Tiranë, 15 maj 2025 – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi të enjten në Tiranë se Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, ndoshta edhe më herët.
“Nuk po këkroj ndonjë datë në vetëvete, por ne do të shikojmë dita ditës se çfarë po bën Shqipëria, cilat do të jenë arritjet. Sapo të përfundojmë procesin, në atë moment ajo [Shqipëria] do të bëhet shtet anëtare e Bashkimit Evropian, pse jo dhe më parë, përpara 2030. Nëse do vazhdojjë me këto rezultate, atëherë është tërësisht e mundur që të bëhet anëtare para vitit 2030, Kjo varet nga ecuria e saj. Mesazhi im është që në muajt në vijim dhe në vitet ne vijim, jam i sigurt se mund të bëni një punë të shkëlqyer. Jam i sigurtë se vitin tjetër, kur të vij sërish, që nuk do të më bëni të njëjtën pyetje”, u shpreh Costa, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Costa tha se zgjerimi në Ballkanin Perwndimor wshtw investim i rwndwsishwm i Bashkimit Evropian.
“Zgjerimi në Ballkanin Perwndimor është një investim i rëndësishëm që po bëjmë. Është momenti i duhur që ta arrijmë këtë”, u shpreh ai.
Presidenti i Këshillit Evropian tha se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të jenë dy fokuset kryesore për Shqipërinë.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është investimi ynë i përbashkët. Ju e dini se çfarë duhet bërë. Ajo që dëshiroj të bëj është t’ju inkurajoj të mbani fokusin drejt objektivit. Dy çështje janë kyçe: sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit”, theksoi ai.
Ndërsa Rama tha se Shqipëra është e vendosur të përmbushë të gjitha detyrat që kërkohen për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Ai e cilësoi këtë si “një histori dashurie”.
“Unë personalisht nuk e kam humbur asnjëherë besimin, por gjithmonë kam thënë që kjo është një histori dashurie, deri kur ana tjetër do ta ndiejë nevojën për ty, ti duhet të mos dorëzohesh. Dhe duhet të jesh gati në momentin, kur ana tjetër do ta hapë dritaren mbasi ti rri këndon poshtë dritares me vite të tëra, bën serenata,e dritarja nuk hapet. Kështu që, tani, dritarja është hapur, çarçafi është hedhur poshtë, ne të dashuruarit tani duhet të ngjitemi, duke pasur parasysh që dritarja mund të mbyllet nëse nuk arrijmë të ngjitemi me shpejtësinë e nevojshme. Kjo është pak a shumë panorama”, u shpreh Rama.
(r.m.)