Prishtinë, 11 gusht 2026 – Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti më i vjetër Avni Dehari, ka thënë se seanca e radhës nuk do të thirret para se të arrihej një marrëveshje mes partive politike për formimin e të gjitha institucioneve të reja të shtetit.
“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet”, ka thënë Dehari gjatë pritjes së mërgimtarëve në Kuvend.
I pyetur se a është shkelur Kushtetuta me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit 30 ditur të përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të viti të kaluar, Dehari ka thënë se nuk mund të konsiderohet shkelje përderisa Kushtetuesja nuk ka paraparë sanksione.
“Nuk ka sanksione dhe derisa nuk ka sanksione, nuk mund të thuhet se ka shkelje”, ka thënë ai.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit ka skaduar të enjten në mesnatë. Megjithatë, seanca e nisur të enjten vazhdoi të shtunën. Por, edhe kjo seancë u ndërpre, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë tjera për një marrëveshje politike për çështjen e presidentit.
Kryesuesi Avni Dehari, deputet i Lwvizjes Vetëvendosje, nuk ka ftuar seancë tjetër. Partitë opozitare dhe shumica e juristëve e cilësojnë këtë si shkelje tjetër kushtetuese.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se kushdo që mendon se ka shkelje kushtetuese duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Por, deri më sot, asnjë parti politike nuk e ka dërguar çështjen në Kushtetuese.
(r.m.)