhe vendosja e trupave paqeruajtëse në Kosovë.
Hill: Mospajtimet mes shqiptarëve nuk ishin shqetësimi im
Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, Hill tha se nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur një person përgjegjës, prandaj vazhdimisht ka pasur vonesa në përgjigjet për çështje të ndryshme.
Ai e ka pohuar deklaratën që e ka dhënë vite më parë në një intervistë se besonte se edhe lideri i asaj kohe, Ibrahim Rugova, nuk ishte i gatshëm që ta kryente detyrën.
“Mospajtimet mes shqiptarëve nuk ishin shqetësimi im. Shqetësimi im ishte të zbatoja politikën amerikane dhe të gjeja një mënyrë që Beogradi, dhe grupe të ndryshme në Kosovë, të gjenin një mirëkuptim dhe të përfundonte konflikti”, tha Hill.
Hill: Përshtypja ime ishte që Kransiqi nuk ishte i rëndësishëm në UÇK
Duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit Christopher Hill lidhur me Jakup Krasniqjn, Hill tha se Krasniqin e kishte takuar për herë të parë në Dragobil, gjatë përpjekjeve për të mundwsuar lirimin e disa ushtarëve jugosllavë që ishin kapur rob nga UÇK-ja.
Hill tha se takimi ishte organizuar nga përfaqësuesit e KDOM-it dhe shtoi semendonte se Krasniqi nuk ishte ndonjëri prej figurave kryesore të UÇK-së.
Avokati Ellis pyeti nëse e kishte fituar përshtypjen se Krasniqi nuk ishte ndonjë person i rëndësishëm në UÇK dhe Hill e pohoi këtë.
“Po, kjo ishte përshtypja ime”, tha ai.
Hill: Adem Demaçi ishte kundër çdo gjëje që nuk e kishte pavarësinë e Kosovës.
Hill tha se besonte që Adem Demaçi ishte një figurë e rwndwsishme e UÇK-sw dhe se kjo pwrshtypje ishte forcuar gjatë Konferencws sw Rambujesw. Ai tha se supozonte qw Demaçi ishte prapa kundwrshtimit të Marrwveshjes së Rambujesë.
“Ne e dinim që Adem Demaçi ishte kundër çdo negociate me serbët dhe ishte kundër çdo gjëje që nuk e trajtonte çështjen e pavarësisë. Pra, kur ekzistonin problematika serioze dhe të rënda, ne supozonim që është Demaçi pas këtyre”, tha ai.
Hill theksoi se mendonin se në UÇK nuk kishte ndonjë person që mund ta nënshkruante marrëveshjen. Ai e tha këtë pasi iu prezantua një dokument në të cilin thuhej se brenda UÇK-së ka pasur një konflikt të madh për Rambujenë. Në dokumentin e prezantuar në gjykatë thuhej se Adem Demaçi ishte antagonisti kryesor politik i UÇK-së.
Hill: Dikush më tha se Xhavit Haliti ishte në nivel të lartë, kurse dikush se ai ishte shok me të rëndësishmit e UÇK-së
Christopher Hill tha se Xhavit Haliti ishte kontakti i tij i parë me UÇK-së dhe se takimi kishte ndodhur në Tiranë. Ai tha se dikush i kishte thënë se Haliti ishte i një niveli të lartë, kurse dikush tjetër i kishte thënë se ai ishte shok me personat e rëndësishëm me UÇK-në.
“Dikush më kishte thënë se ai ishte i një niveli të lartë, kurse dikush më kishte thënë se ishte shok me personat e rëndësishëm në UÇK. Nuk isha i sigurt se kush kishte të drejtë, por ishte ai që e përfaqësonte dëshirën për të ndjekur pistat e propozuara”, tha Hill.
Ndërkaq, takimin në Junik, ku kishte marrë pjesë edhe diplomati I lartë amerikan, Richard Holbrooke, ai tha se nuk do ta quante takim me UÇK-në, por me fshatarët që kishin pësuar nga sulmet e forcave serbe. Ai tha se në takimin e Junikut kishte marrë pjesë edhe një burrë me mjekër të zezë, i veshur me rroba të ushtrisë, i cili, siç u shpreh ai, kishte përfituar nga rasti për t’u fotografuar me Hoolbrookun dhe me të.
