Hagë, 18 nëntor 2025 – Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, e përfundoi të martën dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në procesin gjyqësot ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqitd he Rexhep Selimit.
Edhe ditën e dytë të dëshmisë së tij, gjenerali Clark përsëriti se Hashim Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës apo të hakmarrjes që kanë ndodhur në Kosovë.
“E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet individuale të dhunës ose të hakmarrjes”, theksoi ai.
Clark tha se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste, siç e quante Serbia, sepse pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e vendit të tyre.
“Ata nuk janë terroristë, pavarësisht se kur shkova të takoja gjeneralët serbë ata më thanë që ata janë terroristë. Janë njerëz që luftonin kundër një regjimi të padrejtë, të jashtëligjshëm, që meritonte të largohej dhe të zëvendësohej”, tha ai.
“Këtu kemi persona që luftuan për lirinë e tyre. Ligjet, procedurat e shoqërive moderne duhet të kuptojnë edhe nevojat e personave që luftojnë për lirinë e tyre dhe dinjitetin e tyre”, theksoi ai.
Një pjesë e dëshmisë së gjeneralit Clark lidhur me vizitën e tij në Kosovë, në gusht 1999, u mbyll për publikun, për shkak se në seancë u paraqitën dokumente dhe materiale konfidenciale.
Wesley Clark ishte dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
Clark: S’kam prova që UÇK-ja është prapa spastrimit etnik të serbëve
Në fillim të seancës së sotmer Clark u përgjigj në pyetjet e shtruara nga prokurori Matt Halling. Ai ishte konsistent në deklaratat e tij mëparshme se udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi për dëbimin e servëve nga Kosova, në verë dhe në vjeshtë të vitit 1999.
“Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën. Po i referohem deklaratës ku pretendohet se rreth 170 mijë serbë të jenë dëbuar nga Kosova”, tha Clark, kur u pyet për një deklaratë dhënë gazetës “Shekulli” në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve.
Ai përsëriti se dhuna e vitit 1999 nuk ishte e orkestruar, por ishte më shumë personale.
Prokurori e pyet Clarkun për deklaratën e gjeneralit Reinhardt se Thaçit “nuk duhet t’i besohet”
Prokurori Halling e lexoi një deklaratë kritike të komandantit të KFOR-it, Klaus Reinhardt, (1999-2000) për Hashim Thaçin. Ai kishte thënë se Hashim Thaçit nuk duhet t’i besohej pasi në një konferencë të përbashkët për medie nuk ishte distancuar nga veprimet e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).
“Ai akuzon palën serbe se ka rifilluar gjenocidin dhe dëbimin e personave. Ai shpjegon situatën e refugjatëve që ka parë dhe pretendon se atyre u është dashur të kalojnë në këmbë përmes bjeshkëve me sendet e tyre të fundit. Mbase ai ka qenë në një film tjetër nga i imi. Më pas ai flet për vuajtjet e shqiptarëve që janë persekutuar që nuk janë më të gatshëm për t’i pranuar këto gjëra. Ai nuk tha asnjë fjalë që distancohet nga UÇPMB-ja”, lexoi prokurori Matt Halling dorëshkrimin e gjeneralit Reinhardt.
Përveç kësaj, Reinhardt kishte thënë se Thaçi nuk e kishte thënë asnjë fjalë për sigurinë, por e tha të kundërtën, gjë që e kishte zemëruar shumë.
“Nuk tha asnjë fjalë për sigurinë por përkundrazi e tha të kundërtën. Dha deklarata të rreme dhe bëri propagandë. Unë jam shumë i zemëruar që nuk mund të ndërhyj tani përpara kamerave që po na xhirojnë. Sapo dola nga dhoma, unë u ballafaqova me Thaçin. I thashë se isha i befasuar, se më la fare pa fjalë. Unë i thash: ‘E tradhtove besimin tim’. Ai pretendoi se foli si një politikan i shqiptarëve të Kosovës, kurse unë i thashë: ‘Nuk do e bëj asnjë konferencë të tillë, të ërbashkët’ dhe “Do ta kufizoj deri në minimum bashkëpunimin me ju”, lexoi prokurori.
Reinhardt kishte thënë gjithashtu se Thaçit nuk duhet t’i besohej dhe se me të ishte inatosur edhe gjenerali Clark, sepse Thaçi i kishte premtuar krejt diçka tjetër.
