Delegacioni i BE-së shpreh shqetësimin për aktet e dhunës gjatë protestës së opozitës në Tiranë

Tiranë, 1 mars 2026 – Delegacioni i BE-së në Tiranë ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestën e opozitës që u mbajt të shtunën në Tiranë.

Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike, por shpreh shqetësimin për disa akte dhunë gjatë protestës. Delegacioni u bën thirrje aktorëve politikë që të tregojnë vetëpërmbajtje.

“Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish. Delegacioni i BE-së u bën thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje. Ne mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

Deklarata e plotë: 

Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike. Ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve.

Në këtë kontekst, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish.

Delegacioni i BE-së u bën thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje. Ne mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

(r.m.)