Hill tha se Holbrooke, pas takimit të Junikut, kishte kërkuar të shkonte në Beograd dhe të bisedonte me Millosheviqin, por ai kishte refuzuar të takohej. Ai kishte thënë se nuk do të takohej më me Holbrookun pasi ai ishte takuar me UÇK-në.
Avokati Roberts kundërshton dëshmitë e Hillit për një takim të tij me Selimin në Likoc
Dëshmitari Chritopher Hill u pyet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me një takim të tij me përfaqësues të UÇK-së, ku ishte pritur nga Rexhep Selimi, njëri nga katër të akuzuarit në këtë rast.
“Mbaj mend që ai ishte personi që na priti, por nuk mbaj mend ndonjë mirëpritje”, tha Hill.
Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, e kundërshtoi linjën e pyetjeve të Prokurorisë lidhur me bisedat që janë zhvilluar në atë takim. Ai tha se biseda e atij takimi nuk është përfshirë në dosjen gjyqësore të Prokurorisë.
Roberts tha se pyetjet se çfarë kishte thënë Selimi në atë takim do duhej të mbështeteshin në dosjen gjyqësore dhe theksoi se ky nuk është momenti të nxjirren dëshmi të reja.
“Mbase ata [prokurorët] duan të mbështeten në atë se çfarë kishte thënë zoti Selimi në atë takim, por ata do të duhej të mbështeshin në dosjen gjyqësore që që nuk e bënë dhe tani nuk është momenti që ata të nxjerrin dëshmi të rej”, u shpreh ai.
Prokurori James Pace tha se ky ishte një takim që dëshmitari e ka përmendur dhe ka folur gjërë e gjatë në dëshminë e tij. Ai tha se dëshmitari ka treguar se gjatë atij takimi në Likoc ka komunikuar me Rexhep Selimin.
Pace tha se kjo është në fushëveprimin e Prokurorisë dhe se është e drejtë e prokurorëve që të bëjnë pyetje përtej fushëveprimit të tyre, por që i vërtetojnë argumentet e tyre.
Trupi gjykues e rrëzoi kundërshtimin e avokatit Roberts dhe lejoi prokurori Pace që të vazhdojë me pyetjet e tij.
Hill: Rexhep Selimi i përfaqësonte opinionet e Grupitt ë Drenicës
Duke folur për takimin me Rexhep Selimin në Likoc, më 29 korrik 1998, Christohper Hill tha se me Selimin ishtte takuar për të marrë qëndrimin e UÇK-së lidhur me propozimin për formimin e një grupi negociator me Serbinë, por nuk mori ndonjë qëndrim apo opinion të tij.
“Ne kuptuam se Selimi do të ishte në pozitë të na jepte një përgjigje, që në fakt do të ishte qëndim i UÇK-së. Por, kur nuk morëm përgjigje, atëherë menduam se ai [Selimi] po i përfaqësonte disa opinione të Grupit të Drenicës”, tha Hill.
Diplomati amerikan tha se në takimin e Likocit kishin qenë të pranishëm edhe persona të tjerë, por nuk i kujtohet që dikush ntjetër të ketë folur, përveç Rexhep Selimit. Kur u pyet nëse ishin të pranishëm edhe Sylejman Selimi, Bislim Zyrapi dhe Sami Lushtaku, ai tha se nuk i kujtohet nëse ata ishin të pranishëm në takim. Ai tha se Zyrapi nuk i kujtohet as si emër
Hill: Nuk e di nëse Hashim Thaci ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së
Christopher Hill u pyet pastaj për takimin e tij me Thaçin në Dragobil. Ai pranoi se Thaçi përmendej si njëri nga përfaqësuesit e UÇK-së me të cilin duhet të takohej, por theksoi se nuk është i sigurt nëse Hashim Thaçi ka qenë një ndër themeluesit e UÇK-së.
“Nuk e di nëse Hashim Thaci ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit, me sugjeron që ai nuk ka qenë. Megjithatë, nuk jam në gjendje ta konfirmoj ose mohoj një gjë të tillë”, theksoi Hill.
Por, ai konfirmoi se kishte dëgjuar që Thaçi ishte pjesë e Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Hill mohon se në takim me Thaçin ishte ndier si në një takim me “një vrasës”
Prokurori Pace, në pyetjet e tij, u përqendrua në takimin e Hillit me Thaçin dhe me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, në Dragobil, në nëntor të vitit 1998.
