Clinton: Ndjej përgjegjësi që e kam bindur Ukrainën të hiqte dorë nga armët bërthamore

Uashington, 5 prill 2023 – Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ka thënë se ai ndjehet përgjegjës që, në vitin 1994, i kishte bindur autoritetet ukrainase të hiqnin dorë nga armët e tyre bërthamore. Ai ka thënë se Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën, nëse Kievi do ta kishte ende arsenalin e saj bërthamor.

“Ndjej një përgjegjësi personale, sepse e bëra Ukrainën të pranonte të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore. Tani askush nuk beson se Rusia do të kishte bërë një zgjedhje të tillë, nëse Ukraina do t’i kishte ende ato armë”, ka deklaruar Clinton, në një intervistë për RTE.

Në janar të vitit 1994, Clinton e pati nënshkruar një marrëveshje tripalëshe me presidentët e atëhershëm të Rusisë, Boris Yeltsin dhe me presidentin e Ukrainës, Leonid Kravchuk, për çmontimin e arsenalit të armëve bërthamore strategjike që paten mbetur në territorin ukrainase, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Shtetet e Bashkuara ishin palë edhe në një marrëveshje të nënshkruar të njëjtin vit, që përfshinte zotimin e Rusisë për të respektuar integritetin territorial të Ukrainës, e cila nuk ishte mbështetur nga presidenti aktual. Clinton ka thënë se ai e kishte ditur se presidenti i tanishëm rus, Vladimir Putin, nuk e kishte mbështetur këtë marrëveshje, por kishte qëllim ta bënte Ukrainën të hiqte dorë nga arsenali bërthamor.  

“E dija që presidenti Putin nuk e mbështeti marrëveshjen e presidentit Yeltsin për të mos shkelur kurrë kufijtë territorialë të Ukrainës, një marrëveshje që ai bëri sepse donte që Ukraina të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore”, ka thënë Clinton.

Ai ka theksuar se tashm ëështë e qartë se armët bërthamore do ta detyronin Rusinë të respektonte integritetin territorial të Ukrainës.

“Kur u bë e përshtatshme, presidenti Putin e theu këtë marrëveshje dhe e mori së pari Krimenë. Ndihem tmerrësisht keq për këtë, sepse Ukraina është një vend shumë i rëndësishëm”, ka theksuar ish presidenti amerikan.

Clinton ka thënë se SHBA dhe Bashkimi Evropian duhet ta vazhdojnë mbështeten për Ukrainën.

“Mendoj se ajo që bëri Putin ishte shumë e gabuar dhe mendoj se Evropa dhe SHBA duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën”,ka theksuar Bill Clinton.

(r.m.)