David Cameron: Sulmi në Banjskë ishte një sprovë serioze për stabilitetin në rajon

Londër, 9 janar 2024 – Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka thënë se në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur zhgënjimi me Qeverinë e Serbisë për shkak të akteve të saj destabilizuese në rajon.

Të martën, në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit, Cameron ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është e zhgënjyer me Beogradin dhe se këtë zhgënjim e ka parë edhe në BE dhe SHBA.

“Ne duhet të shprehim zhgënjim më të madh për Qeverinë e Serbisë. Duhet t’i pyesni vetë BE-në dhe SHBA-në nëse edhe ato janë të zhgënjyera [me Serbinë], por nga bisedat që kam pasur, kam parë se ka zhgënjim”, ka thënë ai.

Cameron, duke u pëgjigjur në pyetjet e deputetes Alicia Kearns për situatën në Kosovë, ka shprehur shqetësimin e Londrës për incidentet dhe provokimet e Serbisë në pjesën veriore. Ai ka thënë se sulmi i grupit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator, ishte një sprovë serioze për stabilitetin në rajon.

“Ky ishte më shumë se thjesht një incident lokal. Ishte një sprovë serioze për stabilitetin në rajon”, ka theksuar Cameron.

“Kemi pamje të qartë se çfarë ka ndodhur atë ditë. Po t’i shohim armët, numrin e njerëzve, jam koshient se sa i rrezikshëm ishte ai sulm”, ka shtuar ai.

Cameron ka theksuar se ky sulm ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për pasojat që mund të kishte po të mungonte ndërhyrja profesionale e Policisë së Kosovës.

“Kur e shikojmë sasinë e armëve dhe numrin e personave të përfshirë, ky sulm në Banjskë kishte potencial të shndërrohej në një konflikt shumë më të madh. Operacioni i Policisë së Kosovës ishte thelbësor për të ndalur një varg sulmesh të mundshme ndaj sigurisë”, është shprehur ai.

Cameron ka thënë se Mbretëria e Bashkuar e ka shpehur shqetësimin për sulmin në Banjskë dhe vazhdon ta mbështesë politikën e dialogut për shtendosjen e situatës atje.

“Politika jonë është e ashpër dhe realiste. Stuart Peach (i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor) ka shkuar në Serbi dhe ka diskutuar me Vuçiqin pas sulmit në Banjskë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka thënë ai.

Cameron ka thënë se Rusia është e interesuar ta destabilizojë Ballkanin dhe ka theksuar se Perëndimi duhet ta riformulojë politikën ndaj këtij rajoni,

“Pozicioni i Perëndimit ndaj Ballkanit Perëndimor është formuar para pushtimit rus (të Ukrainës) dhe ne tani duhet të mendojmë se çfarë ka ndryshuar, sepse Rusia dëshiron të bëjë më shumë për ta destabilizuar Ballkanin, me përfaqësuesit e saj, duke përfshirë Serbinë”, është shprehur ai.

Seketari i jashtëm britanik është pyetur edhe për politikanin opozitar serb, Nikola Sanduloviq, i cili u rrah brutalisht nga shërbimi sekret i Serbisë (BIA), për shkak se gjatë një vizite në Prekaz kërkoi falje pë krimet e kryera në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, pjesë e së cilës ka qenë edhe Presedenti aktual, Aleksandar Vuçiq.

“Jemi të informuar për raportimet mbi Sanduloviqin. Po presim më shumë informacione. Kjo është shqetësuese. Do të reagojmë pasi të kemi informacione të plota”, ka thënë ai.

Cameron ka shpehur shqetësimin edhe për parregullsitë në zgjedhjet në Serbi.

“Ne e ndajmë me të tjerët shqetësimin për mënyrën se si kanë shkuar zgjedhjet në Serbi”, ka thënë ai.

(r.m.)