Beograd, 25 qershor 2025 – Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se autoritetet e Kosovës e kanë dëbuar edhe një tjetër pjesëtar të Forcave të Sigurisë së Serbisë.
Në njoftim thuhet se A.S., 34 vjeç, nga Brezovica e komunës së Shtërpcës, punëtor në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Banjën e Nishit, ku ndodhet edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, e cila vepron në Serbi, është ndaluar të martën pasdite në vebndkalimin kufitar në Han të Elezit, derisa po kthehej në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.
Advokati Boban Petkoviq, i cili e përfaqëson policin A.S, tek autoritetet e Kosovës, ka thënë se të mbrojturit të tij i është hequr shtetësia e Kosovës dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, me arsyetim se është pjesëtar i forcave të sigurisë së Serbisë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi dëbimin e policit A.S. si pjesë të politikës për ndjekjen e serbëve nga Kosova.
“Po vazhdon politika e ndjekjes së policëve serbë nga territori i Kosovës, të cilëve në këtë mënyrë po u shkelen të drejtat themelore të njeriut, të garantuara nga shumë konventa ndërkombëtare, ndërkohë që nuk kanë asnjë mbrojtje nga misionet ndërkombëtare, të cilat do të duhej t’u garantonin respektimin e të drejtave serbëve në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave të ësaj zyreje, ky është polici i njëmbëdhjetë serb që është dëbuar nga Kosova.
Autoritetet kosovare nuk kanë treguar se sa pjesëtarë të Policisë së Serbisë janë dëbuar deri më tash nga Kosova. Policia e Kosovës ka njoftuar vetëm për rastin e parë të dëbimit të një pjesëtari të Policisë së Serbisë më 15 qershor. Sipas njoftimit, një polic i Serbisë është dЍbuar nga Kosova pasi i është hequr shtetësia e Kosovës, me arsyetim se prania e tij në Kosovë përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ai e kishte marrë se vendimin për heqjen e shtetësisë në bazë të Ligjit për shtetësinë, akteve nënligjore dhe rekomandimeve të institucioneve të sigurisë.
Sipas Ligjit për shtetësinë e Kosovës, një person humb shtetësinë nëse merret me aktivitete që cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe nëse qëllimshëm i bashkohet një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës.
Sipas po të njëjtit ligj, një person mund të humbasë shtetësinë nëse është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër, pa pëlqimin e organeve vendore ose nëse një gjë e tillë nuk i është lejuar me marrëveshje ndërkombëtare.
(r.m.)