Dëshmitari Clark tha se ai nuk ka qenë personalisht aty, por i kujtohet kjo ngjarje.
“Unë nuk kam qenë personalisht atje dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur. Por, unë e di se ai [Thaçi] po transformohej nga një pjesëtar i një organizate ushtarake në një person që kërkonte një të ardhme politike për veten e tij dhe për vendin e tij – Kosovën”, deklaroi ai.
Por, Clark tha se Lugina e Preshevës ka qenë një zone delikate pas periudhës së luftës dhe pohoi se ishte në dijeni se ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës po ushtrohej dhunë nga Serbia.
“Unë kam lexuar që ka pasur dhunë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Më kujtohet që këtë e kam lexuar”, tha ai.
Welesy Clark u pyet se a është e vërtetë se udhëheqësit në Kosovë deklaronin se dhuna ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk duhet të tolerohej dhe sena ishte asokohe e rrezikshme një deklaratë e tillë.
“Nuk jam i sigurt se a ishte e rrezikshme. Ata e kishin të drejtën e tyre të shpreheshin, të flisnin për ndikimin e masave serbe ndaj shqiptarëve në një territor fqinj”, tha Clark.
Clark: UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste
Gjenerali Clark u pyet se si vlerësohen nga ndërkombëtarët veprimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillimet e saj. Prokurori Halling pyeti se a është e vërtetë që veprimet e para të UÇK-së cilësoheshin si akte terroriste.
“Ka pasur diskutime lidhur me këtë çështje. Më kujtohet që ambasadori Robert Gelbard e kishte quajtur terroriste familjen Jashari. Por, ai u qortua për këtë dhe deklarata e tij u tërhoq dhe u korrigjua”, tha Clark.
Halling e lexoi edhe një deklaratë të Clarkut të vitit 1998, ku thuhej: “E dënojmë dhunën kundër personave që kanë shprehur orientimin e tyre politik në mënyrë jo të dhunshme, po ashtu dënojmë metodat terroriste që përdoren për të arritur synime të caktuara”.
“Pra, edhe ju vetë i keni lidhur veprimet që po ndodhnin asokohe në Kosovë me veprime terroriste”, iu drejtua prokurori Halling dëshmitarit Clark.
“Ata nuk janë terroristë, pavarësisht se kur shkova të takoja gjeneralët serbë ata më thanë që ata janë terroristë. Janë njerëz që luftonin kundër një regjimi të padrejtë, të jashtëligjshëm, që meritonte të largohej dhe të zëvendësohej”, tha Clark.
“Këtu kemi persona që luftuan për lirinë e tyre. Ligjet, procedurat e shoqërive moderne duhet të kuptojnë edhe nevojat e personave që luftojnë për lirinë e tyre dhe dinjitetin e tyre”, theksoi ai.
Clark kërkoi t’i jepej më shumë kohë të shpjegonte në mënyrë më të plotë qëndrimin e tij.
“Shpresoj që të mos më ndërpresë trupi gjykues. Dua të shpjegoj se në një pikë kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie, dhe në një pikë të caktuar, opinioni botëror dhe konsensusi botëror vjen në përfundim se njerëzit kanë të drejtë t’i bëjnë ballë trysnisë dhe luftës. Kjo është e shkruar edhe në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të merikës”, u shpreh Clark.
Clark: Gjatë bombardimeve ne kërkonim informacione nga të gjitha burimet e mundshme
Prokurori Halling pyeti se a është e saktë se ai nuk donte të kishte komunikim me UÇK-në gjatë bombardimeve.
“Jo, nuk është e saktë” tha ai, dhe shpjegoi se ishte e kundërta, se ai kishte kërkuar ndihmë nga Thaçi.
“Për këtë arsye fola me Thaçin. Në fakt, i kërkova Thaçit të na ndihmonte. Në atë kohë ishim në një pikë kritike të historisë, të vlerave, të etikës, të demokracisë”, shtoi ai.
Clark tha gjithashtu se gjatë bombardimeve të NATO-s ka kërkuar vazjhdimisht infgormacione nga UÇK-ja.
“Nuk vihet në dyshim se të gjithë po përpiqeshim që të merrnim informacione nga UÇK-ja. Ne duhet të merrnim informacione nga terreni dhe me kalimin e kohës kemi marrë gjithnjë e më shumë informacione”, tha ai.
