Dëbohen nga Kosova serbët e ndaluar në Gazimestan për nxitje të urrejtjes ndëretnike

Prishtinë, 1 korrik 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të mërkurën aktgjykim dënues ndaj 36 të pandehurve për thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes në manifestimin e “Vidovdanit” në Gazimestan, duke i dënuar me gjobë nga 700 euro secilin, kurse ata që nuk janë shtetas të Kosovës edhe me dëbim nga territori i Republikës së Kosovës dhe me ndalim hyrjeje në territorin e Republikës në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Të pandehurit në këtë rast janë: Jovana Andriq, David Ivanoviq, Vladimir Bogiçeviq, Vuk Petroviq, Nemanja Maksimoviq, Aleksa Andriq, Nikola Deniq, Danijel Milutinoviq, Goran Paunoviq, Millosh Gjurgjeviq, Predrag Arsiq, Darko Ashanin, Aleksander Ristiq, Miljan Nashkoviq, Mirko Zhizhiq, Luka Lekiq, Andrija Vuçiq, Krsto Jaksiq, Milun Jankoviq, Radovan Pantiq, Tomislav Rakiq, Darko Radiq, Djordje Saviq, Svetomir Radiq, Vuk Javanoviq, Djordje Pantiq, Strahinja Andriq, Aleksander Petroviq, Stefan Tatar, Zeljko Veriq, Lazan Prodanoviq, Millosh Stevanoviq, Danilo Ljutiq, Sasha Cetkoviq, Nemanja Karanoviq dhe Damjan Otasheviq.

Gjyqtarja e rastit Naime Krasniqi – Jashanica, në arsyetimin e aktgjykimit, ka thënë se, më 28 qershor, gjatë manifestimit tradicional të Vidovdani në Gazimestan, të pandehurit kanë brohoritur parullën nacionaliste “Kosovo je Srbija” (Kosova është Serbi) dhe i kanë ngritur tre gishtërinj, simbolin e nacionalizmit serb që në rrethanat konkrete përbën provokim për popujt joserb në Kosovë dhe në rajon.

Ajo shpjegoi se, para fillimit të manifestimit, Policia e Kosovës i kishte paralajmëruar pjesëmarrësit se ishte e ndaluar shfaqja e çfarëdo simboli që mund të nxisë “urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të shënuar Vidovdanin, i cili është homazh për të rënët në Betejën e principatave ballkanike kundër Perandorisë Osmane të vitit 1389.

Historiografia serbe është përpjekur ta shtrebërojë historinë e kësaj beteje, duke e cilësuar atë vetëm si betejë të Serbisë kundër Perandorisë Osmane.

Historia e kësaj beteje është keqpërdorur edhe nga pilitikanët nacionalistë në Serbi. Në vitin 1989, me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, ka mbajtuar në Gazimestan një fjalim promovues të aspiratave hegjemoniste të Serbisë në Ballkan. Ky fjalim konsiderohet si hyrje në luftërat e përgjakshme që e pasuan shpërbërjen e federatës së Jugosllavisë.

(r.m.)