Danubi nuk është edhe aq blu

Si u zbulua për herë të parë përpjekja serbe për të fshehur gjurmët e krimeve në Kosovë

Nga Ruben Avxhiu

Në 20 mars 1999, në Serbi, në vendin e quajtur Tekije, një dëshmitar pa disa njerëz që hodhën në Lumin Danub, një kamion-frigorifer, një nga ato automjete që shërbejnë për transportin e mallrave që uhet të ruhen në temperature të ulta.
Në 6 prill 1999, policia lokale në Kladovë ftoi një zhytës profesionist që të zbulonte nën ujin e lumit të famshëm, nëse informacioni për kamionin e zhytur ishte i vërtetë.
Zhivadin Gjorgjeviq mbahej më këtë punë, duke shpëtuar njerëz e mjete që binin në ujë. Por asgjë që kishte parë në jetën e tij nuk e kishte përgatitur për një gjë të tillë: “Këputa zinxhirin që mbante hapur derën e frigoriferit. Trupa gjysëm të zhveshur u shfaqën menjëherë. Pleq e të rinj”, tregoi dy vjet më vonë ai për gazetat serbe.
Një ndërhyrje nga ministria e Brendshme e Serbisë, bëri që policia në Kladovë të mbyllë hetimet për frigoriferin e gjetur, ndonëse tmerri që fshihej aty ishte parë tashmë, jo vetëm nga zhytësi profesionist, por nga policë, hetues gjykatës e gazetarë që ishin mbledhur nga detyra por edhe kurioziteti për të parë se çfarë fshihej në frigoriferin e bardhë të tipit Mercedes.
Ishte koha e luftës në Kosovë dhe NATO sapo kishte nisur bombardimet. Policia lokale pranoi të mbyllte dosjen, të fshihte trupat e gjetur dhe të shkatëronte automjetin me të cilin ishin transportuar. Një operacion të cilin e kreu në Petrovo Selo.
Edhe media e censuruar heshti për këtë ngjarje.
Vetëm dy vjet më vonë, një gazetë e vogël me emrin “Timocka Krimi Revija” (Revista e Krimeve e Timokut) zbuloi për lexuesit e saj serbë ngjarjen macabre dhe rolin e autoriteteve serbe në fshehjen e krimeve të luftës.
Ishte viti 2001, lufta kishte mbaruar dhe Kosova dukej tashmë e humbur. Kësaj here media serbe nuk duroi dot pa gërvishtur disi të vërtetën. Ishte hera e parë dhe mbetet një nga të rrallat që në median e Beogradit u fol hapur për krimet e tmerrshme që Serbia ka kryer në Kosovë.
Në përgjithësi opinion serb është mbajtur injorant për të vërtetën në Kosovën. Përpjekjet si në këtë rast për të zbuluar të vërtetën nuk janë pritur mirë. Shumica e njerëzve tashmë refuzojnë të pranojnë një version tjetër përveç të “vërtetës” me të cilën janë ushqyer për gati dy dekada nga propaganda shtetërore dhe pro-nacionaliste serbe.
Por zbulimi I ngjarjes së frigoriferit lëvizës është gjithësesi historik. Ai hodhi dritë për herë në parë në procesin e fshehjes së organizuar të gjurmëve të krimit në Kosovë.
Një program emrin e koduar “Depths2” (Thellësitë2) është miratuar në kohën e luftës nga regjimi I Millosheviçit, nën mbikqyrjen e tij personale por me pjesëmarrjen e komandantëve të policisë dhe ushtrisë për fshehjen e krimeve në Kosovë. Veprimtaria kryesore e këtij procesi ishte transportimi I trupave të civilëve të vrarë nga Kosova në Serbi për t’u fshehur përkohësisht në mos shkatërruar deri në mosnjohjes. Millosheviçi ishte i vendosur për të mos lejuar zbulimin e një Reçaku apo Srebrenice të re.
Zbulimi I ngjarjes me frigoriferin në Kladovë, riorientoi kërkimet e pasluftës për njerëzit e humbur.
Samantha Powers që sot është Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në OKB ka shkruar për këtë ngjarje dhe procesin e zbulimit që vijoi pas tij në librin e saj, “Një problem nga Ferri: Amerika në Epokën e Genocidit”.
Gjëja e parë që i kishte rënë në sy notuesit profesionist ishte një “grua e bukur, gjysëm e zhveshur me flokë të zinj” e pastaj dy fëmijë që nuk mund të ishin më shumë se 8 vjeç.
Powers tregon se ngjarja nndihmoi në hedhjen dritë të të vërtetës sesi Millosheviç kishte urdhëruar ministrinë e Brendshme për të fshehur gjurmët e krimit në Kosovë.
Gazetari Christopher Hitchens, një nga mbështetësit e flaktë të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kishte marrë, në atë kohë një letër nga një ish-student I tij serb, I cili, ndonëse e urrente Millosheviçin, ishte edhe kundër NATO-s.
Ai I kishte treguar se si një kushëri I familjes që punonte si shofer kamioni për udhëtime të gjata u kishte treguar se po transportonte trupa shqiptarësh nga Kosova në Serbi. Në atë kohë, Hitchens ndonëse e kishte parë si një shembull se kishte të drejtë për shkrimet e tij, kishte vendosur të mos e botonte letrën nisur nga parimi se në kohë lufte ka gjithnjë informacione që në fund zbulohen se kanë qenë thashetheme të fryra.
Por ai iu rikthye çështjes menjëherë pasi historia në Kladovë u përmend nga media serbe. Historia e studentit të tij kishte qenë e vërtetë.
Ai citon “njeriun që zbuloi kamionin Zhivadin Gjorgjeviq të intervistuar nga Radio B92 në Beograd: Ishte një maune Mercedes — emri një makine për përpuqnimin e mishit nga Peja ishte shkruar në gjuhën shqipe mbi kabinë. Targat ishin gjithashty nga Peja… Kur e nxorrëm dyert e frigoriferit u hapën dhe trupat filluan të dalin. Kishte shumë trupa grash, fëmijësh dhe pleqsh. Disa gra ishin me shallvare, disa fëmijë e pleq ishin lakuriq”.
Ndonëse, pak është bërë që lajme të tilla të transformojnë mënyrën sesi Serbia e sheh luftën në Kosovë, nuk mund të thuhet se zbulimi i këtij rasti nuk pati sukses.
Përkundrazi, ai përbën një hap të parë të rëndësishëm që do të marrë shumë më tepër vlerë nëse Serbia arrin vërtet një ditë të reflektojë seriozisht për krimet e saj në Ballkan në mënyrë të ngjashme me reflektimin që ndodhi në Gjermani në pas Luftës së Dytë Botërore.
Ministri i Brendshëm i asaj kohe pranoi publikisht se “ky rast do të na japë një pamje tërësisht të ndryshme të të ashtu-quajturve patriotë”. Për fat të keq sot shumë prej njerëzve të përfshirë në krime trajtohen e hiqen si patriotë në Serbi. Të tjerë, kanë veshur petkun e të moderuarit e pro-europianit por ende heshtin për krimet në Kosovë, të zbuluara e të pazbuluar. Ato krime nuk mund të mbahen të ngrira përjetë në të errësirën e të kaluarës. Pak nga pak do të dalin mbi ujë, e do të dëshmojnë shëmtinë e atij shpirti që ende jeton në shoqërinë e sotme serbe.