Uashington, 11 janar 2024 – Departamenti i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave “Javelin” për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh.
.@StateDept 🇺🇸 authorized a proposed Foreign Military Sale #FMS to 🇽🇰 Kosovo for Javelin Missiles with an estimated cost of $75 million. #FMSUpdate — https://t.co/syU82nZRd6 pic.twitter.com/6cPkr7fKzR
— Political-Military Affairs, US Dept of State (@StateDeptPM) January 11, 2024
Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet se Kosova ka kërkuar blerjen e 24 sisteme lëshimi raketash “Javelin” dhe 246 raketave “Javelin FGM-148F”.
Në këtë shitje do të përfshihen gjithashtu edhe elementët logjistikë të stërvitjes dhe përdorimit të tyre dhe vlera e përgjithshme llogaritet të jetë 75 milionë dollarë.
“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Tani kërkesa i shkon Kongresit amerikan që shqyrton shitjen e armëve për vendet e huaja.
“Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare”, thuhet në njoftimin e agjencisë së Departamentit të Shtetit për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas njoftimit, shitja e propozuar e sistemeve “Javelin” nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.
Forca e Sigurisë së Kosovës konfirmoi të enjten në mbrëmje se Qeveria e Kosovës ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për blerje ushtarake përmes programit FMS (Shitjet e Huaja Ushtarake).
Ne kuadër të këtij programi, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, “parashihen blerjet ushtarake duke përfshirë sistemin raketor antitank ‘Javelin’ por dhe sisteme tjera te armatimit”.
Për sistemin “Javelin” është dërguar kërkesa dhe për këtë blerje ministri (Ejup) Maqedonci ka diskutuar me Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara gjatë vizitës së tij zyrtare. Sipas informacioneve publike që kemi marrë, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, tha këshilltarja Gashi.
Më herët gjatë ditës ambasadori amerikan në Serbi, Chris Hill, e njoftoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, se Shtetet e Bashkuara e kishin pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketahedhës antitank “Javelin”.
Siç tha ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Prishtinës, Kongresit Amerikan, nga ku fillon procedura zyrtare.
Në një njoftim, presidenca serbe tha se presidenti Vuçiq shprehu “zhgënjimin e thellë” ndaj kësaj shitjeje të pritshme, por theksoi se do të punojë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.
“Për ne është me rëndësi që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për qëndrueshmërinë në Ballkan”, citohet të ketë thënë presidenti serb.
Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës e miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 5 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.
Sistemet “Javelin” për Kosovën do të sigurohen përmes kompanive “Lockheed Martin” në Orlando të Floridës dhe “Raytheon Missiles dhe Defense” në Tukson të Arizonës.
(Zëri i Amerikës)