Dehari: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për Presidentin nënkupton zgjedhje

Prishtinë, 15 gusht 2026 – Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvenditt ë Kosovës, Avni Dehari, përmes një deklarate publike,

“… mirëpres ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, si dhe ftesat e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, për partitë politike për një takim konsultativ”, ka thënë ai.

Dehari u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që “të ulen së bashku” dhe të gjejnë zgjidhje politike për procesin e krijimit të institucioneve

“… si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual”, ka thënë Dehari.

Ai ka thënë se pa një marrëveshje politike për presidentin vendi do të shkojë në zgjedhje të tjera të parakohshme.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka thënë ai.

Dehari e ka përjashtuar mundësinë e thirrjes së seancës pa marrëveshje politike. Sipas tij, përpjekjet për ta vazhduar seancën pa marrëveshje politike përbën rrezik “madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”.

“Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka thënë Dehari.Deklarata e plotë e Deharit:

Të dashur qytetarë,

Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit.

Pas qëndrimit të ri të LDK-së, mirëpres ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, si dhe ftesat e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, për partitë politike për një takim konsultativ.

Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve.

Prandaj, si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual.

Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë.

Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme.

(r.m.)