Pace e pyeti Hillin nëse në dëshminë e tij kidhte thënë se në takimin me Thaçin ishte ndjerë sikur të ishte në takim me “një vrasës”.
“Në takim me Hashim Thaçin, a ishit ndier që ishit në praninë e një vrasësi apo nuk ishit ndier?”, pyeti prokurori.
Hill mohoi katagorikisht se kishte pasur një ndjesi të tillë.
“Jo. Kam thënë që nuk isha. Përgjigje negative”, tha ai.
Hill tha se nuk e mban në mend nëse gjatë takimit të tij me Hashim Thaçin dhe me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në Dragobil ishte diskutuar për persona të ndaluar nga UÇK-ja.
“Nuk më kujtohet që në atë takim të jetë diskutuar për një temë të tillë. Tashmë kanë kaluar rreth 27 vjet. Por, më kujtohet që ishte diskutuar nëse UÇK-ja do të ishte e gatshme të diskutonte për çështjet që ishin ngritur në marrëveshjen e Rambujesë.
Hill: James Rubin e favorizonte Thaçin për udhëheqës të delegacionit të Kosovës
Ish-diplomati amerikan u pyet lidhur me raportet e ndihmës -sekretarin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubinin, me Hashim Thaçin gjatë kohës së Konferencës së Rambujesë. Prokurori kujtoi se Hill kishte thënë se James Rubini ia kishte rekomanduar Thaçit edhe kostumin edhe kravatën që duhet të mbante.
“Kjo është në përputhje me mendimin tim se ai e favorizonte Thaçin që të bëhej udhëheqës i delegacio nit të Kosovës”, tha Hill.
Ai tha se dëshironin që Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi të nënshkruanin Marrëveshjen në emër të UÇK-së.
“Thaçi dhe Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje, prandaj ka qenë e rëndësishme për ne, që të nënshkruhej prej tyre”, tha Hill ndër tjerash.
Dëshmitari u pyet edhe për një takim me përfaqësues të UÇK-së në mars të vitit 1999. Ai tha se në këtë takim, ku ishin të pranishëm Sokol Bashota, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja, ishte diskutuar për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë.
Hill: Më vonë mësova se Thaçi kishte shkuar në Shqipëri para bisedimeve në Paris
I pyetur nëse e dinte që Hashim Thaçi kishte pasur takime me krerët e shtetit të Shqipërisë në kohën mes Konferencës së Rambujesë dhe bisedimeve në Paris më 1999, Hill tha se asokohe ai nuk ishte në dijeni, por për këtë kishte mësuar më vonë.
“Më vonë kam mësuar se [Thaçi] kishte shkuar në Shqipëri, por nuk mund ta them se kur kishte ndodhur kjo”, u shpreh ai.
Hill tha se Shqipëria e kishte mbështetur nënshkrimin e Marrëveshjes në Rambuje.
“Shtetet e Bashkuara ishin në kontakt me Shqipërinë dhe e dinin se shteti shqiptar e mbështeste procesin e Rambujesë”, theksoi Hill.
Hill: S’kam informacion për raportimin e brendshëm të UÇK-së ose për shërbime të intelegjence
Gjatë dëshmisë së tij, Christopher Hill tha se nuk ka informacione për raportimin e brendshëm të UÇK-së.
“Jo, nuk kam informacion lidhur me sistemin e raportimit brenda UÇK-së. Sigurisht që SHBA-të kishin mundësi ose aftësi që të gjenin strukturat e UÇK-së. Unë personalisht nuk kam informacion sa i takon sistemit të brendshëm të UÇK-së”, tha Hill,
Ndërkaq, kur u pyet për Kadri Veselin, tha se nuk kujton se emrin e tij nuk e kishte dëgjuar atëherë.
“Nuk e di nëse këtë emër e kam dëgjuar atëherë apo më vonë”, tha ai.
Hill u pyet edhe nëse kishte ndonjë informacion për struktura të intelegjencës ose të shërbimit të zbulim-kundërzbulimit të UÇK-së. Ai tha se nuk ka pasur informacion për këtë.
“Mendoj që duhet të ketë pasur një sistem të tillë, por nuk kam ide, nuk kam këtë informacion”, tha ai.
