Uashington, 19 korrik 2024 – Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Shqipëria vazhdon të ruajë qëndrueshmërinë e saj makroekonomike, pavarësisht tre goditjeve të njëpasnjëshme siç ishin: tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19 dhe ndikimet ekonomike të agresionit rus në Ukrainë. Pas një tkurrjeje prej 3.5 për qind në vitin 2020, ekonomia e Shqipërisë u rikuperua, duke u rritur me 8.9 për qind në vitin 2021, 4.9 për qind në 2022, me vlerësime që e vendosin rritjen e vitit 2023 në 3.4 për qind.
Në raportin e përvitshëm për klimën e investimeve, Departamenti amerikan i Shtetit thekson se megjithatë, zhvillimi ekonomik i Shqipërisë mbetet i cenueshëm nga korrupsioni i përhapur, konkurrenca e pandershme, sektori joformal dhe mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore.
“Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë përparim në kufizimin e korrupsionit në nivel të ulët, duke digjitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Megjithatë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm, përfshirë në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe joformale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri”, thuhet në raport, në të cilin theksohet se emigrimi i fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar ka krijuar mungesë të fuqisë punëtore që ndikon në perspektivat e investimeve.
Raporti kujton se Shqipëria vazhdon të qëndrojë keq në treguesit e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International. Në vitin 2023, Shqipëria renditej në vendin e 98 nga 180 vende, një përmirësim i lehtë nga viti 2022, por ende prapa renditjes së saj më të mirë të vitit 2016, kur u rendit e 83-ta.
Shqipëria vuan nga një sektor i madh joformal dhe nga veprimtaritë e pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar (FATF), një organizatë ndërqeveritare e themeluar me iniciativën e G7-tës, e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në 2020. Nga viti 2020-2022, vendi iu nënshtrua katër raporteve vijuese dhe përmirësoi punën duke çuar në heqjen nga lista gri në tetor të vitit 2023.
Komuniteti i biznesit raporton se vala e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni, dëmton konkurrencën në treg. Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët raportojnë se ata mund të jenë objektiv i zhvatjes nga administrata publike, media dhe grupet kriminale, thuhet në raport.
“Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Investitorët raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri”, thuhet në raportin e DASH-it në të cilin theksohet se “përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka ulur mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë”.
Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme.
“Investitorët amerikanë hasin në sfida për shkak të korrupsionit dhe vazhdimësisë së praktikave joformale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare me entitete publike dhe private, përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport.
DASH-i thekson se të drejtat e pronësisë vazhdojnë të paraqesin sfidë në Shqipëri, sepse është vështirë të merret një certifikatë pronësie e pakontestuar.
“Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë në mënyrë të paligjshme një titull për pronësinë e tokës. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish regjimi komunist vazhdon të jetë i vështirë, joefikas dhe i pamjaftueshëm. Qeveria ka shfaqur vullnet për të trajtuar këtë problem, por pa përparim”, thuhet në raport.
DASH-i përmend faktin që Shqipëria ndërmori reformën në drejtësi për të luftuar korrupsionin sistemik, duke theksuar se vendi “ka organe funksionale dhe të pavarura kundër korrupsionit, duke përfshirë Zyrën e Prokurorisë së Posaçme (SPO) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (NBI), pjesë e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Reforma në drejtësi mbështetet shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe zbatimi është në vazhdim, me pritshmëri që suksesi i saj të përmirësojë përfundimisht klimën e investimeve në vend”.
(Zëri i Amerikës)