DASH shpreh gatishmërinë për rifillimin e dialogut strategjik me Kosovën, por kërkon veprime konkrete nga qeveria e re

Prishtinë, 8 janar 2026 – Departamenti amerikan i Shtetit pret që Kosova të bëjë hapa konkretë në forcimin e bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re në Kosovë.

Në një përgjigje për televizioni Tëvë1 të Kosovës, Departamenti i Shtetit ka shfaqur shpresën se do ta forcojë partneritetin me qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe do të rifillojë dialogun strategjik i cili u pezullua në vitin 2025.

“Shpresojmë të forcojmë partneritetin tonë me qeverinë e ardhshme të Kosovës, përfshirë edhe rifillimin e dialogut tonë strategjik. Megjithatë, arritja e kësaj do të kërkojë veprime që çojnë përpara agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, thuhet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, duke folur lidhur me këtë temë, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë edhe në mandatit e ardhshëm bashkëpunimin me aleatët, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne kemi komunikim të rregullt me Departamentin e Shtetit dhe me ambasadën amerikane në Kosovë në mënyrë që çdo çështje të adresohet dhe të punojmë bashkë për tema dhe çështje me interes të përbashkët. Në mandatit tonë të parë kemi bashkëpunuar ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit. Aleanca, partneriteti, dhe miqësia jonë kanë bazën e fortë te qëllimet, vlerat dhe orientimin që ndajmë. Si qeveri e rizgjedhur dhe rilegjitimuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, do të vazhdojmë të punojmë bashkë me miqtë dhe aleatët tanë, sidomos me SHBA-të, që të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet dhe partneritetin mes shteteve tona”, ka thënë Kryeziu.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pezulluan dialogun strategjik me Kosovën pasi Qeveria e Kosovës veproi në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultime me vendet e QUINT-it në pjesën veriore të Kosovës. Po për këtë arsye, Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat, ndër të tjera, ia pamundësuan Kosovës qasjen në fondet e ndara me Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Kosovës, duke vepruar në mbrojtje të sovranitetit të vendit, e ndaloi qarkullimin e dinarit të Serbisë dhe i mbylli filialet e institucioneve shtetërore të Serbisë që vepronin në mënyrë të kundërligjshme.

(r.m.)

Comment

*