Prishtinë, 14 maj 2025 – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi të mërkurën në Prishtinë se heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është e kushtëzuar me shtensionimin e situatës në veri të vendit. Ai uroi që shtensionimi të ndodhë sa më shpejt dhe këto masa të hiqen.
“Siç e dini këto masa lidhen me nevojën për t’i ulur tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Uroj që sa më shpejt do të ndodhë ky shtensionim. Pas shtensionimit mund të ecim përpara dhe t’i heqim masat”, tha Costa në konferencën e përbashkët për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionuar situatën dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane dhe për t’u angazhuar në dialogun e Brukselit”, shtoi ai.
Costa e cilësoi zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor si “investimin më të madh gjeopolitik” të BE-së.
“Është një mundësi e madhe për Ballkanin Perëndimor dhe është thelbësore që të vazhdohet me agjendën e reformave dhe të përfitohen benefitet e saj. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në dobi të qytetarëve dhe ky proces është jetik për rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Costa.
Ndërsa Presidentja Osmani, ndër të tjera, tha se Kosova i ka përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave.
“Kur janë marrë masat janë paraqitur një sërë kërkesash, të cilat kanë përfshirë rikthimin në tavolinën e dialogut, gjë që ka ndodhur, krijimin e një baze të re ligjore për zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore, gjë që ka ndodhur, dhe organizimin e zgjedhjeve atje, gjë që ka ndodhur”, tha ajo.
Osmani tha se, megjithatë, e kupton që konsensusi brenda BE-së është “i ndërlikuar” dhe se Kosova duhet të angazhohet për të punuar me secilin shtet anëtar për t’i bindur për heqjen e masave.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, të cilin BE-ja e ndërmjetëson nga viti 2011, Osmani tha se shpreson se do të sjellë “frymë të re” me emisarin e ri Peter Sorensen.
“Shpresojmë që do të sjellë frymë të re me qasje të balancuar dhe trajtim të barabartë. Ne duam që ky proces duhet të përfundojë me njohje që ndërsjellë”, tha Osmani.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Antonio Costa do të pritet në takim edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Presidenti i Këshillit Evropian arriti në Kosovë në kuadrin e një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai arriti në Prishtinë nga Podgorica, ndërsa të martën ishte në Beograd dhe në Sarajevë.
Në Beograd, ai theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe se po aq i rëndësishëm është edhe dënimi i qartë i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Ndërkaq në Sarajevë, shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet secenioniste të Republikës Sërpska”, të cilat i vlerësoi si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjës e Hercegovinës.
Pas Kosovës, Antonio Costa do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë.
(r.m.)