Dedaj: Jam distancuar nga deklarimet e kaluara, i kam bërë në gjendje të rënduar

Hagë, 7 nëntor 2023 – Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka vazhduar të martën dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Prokuroria është fokusuar në dëshminë e tij të vitit 2014 lidhur për rastin e ndalimit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të UÇK-së në Drenicë, më 20 shtator 1998.

Pas pyetjeve të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, Dedaj është ankuar se nuk është pëmbushur kërkesa e tij që seancat të jenë të mbyllura, me arsytimin se po i “rrezikohet familja”.

“Keni bërë padrejtësi ndaj meje, me pyetjet që po mi bëni… Së pari jam përgjegjës të mbroj familjen time dhe fëmijët e mij. Kam kërkuar që seancat të jenë të mbyllura, që të mos rrezikohet familja dhe e ardhmja ime në Kosovë”, ka thënë Dedaj.

Më pas seanca është mbyllur për publikun.

,Para se seasnca të mbyllej, Dedaj ka përsëritur se gjatë qëndrimit në Baicë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u kishin dërguar ushqime, madje edhe birra.

“Ne kemi ngrënë atë që kanë ngrënë ushtarët e UÇK-së. Ushqimi s’ka pasur asnjë vërejtje. Kur kemi kërkuar birra, si në hotel, na kanë sjell birra në Baicë”, ka thënë ai.

Por, ai është ankuar se prokuroria po e pyet për detaje të një kohe tashmë të largët, të cilën e ka cilësuar shumë të vështirë për të.

“Po më pyesni për detaje 25 vjet më parë. 25 vjetët e mia janë sa 2.500 vjet tuajat në Evropë”, ka thënë ai.

Dedaj ka mohuar se Hashim Thaçi ishte sjellë ke me të.

“Me Hashim Thaçin jemi përshëndetur dorë më dorë, si burrat. Të tjerat s’më kujtohen”, ka thënë ai.

Prokuroria ia ka kujtuar se çka kishte deklaruar në vitin 2014 dhe Dedaj i ka mohuar ato. Ai ka thënë se është distancuar nga deklaratat akuzuese.

“Kam bërë deklarime në gjendjen time të rënduar, gjatë proceseve të rivarrimeve dhe… Ndoshta kam pasur edhe hidhërime të pabesueshme, ndoshta edhe revanshuese dhe ekzagjeruese. Nga të gjitha këto jam distancuar”, ka thënë Dedaj.

(r.m.)