Dedaj: 90% të deklaratave që i kam dhënë pas luftës nuk kam qenë normal

Hagë, 6 nëntor 2023 – Gjergj Dedaj, ish deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dëshmoi sot në në gjykimin ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Dedaj, i cili ka thënë se dëshmon kundër vullnetit të tij, ka mohuar pjesën më të madhe të dëshmisë që e kishte dhënë për Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në vitin 2014. Ai tha se më se 90 për qind të deklaratës që e kishte dhënë atëherë nuk ishte e vëryetë, sepse në atë kohë nuk kishte qenë “normal”.

Dedaj tha se kjo ka ndodhur “për shkak të momentit dhe gjendjes” në të cilën ka qenë në kohën kur është marrë në pyetje. Ai tha se tani nuk iu kujtohet nëse kishte dhënë ndonjë betim për deklaratat që kishte dhënë.

“Nuk me kujtohet që me ka pyet kush për betim dhe as që e kam dhënë asnjë betim. Aty ku është nënshkrimi im edhe me u rrotullu bota e them që është nënshkrimi im dhe nuk e mohoi me asnjë çmim. Mirëpo, edhe një herë po e përsëris, momenti, gjendja, zhvillimet, situata familjare, personle kur jam marrë në pyetje, 90 për qind të deklaratave që i kam dhënë pas luftës nuk kam qenë normal dhe në gjendje me e thënë të vërtetën. Por, tash jam i gatshëm me u ballafaqu me çdo gjë, sikur që kam qenë i gatshëm sikur çdo ditë që e kam qitë në tavolinë, në tryezë, jetën time për me dhënë për lirinë e Kosovës”, tha Dedaj, transmeton Betimi për Drejtësinë.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtria më e pastër.

“Jeta jonë nuk ka vlerë. Edhe sot që jam këtu, tash, jam kufomë dhe nuk kam as një vlerë dhe në fakt nuk e di pse jam gjallë, as nuk ligshtohem dhe jam shumë i guximshëm, sepse jam i përgatitur dhe kam qenë i përgatitur për çdo sacrifice, edhe me e dhanë jetën, mirëpo asnjëherë, asnjëherë dhe asnjëherë domethënë ta etiketoj dhe njollos ushtrinë titanike, ushtare dhe heroike që është ushtria ndër më të pastra në luftra botërore, është ushtria e Kosovës”, tha ai.

Dedaj mohoi deklaratën e tij të vitit 2014 se disa pjesëtarë të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës që kishte vizituar disa vendbanime të Drenicës më 20 shtator 1998 ishin arrestuar dhe keqtrajtuar në Qirez nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes të cilëve kishte qenë edhe Hashim Thaçi. Ai tha se qëllim i ndalimit nga pjesëtarët e UCK-së ishte që të mësonin se kush ishin anëtarët e këtij delegacioni.

“Me thanë nën arrest mund të gënjej. Unë flas për qëllimin e ndalimit tonë – ishte biseda, me e ditë kush jemi ne, a ka në mesin tonë njerëz që mund të jenë të dyshimtë. Me thënë të drejtën, mua më ka ardhë mirë, sepse nuk kam dashur që të shkoj për Prishtinë me atë hipotekë, sepse kishte zëra jashtë Prishtinës, nga diaspora, nga patriotët në thonjëza që nuk mundeshin me ardhë me luftu në Kosovë, por bënin deklarata jashtë Kosovës se jo ky delegacion kështu, jo Rugova kështu, jo LDK-ja kështu, ja UÇK-ja kështu. Kishte një mal të akuzave”, tha

Përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e lexoi intervistën që e kishte dhënë Dedaj për prokurorinë në vitin 2014, në të cilën ai kishte thënë se anëtarët e delegacionit të Kovendit të Republikës së Kosovës kishin qenë nën arrest nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe se ata ishin ndjerë të paraburgosur.

“Prokurori: A ta thanë që ishit nën arrest? A bënë gjë tjetër për ta bërë këtë arrestim?

Dëshmitari: Po na thanë të dilnim jashtë, pasi na kishin futur në vetura të ndryshme.

Prokurori: Pasi ju kishin thënë të dilni jashtë, a e keni ndjerë veten si të paraburgosur?

