Prishtinë, 13 maj 2023 – Një grup 15 anëtarësh i ish-diplomatëve amerikanë, anëtarë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (KAA), të cilët ishin në vizitë faktmbledhëse triditëshe në Kosovë, u larguan me përshtypje të shkëlqyeshme.
Në një darkë të shtruar në Prishtinë nga mikpritësit, anëtarë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), në një atmosferë shumë të ngrohtë miqësore, ish-diplomatët me karrierë të gjatë e të pasur në diplomacinë amerikane shprehën kënaqësinë që kishin rastin ta njihnin së afërmi shtetin më të ri në Europë dhe të ndjenin në çdo hap mirënjohjen e thellë të qytetarëve kosovarë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto përshtypje i shprehën edhe në një takim tematik për marrëdhëniet diplomatike shqiptarro-amerikane, në Kolegjin “AAB”, në Prishtinë.
“Pasi jam pensionuar kam vizituar shumë shtete dhe kam takuar shumë qytetarë pro-amerikanë, por askund nuk e kam ndjerë kaq fort ndjesinë e mirënjohjes. Tani e kuptoj se populli i Kosovës vërtet qenka populli më pro-amerikan në botë. Ndjehem i lumtur që shteti im, Amerika, e ka mbështetur këtë popull kaq miqësor e mirënjohës”, tha ambasadori Philip Hughes, zëvendës-president i KAA.
“Kjo është hera e dytë që unë e vizitoj Kosovën. Herën e parë kam qenë para shtatë vjetësh, bashkë me ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright. Tani e vizitova bustin e saj në Prishtinë. Jam shumë e lumtur që ajo nderohet kaq shumë në Kosovë, sepse e di mirë sa shumë e ka dashur dhe sa shumë ka bërë për popullin e Kosovës”, tha Laurie S. Fulton, ish-ambasadore e SHBA-së në Danimarkë.
“Unë kam vizituar qindra shtete anembanë botës, por askund nuk e kam parë respektin për SHBA-të sa këtu në Kosovë. Këtu pashë një shoqëri dinamike, njerëz të motivuar për zhvillim e progres. Pashë kaq shumë të rinj që e meritojnë një të ardhme të shkëlqyer. Ne do t’i sugjerojmë Departamentit të Shtetit të vazhdojë të mbështesë popullin e Kosovës për realizimin e ëndrrave dhe aspiratave të veta. Dhe jam i bindur se SHBA-të do ta bëjnë këtë”, tha Presidenti i KAA, Ambasadori Timothy A. Chorba.
Ambasadori Chorba tha se gjatë vizitës faktmbledhëse në Kosovë ka parë përkushtimin për zhvillimin e forcimin e mëtejmë të institucioneve demokratike, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve pakicë.
Ai e vlerësoi kontributin e Kosovës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon si edhe mbështetjen e luftës kundër kërcënimeve rajonale e globale. Njëkohësisht, shprehu bindjen se Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e SHBA-ve për ngritjen e kapaciteteve zhvillimore në të gjitha fushat.
Presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Besnik Mustafaj, e vlerësoi vizitën e delegacionit të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë si vazhdimësi të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Vderiut, në Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi. Ai kujtoi se ka qenë Presidenti amerikan Wodrow Wilson, ai që e ka shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi, me vendosmërinë e tij të patundur për respektimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje, në Konferencën e Versajës.
Mustafaj e vlerësoi edhe rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ai kujtoi atë deklaratën e famshme të Presidentit George w. Bush “enough is enough. Kosovo is independent”, të shprehur në Tiranë, disa muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, Avni Spahiu, prezantoi një përmbledhje të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, me theks në marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-së. Ai theksoi se meritë shumë të madhe në vendosjen e këtyre marrëdhënieve ka emigracioni shqiptar në Amerikë.
Spahiu tha se është krenar që edhe ai ka pasur rastin të jetë pjesë e shërbimit diplomatik të Kosovës që kultivon marrëdhënie të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rektori i Kolegjit “AAB”, Lulzim Tafa, ia dorëzoi Presidentit të KAA, Ambasadorit Timothy Chorba, Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim, për kontributin që ka dhënë diplomacia amerikane për shtetformim dhe demokracinë në Kosovë.
Në përfundim të vizitës, Ambasadori Genci Muça, Drejtor Ekzekutiv, dhe Ambasadori Flamur Gashi, anëtar i Bordit Drejtues të KAA, e vlerësuan më shumë interes për Kosovën vizitën e delegacionit të KAA. Ata shprehën kënaqësinë që arritën që homologëve të tyre amerikanë t’ua krijojnë rastin e mundësinë të krijojnë një tablo të gjallë të Kosovës.
Ata e vlerësuan gatishmërinë e liderëve shtetërorë e politikë për të plotësuar këtë tablo dhe falënderuan për mbështetjen e pakursyer të të gjithë anëtarëve të KASH, veçanërisht anëtarëve të Bordit Këshillues: Lazim Destani, Vehbi Bajrami, Ramiz Tafilaj e Skender Thaçi.
Vehbi Bajrami, botues i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, njohës i shkëlqyeshëm i komunitetit shqiptar në Amerikë, tha se vizitat e këtij lloji janë shumë të rëndësishme për kultivimin e marrëdhënieve miqësore mes shteteve dhe popujve. Ai tha se shqiptarët në Amerikë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e urave të miqësisë me Shtetet e Bashkuara dhe kanë kapacitete dhe gatishmëri të vazhdojnë t’i forcojnë edhe më shumë këto ura, tani në mënyrë institucionale.
Gjatë vizitës në Kosovë, delegacioni i KAA pati takime të veçanta me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me kryeministrin Albin Kurti, me ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla – Shwartz, me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe me përfaqësuesit e tri partive opozitare në Kuvend: PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Delegacioni i KAA u takua në Prishtinë edhe me një delegacion të gjerë përfaqësues të Luginës së Preshevës, ku u prezantuan argumente për pozitën e vështirë të shqiptarëve atje dhe format e diskriminimit të tyre nga shteti i Serbisë.
Delegacioni bëri një vizitë edhe në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel’, i cili është një element shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, por edhe në rajon.
Ish diplomatët amerikanë vizituan qytetin e Prizrenit dhe Kantinën e Verës “Stone Castle”, në Rahovec, cila është një ndër investimet më të suksesshme të investitorëve shqiptaro-amerikanë në Kosovë.
Delegacioni i ambasadorëve amerikanë arriti në Kosovë nga Shqipëria, ku pati takime me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, me Kryetaren e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqqipërisë, Mimi Kodheli, me ish-Presidentin Ilir Meta dhe me përfaqësues të partive tjera opozitare.
Delegacioni mori pjesë edhe në ceremoninë e shënimit të 5 vjetorit të themelimit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, me të cilin ka një bashkëpunim shumë të frytshëm.
Në Tiranë ish-diplomatët amerikanë u takuan edhe me përfaqësues të partive politike shqiptare të Malit të Zi, ku u njoftuan edhe me pozitën dhe me preokupimet e popullsisë shqiptare atje.
Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë e vizitoi edhe Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga Presidenti Stevo Pendarovski, Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, zëvendës kryeministri Bojan Mariçiq, me kryetarin e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE dhe me kryetarin e Lëvizjes “Besa”.
Gjatë vizitës në Shkup, delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, u takua me Këshillin e Ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut, ku biseduan edhe për mundësitë e bashkëpunimit.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka në program një vizitë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, agjenda e së cilës pritet të përgatitet me ndihmën e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë dhe të komunitetit shqiptar në Amerikë.
(Ramadan Muçolli)