Cohen: Trump mendonte se publikimi i historisë së tij me Stormy Daniels do t’ia trondiste fushatën

Nju Jork, 13 maj 2024 – Ish-avokati i Donald Trump-it, Michael Cohen tha të hënën gjatë dëshmisë në gjyq se ish-presidenti ishte i zemëruar për faktin që ish-aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels, po përpiqej ta shiste në vitin 2016 historinë e saj, mbi një takim të dyshuar seksual me të. Zoti Cohen tha se zoti Trump i kishte thënë atij se, nëse historia bëhej publike, do t’i shkaktonte një dëm serioz fushatës së tij për t’u zgjedhur.

“Ai më tha se, do të ishte një katastrofë totale për fushatën. Gratë do të më urrejnë”, tha zoti Cohen gjatë dëshmisë së tij në gjyqin penal ndaj ish-presidentit Trump në Nju Jork.

Zoti Cohen, dëshmitari kyç i prokurorisë, tha se kishte mësuar se zonja Daniels po përpiqej të shiste historinë e saj, në një moment kritik për kandidimin e zotit Trump për Shtëpinë e Bardhë. Ky zhvillim erdhi sipas tij pas publikimit të një regjistrimi audio nga emisioni televiziv “Access Hollywood” gjatë të cilit zoti Trump, dëgjohej tek mburrej se mund “t’i kapte gratë prej organeve gjenitale të tyre”.

Publikimi i kasetës vetëm disa javë përpara zgjedhjeve, shqetësoi zyrtarët e fushatës së ish-kandidatit Trump, të cilët kërkonin të minimizuar dëmin.

Në qendër të gjyqit është shuma prej 130,000 dollarësh, me të cilën zoti Cohen pagoi zonjën Daniels, për të siguruar heshtjen e saj për marrëdhënien e dyshuar seksuale me zotin Trump.

Më pas sipas prokurorëve zoti Trump e rimbursoi zotin Cohen dhe pagesën e regjistroi si shpenzim ligjor të kompanisë, që sipas prokurorëve përbën shkelje ligjore.

Sipas akuzës ky mashtrim me të dhënat e biznesit i bërë me synimin për të ndikuar fushatës zgjedhore përbën krim penal. Po sipas tyre zoti Trump ka shkelur ligjin zgjedhor dhe ligjet e shtetit të Nju Jorkut për taksat.

Ndaj ish-presidentit rëndojnë 34 akuza, që nga ato për kundërvajtje, e deri në vepra penale të dënueshme me deri katër vjet heqje e lirie.

Prokurorët thonë se pagesa për zonjën Daniels nuk është e vetmja që është bërë për të mos dëmtuar ish-kandidatin në fushatën elektorale. Një tjetër grua, ish- modelja e revistës ‘Playboy’ Karen McDougal po ashtu është paguar nga ish-botuesi i tabloidit ‘National Enquirer’, David Pecker, me 150 mijë dollarë për të mbajtur në heshtje marrëdhëniet e saj me zotin Trump.

Prokuroria thotë se zoti Trump, zoti Cohen dhe zoti Pecker, kishin ranë dakord të zbatonin një skemë për të hequr nga qarkullimi çdo histori të mundshme negative që mund t’i dëmtonte zotit Trump imazhin, para zgjedhjeve presidenciale.

Sipas zotit Cohen, në qershor 2016, një muaj përpara Konventës Kombëtare Republikane, ai kishte mësuar nga tabloidi se ish-modelja e revistës ‘Playboy’ Karen McDougal, po kërkonte të shiste të drejtat e historisë së saj, për një lidhje të dyshuar njëvjeçare që ajo thoshte se kishte pasur me zotin Trump.

Dhe se ky i fundit (Donald Trump) i kishte zotit Cohen: Sigurohu që kjo gjë të mos publikohet.

Juria dëgjoi dhe një regjistrim që zoti Cohen i kishte bërë një prej telefonatave të tij me zotin Trump gjatë së cilës e pyeste: “Sa duhet të paguajmë për këtë? 150?”

Sipas zotit Cohen, zoti Trump po i referohej sasisë së parave që nevojitej për të rimbursuar zoti Pecker, për pagesën prej 150,000 dollarësh bërë zonjës McDougal, për të marrë të drejtat ekskluzive të historisë së saj.

Zoti Trump dëgjohej në regjistrim tek e udhëzonte zotin Cohen që të paguante me para të thata, për të cilën zoti Cohen tha se bëhej “për të shmangur lënien e gjurmë në dokumente zyrtare”.

Zoti Trump është deklaruar i pafajshëm dhe mohon të ketë patur marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels. Ai e quan çështjen ndaj tij, një përpjekje të motivuar politikisht për ta penguar atë ndërsa rikandidon për Shtëpinë e Bardhë.

Në një tubim politik në Nju Xhersi të shtunën në mbrëmje ai e cilësoi prokurorin e çështjes Alvin Bragg, një njeri të korruptuar.

Për rreth një dekadë, 57 vjeçari Michael Cohen, ka punuar si drejtues ekzekutiv dhe avokat në kompaninë e pasurive të patundshme të zotit Trump me bazë në Nju Jork. Ai njihej si njeri besnik i tij dhe një një rast ai ka deklaruar se ishte i gati “të merrte dhe plumbin” për zotin Trump.

Të premten, gjykatësi Juan Merchan u kërkoi prokurorëve që t’i kërkojnë zotit Cohen të ndalë deklaratat publike në lidhje me çështjen, pas kërkesës së avokatit mbrojtës t zotit Trump, Todd Blanche, i cili u ankua se zoti Cohen, kishte folur në mediat sociale ndërsa mbante veshur një bluzë ku zoti Trump shfaqej pas hekurave.

Ish-avokati personal i zotit Trump, që nga momenti që ky i fundit mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2017, u nda me të, kur prokurorët federalë nisën të hetojnë fushatën presidenciale të zotit Trump në vitin 2016. Prej atij momenti zoti Cohen u kthye në një nga kritikët më të hapur të zotit Trump.

Në vitin 2018 zoti Cohen u deklarua fajtor për shkelje të ligjit federal mbi financimin e fushatës, lidhur me pagesën për zonjën Daniels. Ai ka dëshmuar se ishte zoti Trump ai që e kishte udhëzuar atë ta paguante ish-aktoren e filmave për të rritur. Por prokurorët e asaj çështjeje federale, nuk ngritën akuza ndaj zotit Trump, për kryerje të ndonjë shkeljeje penale.

Gjatë procesit gjyqësor avokatët mbrojtës të zotit Trump kanë goditur besueshmërinë e zotit Cohen, duke e paraqitur atë si një gënjeshtar dhe një njeri të cilit nuk mund t’i besohet. Mbrojtja thotë se zoti Cohen e pagoi vetë zonjën Daniels dhe se klienti i tyre nuk ka të bëjë me pagesat që janë në qendër të këtij procesi gjyqësor.

Zoti Cohen ka pranuar se ka gënjyer nën betim disa herë, duke i dhënë mundësi mbrotjes së zotit Trump, ta përdorë këtë fakt për për të minuar besueshmërinë e tij.

Ai ka pranuar se në vitin 2017 ka gënjyer Kongresin për një projekt në fushën e pasurive të paluajtshme të organizatës Trump në Moskë, që më vonë tha se e kishte bërë për të mbrojtur zotin Trump.

Ai gjithashtu është deklaruar fajtor për shkeljen e ligjit mbi taksat në vitin 2018, por tashmë thotë se nuk e ka kryer atë krim.

(Zëri I Amerikës)