DASH e e vlerëson vendimin e Kosovës që IRGC-në ta shpallë organizatë terroriste

Uashington, 24 prill 2026 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vlerësuar angazhimin e Kosovës në luftën kundër terrorizmit.

Byroja për Kundërterrorizëm në Departamentin Amerikan të Shtetit e ka vlerësuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) të shpallet organizatë terroriste.

Kjo byro e cilësoi këtë vendim të Qeverisë së Kosovës si tregues të përkushtimit të Kosovës ndaj sigurisë ndërkombëtare dhe luftës kundër terrorizmit.

“Faleminderit Kosovës për qëndrimin kundër terrorizmit dhe për shpalljen e IRGC-së si organizatë terroriste”, shkruan DASH në platformën X.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit mori vendim që Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) të trajtohet si organizatë terroriste në territorin e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim synon forcimin e bazës ligjore dhe strategjike të vendit në raport me sigurinë ndërkombëtare dhe luftën kundër terrorizmit.

“Ky propozim vendim paraqet bazën ligjore dhe strategjike për shpalljen e trupave të Gardës Revolucionare Islamike si organizatë terroriste në Republikën e Kosovës. IRGC-jq është identifikuar si një strukturë që përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuar në destabilizimin rajonal dhe global. Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Është një pozicion i qartë i Kosovës dhe të aleatëve të saj në luftën e përbashkët në luftën kundër terrorizmit”, tha Kurti.

(r.m.)