Shkup, 2 qershor 2026 – Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, deklaroi sot në Shkup se miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet rruga e vetme për fillimin formal të negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
“Miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet mënyra e vetme për fillim formal të negociatave. Kjo është mënyra e vetme për hapjen e të gjitha përfitimeve nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, tha ai në konferencën e përbashkët për medie me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Miskoski.
Costa e përshëndeti përparimin në zbatimin e agjendës së reformave dhe theksoi se BE-ja mbetet investitori më i madh dhe partneri më i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë së Veriut dhe mbarë Ballkanit Perëndimor.
“Bashkimi Evropian është partneri më i sigurt i Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë së Veriut. Fuqia për të formësuar ardhmërinë është në duart tuaja. Mënyra e vetme për të arritur përparim drejt integrimit evropian është përmes dialogut konstruktiv me fqinjët, përmes ndërmarrjes së hapave pragmatikë për ndërtimin e besimit dhe zbatimit të reformave të domosdoshme”, tha Costa.
Ndërkaq, kryeministri Mickoski tha se Maqedonia e Veriut mbetet i përkushtuar në drejtim të integrimit në Bashkimit Evropian. Ai tha se vendi i tij nuk pret privilegje, por vlerësim objektiv të përmbushjes së kritereve.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë rregulla të lehtësuara dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa atë që u takon edhe të tjerëve. Kërkojmë një proces kredibil dhe të parashikueshëm, në të cilin reformat, puna dhe obligimet e përmbushura do të vlerësohen realisht”, tha Mickoski.
Ai tha se vendi i tij do të vazhdojë me reformat dhe do të mbetet partner konstruktiv i Bashkimit Evropian, me qëllim që e ardhmja evropiane të ndërtohet mbi besimin e ndërsjellë, respektin dhe parimet e qarta.
“Besoj se dinjiteti, identiteti dhe qëndrueshmëria ndaj parimeve nuk duhet të jenë pengesë për perspektivën evropiane. Ato janë pjesë përbërëse e saj”, theksoi ai.
(r.m.)