Conde Nast Traveler: Kosova është ndër vendet që duhet vizituar më 2024

Conde Nast Traveler, një revistë shumë e njohur për udhëtime, e ka përfshirë Kosovën në listën e vendeve më të bukura në Evropë që duhet të vizitohen gjatë vitit 2024.

Përzgjedhja e vendeve evropiane u bë sipas sugjerimeve të ekspertëve të revistës që i kanë vizituar vendet ë ua sugjerojnë edhe të tjerëve.

“Kosovës së vogël i mungojnë plazhet mahnitëse të Shqipërisë dhe resortet luksoze të Malit të Zi, por shteti më i ri i Evropës ka maja të mrekullueshme, pejzazhe mahnitëse dhe mikpritje që të ngroh zemrën, një kombinim ideal për ecje shumëditore dhe për udhëtime me biçikletë”, shkruan Naomi Tomky.

Ajo i përshkruan bukuritë natyrore të Kosovës, duke veçuar Bjeshkët e Nemuna, pejzazhet e maleve dhe kullosave të zones së Rugovës, burin dhe ujëvarën e Drinit të Bardhë, shpellën e Radacit, rrjedhën e Lumbardhit, etj.

Conde Nast Traveler e afirmon edhe shtegun e ri të çiklizmit Trans Dinarica që pritet të hapet në vitin 2024, duke bërë të ditur se ky shteg do të lidhë destinacione të ndryshme të bukura në Kosovë.

Revista e lavdëron edhe ushqimin tradicional shqiptar, duke theksuar se flija është një ushqim që duhet ta provojnë të gjithë vizitorët.

Nuk është hera e parë që Kosova përfshihet në listat e vendeve të rekomanduara për vizitë, pasi mediume të tjera, si The Guardian, kanë promovuar Kosovën si destinacionin e ardhshëm për turistët.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, dhe Kryeministri Albin Kurti e kanë shpëndarë në rrjetin social X shkrimin e revistës. Conde Nast Traveler.

Presidentja Osmani u bëri thirrje të gjithë dashamirësve të udhëtimeve që ta vizitojnë Kosovën.

Edhe Kryeministri Kurti e ka shfrytëzuar rastin të afirmojë ofertën turistike të Kosovës.

“Mezi presim t’i tregojmë botës se çfarë mund të ofrojë vendi ynë”, shkroi Kurti.

Revista Conde Nast Traveler u sugjeroi lexuesve të saj edhe disa vende të tjera në Evropë që duhet vizituar gjatë vitit 2024.

(r.m.)