Por, mohoi se ai ka marrë informacione direkt nga Thaçi.
“Ne merrnim informacione nga të gjitha burimet e mundshme, por, siç thash dje në deklaratat e mia, nuk kam marrë asnjë gjë nga Thaçi, i cili, siç e dini, pretendohet të ketë qenë përgjegjës”, tha Clark.
Clark: S’mund të konfirmoj nëse UÇK-ja u armatos nga ndonjë shtet i NATO-s
Clark tha se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë organ apo entitet qeveritar i ndonjë vendi anëtar të NATO-s i kishte dhënë armë UÇK-së pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë, në fillim të vitit 1999.
I pyetur nga prokurori Halling nëse nuk mund ta konfirmojë për shkak të konfidencialitetit, Clark tha shkurt:
“Thjesht nuk e di”.
Prokurori më pas e lexoi një raport të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Robin Cook, lidhur me operacionet e NATO-s, ku thuhej: “Ne kemi marrë disa raporte nga UÇK-ja në dy javët e fundit dhe na ndihmon ta kemi perspektiven e asaj çka po ndodh, por nuk synojmë t’i furnizojmë ata me armë”.
Lidhur me këtë Clark tha se në komandën e NATO-s nuk kishte një qëndrim të unifikuar për këtë çështje.
“Jam i sigurt ka pasur deklarata nga dikush që ka thënë se UÇK-ja ka trokitur në derë për të kërkuar ndihmë. Ko është tërësisht ndryshe nga të pasurit të një sistemi të komandës dhe kontrollit, të unifikuar, i cili do të mbështeste NATO-n”, tha ai.
Clark: Akuzat ndaj Thaçit nuk janë të qenësishme. Ai nuk ka pasur kontroll mbi UÇK-në
Prokurori Mat Halling i tha dëshmitarit Wesley Clark se ai nuk di mjaftueshëm për UÇK-në dhe se çfarë ka bërë UÇK-ja për të ditur akuzat që rëndojnë mbi Hashim Thaçin.
“Unë po e shpreh mendimin tim se ju nuk dini mjaftueshëm për UÇK-në dhe për çfarë ka bërë UÇK-ja, për të ditur se akuzat me të cilat përballet zoti Thaçi në këtë gjykatë janë të qenësishme apo jo. Çfarë përgjigje keni ju për këtë qëndrim tonin”, tha prokurori.
Clark tha se aktakuza në këtë rast është pjesërisht relevante për proceset, por përsëriti se Thaçi nuk ka pasur kontroll mbi UÇK-në.
“Kjo është një akuzë që është vetëm pjesërisht relevante për proceset e kësaj gjykate, sepse ne si komandë strategjike, asnjëherë nuk kemi pasur mundësinë të bëjmë kërkime që e vërtetojnë këtë qëndrim. Thaçi thjesht rezulton se ishte një person ambicioz, i artikuluar, përfaqësues… Por, përsa i përket kontrollit, pa diskutim që ai nuk ka pasur kontroll. Absolutisht nuk kam parë një gjë të tillë, sepse këto elemente nuk e kishin atë strukturë që do ta kishte një organizatë ushtarake normale. Bëhet fjalë për persona, për grupe individësh që luftonin për mbijetesën e tyre”, tha Clark.
Ai theksoi se në këtë rast akuzat ndaj Thaçit nuk janë të qenësishme.
“Jo, akuzat nuk janë të qenësishme”, tha Clark.
Ai tha se mendon se akuzat ndaj Thaçit janë ngritur mbi pretendimet për trafik me organe njerëzore.
“Akuzat të cilat i kisha në mendjen time ishin për shitje organesh. Kam përshtypjen se në periudhën 2007 – 2008 kishte akuza për shitje organesh dhe unë personalisht e konsideroja atë si dezinofrmim”, shtoi Clark.
Clark u pyet gjithashtu se a e di që UÇK-ja e ka identifikuar dikë si komandant të saj.
“Jo, në dijeninë time. Këtë nuk e kam menduar në asnjë moment dhe mënyra se si i kam parë unë gjërat, Çeku ka qenë personi përgjegjës”, tha Clark.
Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë dhe mbrojtjes së Thaçit për dëshmitarin Wesley Clark.
(r.m.)