Çitaku: Tashmë është e qartë, Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total

Prishtinë, 4 mars 2026 – Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas njoftimit se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do ta propozojë Glauk Konjufcën për President të Kosovës.

Çtaku, në një postim në Facebook, ka thënë se tashmë është e qartë se Albin Kurti, siç është shprehur, “nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total”.

“Mundësia për marrëveshje dhe për zgjedhjen e presidentit ekzistonte. Por, Kurti zgjodhi krizën. Zgjodhi përplasjen. Zgjodhi interesin e tij politik mbi interesin e shtetit”, ka shkruar Çitaku.

“Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë këtë ndëshkim që po ua imponon ai. Institucionet e shtetit nuk janë pronë e askujt, e aq më pak e një njeriu që e sheh pushtetin si qëllim në vetvete”, ka shkruar ajo.

“Kosova është më e madhe se ambicia e kujtdo”, ka theksuar Çitaku.

Ndërkohë, Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklatruar se kjo parti nuk do të votojë për asnjë kandidat që propozohet pa një marrëveshje politike paraprake.

Postimi i plotë:

Tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total.

Në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike. Jo sepse nuk kishte rrugëdalje. Përkundrazi, zgjidhja ishte aty. Mundësia për marrëveshje dhe për zgjedhjen e presidentit ekzistonte.

Por Kurti zgjodhi krizën. Zgjodhi përplasjen. Zgjodhi interesin e tij politik mbi interesin e shtetit.

Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë këtë ndëshkim që po ua imponon ai.

Institucionet e shtetit nuk janë pronë e askujt, e aq më pak e një njeriu që e sheh pushtetin si qëllim në vetvete.

Kosova është më e madhe se ambicia e kujtdo.

(r.m.)