Çitaku: Me MCGonigal jam takuar në zyrat e FBI, flitet se në Kosovë e ka takuar një politikan

Prishtinë, 23 shkurt 2023 – Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka folur për takimin e saj me ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se ajo është gakuar me z. McGonigal në zyrat e FBI-së, ku ka qenë e ftuar zyrtarisht, si ambasadore.

“Unë kam qenë e ftuar në FBI zyrtarisht, si ambasadore, që t’u drejtohen kadetëve dhe oficerëve të rinj të FBI-së. Ky ka qenë një nder i madh që më është bërë mua dhe që i është bërë Kosovës. Komunikimi im me FBI-në dhe me zyrtarin në fjalë (McGonigal) ka qenë në zyrë dhe në ShBA”, ka thënë ajo në televizionin Klan Kosova.

Çitaku ka thënë se ajo nuk e di se me kë është takuar Mcgonogal në Kosovë, por ka shtuar se “flitet” që ai e ka takuar një politikan.

“Flitet se (McGonogal) e ka takuar një politikan. Nuk e di kush është ai politikan, por e di që nuk ka qenë as kryeministri, as presidenti, as ish-presidentja. Është takuar me një figurë politike këtu, në Kosovë, dhe ky është ai takimi i cili është përmendur në aktakuzë që nuk është raportuar në FBI, sepse sa herë që një zyrtar i FBI-së takohet me përfaqësues të një qeverie tjetër, të një shteti tjetër, e ka për detyrë ta njoftojë byronë, ta njoftojë institucionin ku punon dhe të tregojë për çfarë është biseduar”, është shprehur nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

(r.m.)