Cikël me poezi nga Eduard Dilo

 

 

FLAMURI I VARGUT SHQIPTAR

          Andon Zako Çajupit)

 

Në faqet e kohës gjej gjurmët e tua,

Çajup i madh, me penën si shpatë,

Ti që i dhe vargut shpirt dhe gjuhë,

Si burim i pastër që kurrë s’thahet gjatë

 

Në fjalët e tua gjëmon Atdheu,

Me thirrjet kushtrim për liri

Nënat bekim u japin bijve 

Që Atdheu mos ketë robëri 

 

Të  ndjej, të dëgjoj ndër vargje,

Je Flamur i vargut Shqiptar

Je zëri i atdheut, i kombit tim fatlum,

Je kushtrim për Kombin, je Atdhetar

 

Ti je hëna mbi male, je zjarri në shpirt,

Vargu që me ndjenjë këndoi dashurinë 

“Vajet” e tua tejet të dhimbëshme

Janë vargjet që të japin, pavdeksinë

 

Çajup, në çdo varg që më lind në mendje,

Je jehona që s’kthehet kurrë në hije,

Ndaj shkruaj me mall, nderim e dashuri

Si fyelli i bariut që embël bie në korie 

 

Mali të dha emër, malit i dhe nur

Çajup penë -arti, vjershëtor flamur 

Emri yt i gdhendur, në çdo shqipëtar 

Nuk do vdesi kurrë-vargjet lapidar 

***

HEROINA E HESHTUR

 

-Në një kohë errësire, ajo mbeti një dritë që nuk u fik. Musine Kokalari, gruaja e parë shqiptare që ngriti zërin për pluralizëm, për demokraci, për dinjitet njerëzor — u përndoq, u dënua, por nuk u përkul. 

Ky homazh poetik i kushtohet asaj, heroinës së heshtur dhe të pavdekshme.(emd)

 

 

“Nuk kam nevojë të jem komuniste për ta dashur vendin tim.”

                                  Musine Kokalari

 

 

Musine Kokalari

 

Vuajti, por dinjitetin s’e humbi,

Heroina e heshtur, shpirt i bardhë

As gjyqi i turpit, as dhuna e verbër

S’e rrëzoi – ajo mbeti në Altar

 

Ishte një yll në natën e zezë,

Musineja – e thjeshtë dhe fisnike

Për fjalën e lirë, për një botë të drejtë

E dënuan, por s’e thyen këtë kreshnike

 

E pashpirt u soll mjekësia me të,

E lanë të tretet nën heshtjen mizore…

Por ajo s’u përkul, as nuk u ndal,

Ngeli e gjallë – e pastër, engjëllore

 

Musine, o yll që s’shuhet kurrë,

Diktatura s’ta fiku dot dritën.

Ti rron përtej burgut, përtej varrit,

Edhe pse telat në varr nuk tu shqitën 

 

Shqipëria që deshe, ende s’erdhi,

Por zëri yt sërish dëgjohet sot

Ti ishe shpresa në terrin e gjatë –

Një fjalë e lirë, një grua, një Zot

***

LUTJA E NENES

 

E pashë — në një cep rruge, të lutej,

Me varfërinë që s’shihej, por ndjehej:

Në sytë e njomë, në rrobat e vjetra,

Në dorën që dridhej, në shpresat e tretura.

 

Ajo lotonte me zë që mezi dilte,

Me Besim të madh, për veten e saj

U luta dhe unë, në heshtje të thellë,

Për Nënën e gjorë, për shpirtin në vaj

 

Loti i ngashëruar, në shpirt m’u ngulit,

Si plagë që s’mbyllet, si thirrje e pashuar

I thashë: “Mos e humb Besimin, moj Nënë,

Se Ai që sheh gjithçka, s’të lë pa ndihmuar.”

 

Ajo më pa, me sy të lodhur, të vrarë

Me dhembje e dashuri përzier në lot,

Dhe fjalë s’tha — veç mallkoi veten,

Për fatin që kishte, për jetën fare kot.

 

Por Zoti dëgjoi lutjen e Nënës së mjerë 

Pa bujë, pa zë — veç me dorë hyjnore 

Dhe lotët e saj u kthyen në dritë,

Në faqe i rrodhi drita ëngjëllore 

 

Tani ajo flinte — e qetë, e lehtë,

Pa ankth e frikë, pa plagë që dhemb

Një Nënë që priti, besoi e duroi,

Dhe në fund… Zoti vetë e ndihmoi .

