Karakas, 4 janar 2026 – Zëvendëspresidentja Ekzekutive e Venezuelës, Delcy Rodriguez, e mori detyrën e Presidentit të vendit, pas arrestimit të Presidentit Nicolás Maduro.
Rodriguez, e cila është edhe ministre e financave dhe naftës, e mori detyrën të shtunën pasdite, në bazë të Kushtetutës së vendit, e cila parasheh që Zëvendëspresidenti të marrë këtë detyrë në mungesë të Presidentit, qoftë ajo e përkohshme apo e përhershme.
Disa orë pas arrestimit të Maduros dhe gruas së tij, Cilia Flores, ajo kryesoi një takim të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes, ku e dënoi operacionin ushtarak amerikan dhe kërkoi “lirimin e menjëhershëm” të çiftit. Ajo tha se operacioni amerikan ishte një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të Venezuelës.
Rodrigez theksoi se operacioni amerikan duhet të refuzohet nga venezuelasit dhe të dënohet nga qeveritë në gjithë Amerikën Latine.
“U bëjmë thirrje popujve të atdheut të madh të qëndrojnë të bashkuar sepse ajo që iu bë Venezuelës mund t’i bëhet kujtdo. Ky përdorim brutal i forcës për të shtypur vullnetin e popullit mund të kryhet kundër çdo vendi”, tha ajo në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes, në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror VTV.
Delcy Rodriguez, 56 vjeçe, është nga Karakasi. Për më shumë se dy dekada ajo ka qenë një nga figurat kryesore të Chavismo, lëvizjes politike të themeluar nga Presidenti Hugo Chavez, të cilën e ka udhëhequr Maduro që nga vdekja e Chavezit në vitin 2013.
Së bashku me vëllain e saj Jorge Rodríguez, presidentin aktual të Asamblesë Kombëtare, ajo ka mbajtur pozita të rëndësishme që nga epoka e Chavezit. Ajo ka qenë ministre e Komunikimit dhe Informacionit dhe ministre e Punëve të Jashtme.
Në vitin 2017, Rodríguez u bë presidente e Asamblesë Kombëtare Kushtetuese, ndërsa një vit më vonë Maduro e emëroi zëvendëspresidente për mandatin e tij të dytë. Ajo e mbajti këtë pozitë edhe gjatë mandatit të tretë të Maduros. Deri të shtunën, kur u arrestua Maduro, ajo ishte autoriteti kryesor ekonomik i Venezuelës dhe ministre e naftës.
Opozita venezueliane pretendon se zgjedhjet e vitit 2024 u manipuluan dhe se Maduro nuk ishte president legjitim. Ajo këmbëngul se fitues i vërtetë i zgjedhjeve ishte Edmundo Gonzalez Urrutia. Këtë qëndrim e kanë edhe qeveritë e disa vendeve të rajonit.
Jose Manuel Romano, njohës i të drejtës kushtetuese, i tha CNN-it se Rodriguez e gëzonte “besimin e plotë” të Maduros.
“Zëvendëspresidentja Ekzekutive e Republikës është një operatore shumë efektive, një grua me aftësi të forta udhëheqëse për menaxhimin e ekipeve”, tha Romano.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në konferencën për medie tha se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka folur me Zëvendëspresidenten Rodrigez dhe, sipas tij, ajo është shprehur e gatshme të punonte me Uashingtonin gjatë fazës së re për Venezuelën.
Kjo deklaratë e Trumpit i habitën disa analistë, të cilët besojnë se Rodriguez nuk ka gjasa t’u bëjë lëshime Shteteve të Bashkuara.
“Ajo nuk është një alternativë e moderuar e Maduros. Ajo ishte një nga figurat më të fuqishme të linjës së ashpër në gjithë sistemin”, tha për CNN Imdat Oner, analist politik në Institutin “Jack D. Gordon” dhe ish-diplomat turk me bazë në Venezuelë.
“Ngjitja e saj në pushtet duket të jetë rezultat i njëfarë mirëkuptimi midis Shteteve të Bashkuara dhe aktorëve kryesorë që përgatiten për një skenar pas Maduros. Në këtë kontekst, ajo në thelb do të shërbejë si kujdestare derisa të marrë detyrën një udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike”, shtoi ai.
Në mesazhet e saj të para pas arrestimit të Maduros, Rodriguez nuk tregoi shenja tërheqjeje dhe e përjashtoi çdo formë bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara.
Të shtunën pasdites, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes, ajo e dënoi fuqishëm operacionin amerikan dhe këmbënguli që Maduro të jetë President i Venezuelës.
“Ka vetëm një president në këtë vend dhe emri i tij është Nicolás Maduro Moros”, tha Rodríguez.
(r.m.)