Hill: Rugova nuk më ka folur për kërcënimet ndaj tij. Të tjerët më kanë shprehur shqetësime për sigurinë e tij
Hill u pyet nëse Ibrahim Rugova i kishte folur për kërcënime të tij dhe për sulme e rrëmbime të aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga pjesëtarë të UÇK-së. Ai tha se nuk i kujtohet që Rugova t’i ketë folur për akte të tilla, por pohoi se i kujtohen persona të tjerë që kanë shprehur shqetësime lidhur me sigurinë e Rugovës.
Diplomati amerikan në pension tha gjithashtu se nuk i kujtohen as emrat e Cen Deskut dhe Jakup Kastratit, dy aktivistëve të LDK-së nga Malisheva që ishin ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së.
Hill mohon se kishte thënë se nuk do të jepte dëshmi për Prokurorinë
Christopher Hill mohoi se mbrojtjes së Hashim Thaçit i ka thënë se do të refuzonte të jepte dëshmi për Zyrën e Prokurorisë së Specializuar.
Prokurori James Pace tha se më 13 tetor 2025, mbrojtja e Thaçit e kishte informuar Prokurorinë se Chritopher Hill nuk donte të jepte intervistë për ZPS-në. Ai pyeti nëse kjo ishte e vërtetë dhe Hill mohoi se nga mbrojtja është pyetur për një gjë të tillë.
“Nuk më kujtohet. Nuk e di. Nuk mendoj kështu. Mua më ka kërkuar mbrojtja e Thaçit dhe më ka pyetur se a do të jap dëshmi dhe për të diskutuar nëse do të isha i gatshëm për të dhënë informacionin që dija për këtë gjyq”, tha Hill.
Prokurori Pace pyeti nëse mbrojtja e Thaçit i ka pyetur se a ishte Prokuroia e interesuar për ta marrë në intervistë.
“Nuk më kujtohet të më jetë bërë një pyetje e tillë, sepse sigurisht që do isha i përgatitur t’ju jepja përgjigje ose intervistës”, tha ai.
Hill: Nuk më kujtohet t’I kem thënë mbrojtjes se do të dëshmoj se ajo që po i ndodh Thaçit është e padrejtë
Prokurori James Pace e pyeti dëshmitarin Hill se a i kishte thënë para një jave mbrojtjes së Thaçit se ka pranuar të dëshmojë në këtë proces gjyqësor sepse ajo që po i ndodh Thaçit është e padrejtë. Hill tha se nuk i kujtohet një gjë e tillë, por theksoi se vazhdon të mendojë se UÇK-ja është përpjekur të paraqitet si ushtri në vija vertikale dhe e fuqishme.
“Pikëpamja ime personale ishte dhe vazhdon të jetë se UÇK-ja është përpjekur të prezantohet dhe të paraqitet si një ushtri me struktutë vertikale të fuqishme. Por, këtë nuk e kam parë asokohe”, tha ai.
Madje, Hill tha se është i shqetësuar nga përpjekjen për të shtuar në këtë strukturë komandën dhe kontrollin.
“Kam shqetësime të vërteta lidhur me përpjekjen për të shtuar në këtë strukturë komandën dhe kontrollin. Duke marrë parasysh edhe kalimin e kohës, ndjehesha rehat që do t’i paraqitja këto vërejtje dhe këto komente pa u përfshirë në politikat e brendshme”, tha ai.
Hill: Nuk e kam lexuar dosjen e plotë, por e kam lexuar dosjen paraprake
Gjatë dëshmisë së tij, Christopher Hill deklaroi se nuk e ka lexuar aktakuzën e plotë të këtij rasti gjyqësor.
“Nuk e kam lexuar aktakuzën në tërësi”, tha ai.
Por, ai e pranoi se e kishte lexuar dosjen paraprake.
“Besoj që po. E kam lexuar”, tha Hill, duke shtuar se nuk i kujtohet se kush ia kishte dhënë.
Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë së Specializuar për ish-emisarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill.
Ai do të vazhdojë dëshminë të mërkurën, me përgjigje në pyetjet e trupit gjykues.
Të mërkurë, pas përfundimit të dëshmisë së Hillit, pritet të fillojë dëshminë edhe dëshmitari i radhës i mbrojtjes.
(r.m.)