Cilët serbë të Kosovës ndiqen dhe arrestohen në Serbi?

Beograd, 20 prill 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 14 prill se në Serbi “do të arrestohen dhe do të ndiqen penalisht” të gjithë ata që e “shkelin” rendin kushtetues të vendit. Ai e ka bërë këtë kërcënim një dit٥ pasi në Kosovë u arrestua Sreçko Sofronijeviqi, i cili është i dyshuar për “shkelje të rendit kushtetues të Kosovës” gjatë protestave kundër aksionit të autoriteteve kosovare për parandfalimin e kontrabandës me mallra nga Serbia, të cilat janë mbajtuar në Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut, në vitin 2021. Tri ditë pas këtij kërcënimi, autoritetet serbe ndaluan dhe bllokuan në vendkalimet kufitare me Kroacinë e Hungarinë, si edhe në vendkalimet kufitare me Kosovën rreth 1500 shtetas të Kosovës që po udhëtonin transit nëpër Serbi. Në mesin e tyre ishin edhe disa pjesëtarë të policisë së Kosovës, përfshirë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm Dejan Jankoviq, i cili u ndalua mbi 24 orë dhe u dërgua në gjykatë për “shkelje të rendit kushtetues” të Serbisë. Sipas autoriteteve të Serbisë, Jankoviq e ka “shkelur” rendin kushtetues të Serbisë, duke qenë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës.

Por, a është ky motivacioni i vërtetë për ndjekjen e serbëve të Kosovës? Faktet tregojnë se ndjekja e serbëve që janë lojalë ndaj sistemit juridik të Kosovës është selektive.

Avokati nga Beogradi, Bozho Preleviq, beson se ndalimi i serbëve për “shkelje të rendit kushtetues” të Serbisë është përpjekje për disiplinim. Sipas tij, serbët në Kosovë tashmë e kanë kuptuar se janë tradhtuar nga Vuçiqi dhe nga udhëheqja e Listës Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi.

“Tani çështje është se sa të disiplinuar mund të jenë ata. Nuk ka njeri që e njoh që nuk mendon se janë tradhtuar dhe janë shitur. Por ata votuan për të, ata votuan për atë Listën Serbe, kështu që në thelb ata e morën atë që votuan”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Avokati Preleviq ka thënë se “tashti është e qartë përse ishte vrarë Oliver Ivanoviqi, politikani opozitar serb nga pjesa veriore e Kosovës që e sfidonte Listën Serbe.

“Ai u vra vetëm sepse ka devijuar nga politika zyrtare (e Beogradit)”, ka thënë Preleviq.

Ai ka thënë se të gjithë ata serbë nga Kosova që nuk e përkrahin politikën e Partisë Progresive Serbe në pushtet, mund të akuzohen për “shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”, por jo edhe ata që e ndjekin politikën e Listës Serbe, e cila konsiderohet si filial i Partisë Progresive Serbe, ndonëse kjo politikë është antikushtetuese.

“Askush që ndjek politikën e kësaj partie nuk do të mbajë përgjegjësi, pavarësisht se ajo politikë është thellësisht antikushtetuese, e paligjshme, e kështu me radhë”, ka theksuar avokati Preleviq.

Ai ka shpjeguuar se, sipas Kodit Penal të Serbisë, janë pushtetarët në Serbi ta që e kanë shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

“Jo vetëm që morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes (në kuadër të dialogut), në dorëzimin e sistemeve të mëdha ekonomike shtetit të Kosovës, i cili sipas Kushtetutës është pjesë e Serbisë, por edhe Lista Srpska që, për mendimin tim, është një grup kriminal, i betuar në Kushtetutën e vendit që është krijuar brenda kufijve të Serbisë. Për këtë (betimin në Kushtetutën e Kosovës) e kanë pasur edhe pëlqimin e Presidentit (Aleksander Vuçiq) dhe të Qeverisë së Serbisë”, ka thënë ai.

Edhe Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Kosova që jeton në Beograd, beson se autoritetet serbe po “i shtypin” të gjithë serbët e Kosovës që nuk janë “besnikë” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Të gjithë ata që nuk janë besnikë ndaj Vuçiqit dhe kanë komunikim me institucionet e Kosovës janë në listën e zezë në Serbi”, ka thënë Trajkoviq.

(r.m.)