Dejan Pantiq lirohet nga paraburgimi, dërgohet në arrest shtëpiak

Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Ish-zyrtarit policor të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili ishte arrestuar për sulmin ndaj zyrtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka thënë se zëvendësimi i masës së sigurisë ndaj Pantiqit është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, i është zëvendësuar masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata ka aprovuar me këtë rast kërkesën e Prokurorisë”, ka thënë Gashi.

Dejan Pantiq u arrestua më 10 dhjetor si I dyshuar për organizimin e sulmit ndaj zyrtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve më 6 dhjetor.

Në shenjë proteste ndaj arrestimit të tij, grupe të serbëve në veri vendosën barrikada në rrugët rajonale drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe në Bërnjakë.

Për shkak të vendosjes së barrikadave, Pantiq po mbahej në një stacion policor afër Jarinjës. Familja e Pantiqit, si dhe zyrtarët e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, i kanë akuzuar autoritetet e Kosovës se Pantiqit nuk i është ofruar trajtimi i nevojshëm shëndetësor, gjë që është hedhur poshtë nga autoritetet e Kosovës.

Lista Serbe, si edhe beogradi zyrtar, kanë shtruar disa kushte për heqjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës. Ndër këto kushte ishte edhe lirimi nga arresti i Pantiqit.

 (r.m.)