Beograd, 4 janar 2026 – “Presidenti i Serbisë është i frikësuar”, shkruan gazeta e pavarur e Beogradit “Danas”.
“Nga fjalimi i tij pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilën e thirri pas sulmit amerikan në territorin e Venezuelës dhe arrestimit të presidentit Nicolas Maduro, shihet se ai frikësohet se kjo mund t’i ndodhte atij. Duke folur për një sulm të mundshëm ndaj Serbisë nga rajoni, gjegjësisht për forcimin e forcave mbrojtëse të vendit, ai e inkurajoi elektoratin e tij, por edhe veten e tij”, shkruan ”Danas”.
Dy figura të njohura publike në Serbi, kritikë ndaj regjimit në Serbi, kanë thënë se Vuçiqi “është veçanërisht i shqetësuar nga deklaratat evropiane se veprimi kundër Nicolas Maduros është i ligjshëm, sepse ai vetë është president i paligjshëm, sepse i ka vjedhur zgjedhjet dy herë”.
Ata kanë theksuar se Venezuela “është një pasqyrë e pasigurisë së brendshme të regjimit të Vuçiqit” dhe se presidenti i Serbisë “e përdor frikën si mjetin kryesor politik në raport me popullin e vet”.
Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka thënë se Venezuela është edhe pasqyrë e pasigurisë së brendshme të regjimit të Vuçiqit.
“Retorika dramatike, kërcënimet e vazhdueshme me faktorë të jashtëm dhe militarizimi i shoqërisë tregojnë se qeveria po e ka gjithnjë e më të vështirë ta ruajë legjitimitetin dhe se përdor frikën si mjetin e saj kryesor politik. Kur thotë se ‘rregullat ndërkombëtare nuk zbatohen më’ dhe se Karta e OKB-së ‘nuk funksionon fare’, Vuçiqi e krijon një imazh të një bote ku sundon e drejta e të fortit, një botë ku shtetet e vogla bëhen lehtësisht viktima, pavarësisht ligjit. Ironikisht, vetë Serbia e zbaton një logjikë të ngjashme. Ajo me dekada e ka destabilizuar rajonin me ambiciet e saj territoriale, kurse tani me idenë për ‘Botë Serbe’”, ka thënë ajo.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiq kujtoi ekstradimin e Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën e Hagës, gjykimin e Vojisllav Sheshelit në këtë gjykatë, vrasjen e presdidentit të Libisë Moamer el Gadafi dhe rrëzimin e Presidentit të Sirisë, Bashar as Asad.
Sonja Biserko ka thënë se përmendja e Millosheviqit, Gadafit dhe Asadit e zbulon qëndrimin e tij të vërtetë ndaj fateve të tyre, sidomos të Millosheviqit.
“Sipas Vuçiqit, Millosheviqi nuk është fajtor për luftëra dhe për krime lufte, por ‘viktimë e fuqisë globale’. Me një narrativë të tillë, çdo kritikë ndaj regjimit të tij bëhet pjesë e gjoja ‘konspiracionit të jashtëm’ dhe mesazhi i tij është i qartë: ‘qeveria është vazhdimisht e kërcënuar’. Paralajmërimet e tij për dyfishim të kapacitetit ushtarak, për rritjen e numrit të trupave dhe për krijimin e rezervave të ushqimit dhe ujit shërbejnë për të siguruar politikën. Në mënyrë kontradiktore, Vuçiq thotë njëkohësisht se “nuk ka rrezik nga agresioni” por insiston për rritje të armatimit. Qëllimi i tij nuk është mbrojtja, qëllim i tij është mobilizimi politik dhe forcimi i kontrollit mbi shoqërinë”, ka thënë ajo.
Vuçiq ka thënë se bashkëpunimi ushtarak i Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përbën “kërcënim të hapur” për Serbinë. Sonja Biserko ka thënë se Vuçiqi ka dashur t’i përcjellë një mesazh faktorit ndërkombëtar,
“Ky është një mesazh i qartë për bashkësinë ndërkombëtare dhe do të thotë se ‘presioni mbi Beogradin mund ta destabilizojë të gjithë rajonin’. E gjitha reduktohet në narrativën historike mbi rrezikimin e Serbisë dhe mbi ‘domosdoshmërinë e një lidershipi të fortë’ në Serbi”, është shprehur Biserko.
Ajo ka thënë se kjo retorikë e Vuçiqit është përpjekje e tij për legjitimimin e pushtetit të tij autoritar.
“Një retorikë e tillë e legjitimon autoritarizmin dhe mbështetetet në pjesën e publikut me orientim antiperëndimor dhe prorus. Pasoja e saj është izolimi i mëtejmë i Serbisë nga perspektiva evropiane, e cila edhe ashtu ka qenë vetëm retorike, por kurrë nuk ka qenë e sinqertë dhe i ka shërbyer ekskluzivisht mbështetjes financiare të BE-së dhe jo vlerave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”, ka thënë Biserko.
Edhe ish-diplomati Nebojsha Vujoviq ka thënë se pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare është parë qartë se Vuçiq është i frikësuar.
“Frika i ishte hyrë deri në palcë”, ka thënë Vujoviq për “Danas”.
“Politika e jashtme e shthurur e Vuçiqit u shemb si një kështjellë prej letrash”, ka shtuar ai.
“Ai e shkelte syrin si starletë dhe dërgonte dhurata në të katër anët e botës… Ai i mbulonte fuqitë botërore me dhurata dhe me premtime të rreme boshe. Por, i shkeli vijat e kuqe, mbeti pa qilimat me lule dhe karriget e protokollit. Prandaj mbeti pa mbështetje, si “njeriu i fundit që qëndronte në erë”. Gënjeshtra ka këmbë të shkurtra dhe ambiciet jorealiste i joshin krokodilët dhe fuqitë botërore”, ka thënë ai.
“Megjithatë, ai e braktisi shpejt mësimin që e mori nga gabimet e Millosheviqit dhe ja i veshi këpucët e tij”, është shprehur Vujoviq, ndër të tjera.
(r.m.)