CNN: Tri pyetjet që kërkojnë përgjigje pas marrëveshjes për Gazën

Vetëm 24 orë pas lirimit të pengjeve të fundit nga Hamasi, pamjet prekëse të ribashkimit të familjeve në Izrael kanë bërë xhiron e botës.

Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një fjalimi në Kneset, e quajti këtë moment “agimin historik të një Lindje të Mesme të re”.

Megjithatë, sipas një analize të CNN, janë tri çështje kyçe që do të përcaktojnë nëse marrëveshja do të qëndrojë apo do të rrëzohet.

  1. Çfarë qëndrimi do të mbajë Hamasi?

Në marrëveshjen e fundit për shkëmbim pengjesh, Hamasi e shfrytëzoi armëpushimin për të rimarrë kontrollin e Gazës, për të eliminuar kundërshtarët palestinezë dhe për të përdorur pengjet si mjet propagande. Siç thekson analiza, “dukshëm po ndjek të njëjtin model”, pasi tashmë janë raportuar arrestime të reja të palestinezëve në rrugët e Gazës.

Megjithatë, këtë herë rrethanat janë ndryshe, marrëveshja e re lejon forcat izraelite të qëndrojnë në mbi gjysmën e territorit të Gazës, ndërsa për herë të parë parashikon përfshirjen e forcave të huaja ushtarake për të garantuar që Hamasi të mos rikthehet në pushtet. Marrëveshja gjithashtu ka mbështetje më të gjerë nga shumica e shteteve arabe dhe myslimane, dhe përfshin qartë çarmatimin e Hamasit.

Nëse Hamasi vendos sërish të shënjestrojë civilët, hapësira e tij për veprim do të jetë tepër e kufizuar. CNN nënvizon se rindërtimi i Gazës nuk mund të nisë nëse Hamasi vazhdon të kërkojë pushtet me dhunë.

  1. A po krijohen struktura të përkohshme politike dhe ushtarake?

Suksesi i marrëveshjes varet nga ngritja e shpejtë e një mekanizmi të përkohshëm sigurie dhe qeverisjeje për Gazën. Pa këto struktura, ekziston rreziku real që Hamasi të rifitojë terren dhe të dështojë çdo përpjekje për paqe të qëndrueshme dhe rindërtim.

Pyetjet thelbësore janë: cilat shtete do të dërgojnë trupa në forcën e re paqeruajtëse dhe a mund të krijohet një autoritet i përkohshëm qeverisës pa u zhytur procesi në muaj konfliktesh politike? Një shenjë pozitive është aktivizimi i Komandës Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM), e cila tashmë ka vendosur trupa jashtë Gazës për të monitoruar situatën.

CNN thekson se trupat amerikane nuk do të hyjnë në Gazë, por do të luajnë një rol thelbësor në koordinimin ndërkombëtar dhe grumbullimin e kontributeve financiare. Sa i përket aspektit politik, pjesëmarrja e përfaqësuesve palestinezë në strukturën e përkohshme është një çështje e brendshme, por pa udhëheqjen e SHBA-ve, ekziston rreziku i një bllokade që do të linte një vakuum pushteti që Hamasi do ta shfrytëzonte menjëherë.

  1. A ekziston një plan i qëndrueshëm për rindërtimin?

Rindërtimi i Gazës parashikohet të zgjasë të paktën një dekadë dhe të kushtojë qindra miliarda dollarë. SHBA ka udhëhequr një përpjekje të ngjashme më parë për qytetin e Mosulit në Irak, por rasti i Gazës është edhe më kompleks: nën tokën e saj shtrihen mbi 480 kilometra tunele, ndërtuar përgjatë 20 viteve nga Hamasi.

Rindërtimi kërkon një aleancë globale, të udhëhequr nga SHBA-të, me përfshirjen e palestinezëve që nuk kanë lidhje me Hamasin dhe me financim nga vendet arabe dhe ato perëndimore. Samiti i ardhshëm në Kajro pritet të jetë hapi i parë i koordinimit të kësaj nisme. Suksesi i tij do të matet në bazë të angazhimeve konkrete për fonde dhe një plan veprimi të qartë.

Analiza paralajmëron se, nëse Hamasi ruan kontrollin mbi zonat në veri të vijës së sigurisë izraelite, ai do të jetë pengesa kryesore për çdo përpjekje rindërtimi. Asnjë shtet nuk do të investojë në Gazë për sa kohë ekziston rreziku i rikthimit të Hamasit në pushtet.

(Panorama.al)