***

 

MALL MËRGIMTARI

 

Më shumë afër se sa larg,

E pse kilometra na ndajnë,

Zemra ime rreh për ty,

Dhe mendimi gjithashtu

 

Je i shtrenjtë sa më s’ka,

Të dua si nënë e babë,

Atdhe, o vend i shenjtë,

Larg jam — jam mërgimtar

 

Më mungon flladi i mëngjesit,

Era që luan me blerimin,

Një rrugicë, një fjalë e thjeshtë,

Gjithçka që sjell kujtimin

 

Por zemra kurrë s’të harroi,

Në çdo rrahje të saj të kam,

Atdhe, je frymë e shpirtit tim,

Me ty, gjithmonë unë jam

***

 

Aty në Sheper 

 

Mes maleve të thepisura e të larta,

Ku shqiponjat fluturojnë me flatra,

Qëndron me dinjitet e lavdi,

Një fshat i vjetër: Sheperi, aty

 

Sheperi — me emër e nder,

Lindi bij me shpirtin e lirë,

Gjuhën shqipe pishtar në zemër,

Këngë buçitëse në çdo stinë 

 

Sheper, o djep i krenarisë,

Fsheh legjenda në çdo lis 

Aty u rritën njerëz me mend,

Që nderuan Kombin në çdo kuvend

 

Çajupi — me vargje të zjarrta,

E bëri gjuhën flamur në vatra

“Ku jeni o shqiptarë” s’është veç poezi,

Po britmë, kushtrim zemre për liri!

 

Ilia Dilo Sheperi — mendje e ndritur,

Shkroi Gramatikën  shkenëcore

Dritë dijesh, perlë çdo fjalim i tij

Me penën të artë -madhështore

 

Aristidh Ruçi — zë i vërtetë,atdhetari

Shpalosi shpirtin në çdo moment 

Në Pavarsi, luftën e Vlorës kontriboi,

Si urë pa frikë, me guxim ai qëndroi

 

Pano e Pilo Xhamballo — trima të rrallë,

Pushka u fliste, fjala e tyre zjarr 

Në luftë për liri nuk u ndalën,

E gjakun për Komb e falën 

 

Jani Dilo — erudit e diplomat,

Me shpirt prej atdhetari të rrallë

Në fjalë e në vepra la gjurmë të arta,

Që sot i ndjekim me dashuri e mall 

 

Në sheshin e fshatit, bustet rrinë,

Si roje të kujtesës së gjallë

Aty nuk hesht historia, por flet,

Me zë krenarie që nuk ndal

 

Bijtë e Sheperit — të dijes dhe pushkës,

Kanë derdhur gjak e djersë për flamur

Në Vlorë me Ismail Qemalin,

Ngritën shtetin mbi shkëmb e gur

 

Prandaj, kur kalon në atë anë,

Mos harro të përulesh me nder

Se çdo gur, shkëmb e çdo mal aty,

Ka një histori që flet për Shqipëri.

***

 

DASHURIA E NËNËS

 

Dashuria e Nënës është hyjnore,

Ashtu duhet ta duam dhe ne.

Dhimbje dhe dashuri që s’njeh kufi,

Për ne është përherë me zemër të re

 

Në vuajtje, në gëzim – gjithnjë pranë,

Kudo që ecim, ajo na ndjek 

Zemra e saj veç dashuri dhe kujdes,

Askush s’na do si ajo me shpirt në jetë

 

Ne jemi jetë prej jetës së saj,

Nga gjaku i saj – në damarë.

Jemi frymëmarrja që na dha çdo gjë,

Jemi për të kujdesi, loti pa tharë

***

 

Brazda në shpirt

 

E kaluara s’fshihet me kohë,

As nga harresa, as nga lotët e vonë

Ajo rri në heshtje, në cep të kujtimit,

Si hije që s’ikën, në dritë të mjerimit 

 

Ka lënë në zemër brazda të thella,

Si rrudha që shpirti nuk i fsheh dot

Kur i prek me mendim, ato dhëmbin,

Si plagë që s’shërohen me fjalë as me lot

 

Çdo kujtim një gur në udhën e shpirtit,

Çdo dhimbje një varg në këngën e jetës

Por nga ato plagë, mësojmë të rritemi,

Të duam më thellë, të falim me zemër

***

 

Braktisja

 

Shtëpi të braktisura,

Mace dhe qen të vetmuar,

Bredhin rrugëve të fshatit,

Ushqim duke kërkuar.

 

Uji murmurin, sikur qan vetminë,

Pemëve gjethet u kanë tharë,

Zogjtë kanë pushuar cicërimën,

Asgjë s’është si më parë.

 

Oxhaku frymën e ka ndalur,

Larg dëgjon një qyqe që vajton

Zërat e mekur vinë nga dheu,

Ku jeni, na braktisët përgjithmon

 

Era vërshellen si e marrë,

Në rrugë degë të shqyera plot,

Në këtë shkretëtirë frike,

Dikush psherëtin e derdhte lot!

 

Në lotë shpërtheva dhe unë,

Mu kujtua shtëpia plot gjallëri,

Dikur gumzhinte si bleta në hoje,

Tani e shkretë, fare pa njeri…

**********^