Dëshmitari: Po. Unë absolutisht nuk kam besuar se një gjë e tillë mund të ndodhte, sepse ne nuk kemi bërë asgjë gabim. Ne vetëm sa e kishim marrë rrezikun dhe e kishim vendosur jetën tonë në rrezik për të qenë bashkë me civilët…

Prokurori: Çfarë ju pengoi juve personalisht dhe anëtarët e tjerë të delegacionit që të largoheni prej aty?

Dëshmitari: Nuk guxova se UÇK-ja ishte jashtë dhe na kishte rretheku me makina.

Prokurori: A ishit të ndaluar?

Dëshmitari: Po. Na i morën telefonat dhe na futën në ndërtesën e shkollës”, citoi prokurorja.

Por Dedaj e kontestoi kuptimin e fjalës “arrest” dhe shtoi se këtë deklaratë e kishte bërë që ta godiste Hashim Thaçin, pasi e kishte rival politik.

“E demantoj fjalën arrest, sepse unë sa herë jam arrestuar nga forcat serbe ata m’i kanë lidhë duart, më kanë arrestu dhe më kanë çu në stacion të policisë. Ai është arrest, sepse nëse thua ‘duhet me ardhë me mua’ dhe ‘ta bëjmë një bisedë’ nuk mendoj që mund të quhet arrest, e aq ma pak burg ose burgosje. Edhe një herë po them se e mohoj kategorikisht, sepse s’e kam mendu atëherë, s’kam pasë kohë me mendu, pasi e kam bërë rivarrimin e familjarëve të mi, 12 anëtarëve… Pasi i kemi sanuar pasojat e luftës, kam pasë kohë me mendu… Ndoshta më kanë bërë sytë… Edhe kam dashtë me e goditë, po e zëmë, Hashim Thaçin, sepse kemi qenë rivalë politikë…”, tha ai.

Dedaj protestoi që prokuroria po ia kujtonte se në intervistën e vitit 2014 ai kishtë thënë se ishte rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së. Ai tha se me pëmendjen e rrahjes atij i rrezikohet edhe jeta.

“Unë protestoj ashpër dhe më lejoni të protestoj, ma ruani dinjitetin tim njerëzor dhe familjar. Unë kam një moshë të shtyrë dhe kam përjetime tepër të vështira, të pashpjegueshme prej jush. Me këtë që ma përmendeni rrahjen, ju ma shkatërroni prapë jetën dhe ma rrezikoni edhe jetën fizike”, tha ai.

Prokuroria ia kujtoi Dedajt sekishte thënë se ai dhe tre persona të tjerë ishin rrahur nga UÇK-ja.

Ju jeni përgjigjur: Unë vetë Gjergj Dedaj, Agim Krasniqi, Mehdi Bardhi, Kurtesh Devaja. Jam absolutisht i sigurt për këtë. Kur u ktheva e kam bërë një fotografi”, citoi përfaqësuesja e ZPS-së.

Dedaj tha se nëse ka thënë ‘rrahje’ ka menduar për një proces të “kacafytjes”, për të cilën tha se nuk e di si ta shpjegojë. Ai përsëriti se nuk e pranon shprehjen “rrahje”.

“Me ma përmendë mua rrahjen, më mirë është me m’vra. Nuk jam burrë që rrehna. Më mirë është dashtë me m’çu drejt në burg 50-vjet, ose në burg të përjetshëm ose me m’vra dikush, por jo me m’rrahë. Mua nuk mundet me m’rrahë kush. Unë nuk jam burrë që rrehna”, u shpreh ai.

Dedaj mohoi se është rrahur me “stupca”, siç ka thënë në dëshminë  vitit 2014. Ai tha se gjatë dëshmisë shpesh i ka “ekzagjeruar gjërat”, sepse nuk e ka ditur se kjo do të bëhej “temë” sot dhe se “do të kishte gjykatë kundër Kosovës”.

“Stupca prej druri, e kam ekzagjeru. Nuk ka qenë e vërtetë. E thash edhe njëherë dhe ju nuk po më lejoni me e shpjegu dhe atëherë po mbesin përgjigjet e cunguara dhe të keqkuptuara. Këto deklarata i kam dhënë në gjendje të rëndë, në gjendje të vështirë dhe shpeshherë i kam ekzagjeru, sepse nuk e kemi ditë se këto kanë me u bë temë për sot e as nuk që do të ketë gjykatë kundër Kosovës, sikur nuk besojmë që do të ketë gjykatë kundër Zelenskyt. Por, okej, këtu jemi”, tha Dedaj.

(r.m.)