DASH: Aksionet e Qeverisë së Kosovës në veri do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe

Uashington, 26 maj 2023 – Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e ka dënuar ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në pjesën veriore të Kosovës, të cilat kanë çuar në përshkallëzimin e situatës në këtë pjesë.

Në deklaratën e DASH lidhur me zhvillimet e të premtes në veri thuhet se këto veprime minojnë përpjekjet e SHBA për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se ato “do të kenë pasoja për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kosovës”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në deklaratë.

DASH i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti ta ndryshojë kursin dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që ndez tensionet dhe nxit konflikt.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, edhe personalisht e ka dënuar vendosjen me dhunë të kryetarëve të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut në zyrat e këtyre komunave. Në një postim në Twitter, ai ka thënë se këto  aksione “e përshkallëzojnë situatën në veri”.

Të premten Policia e Kosovës mundësoi hyrjen e kryetarëve të rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqt dhe Zubin Potokut në ndërtesat komunale, pasi grupe të qytetarëve serbë bllokuan hyrjet për të penguar hyrjen e kyetarëve të rinj.

Protestuesit janë përplasur me policinë, e cila ka përdorur edhe gaz lotësjellës për shpërndarjen e tyre. Pesë policë janë lënduar dhe 4 automjete janë dëmtuar.

Në anën tjetër, Serbia e ka ngritur në shkallën më të latë gatishmërinë luftarake të ushtrisë.

(r.m.)