Demë Balidemaj, atdhetari dhe mbrojtësi i paepur e i kudogjendshëm i çështjes sonë kombëtare

-Shkrimtari i shquar Ismail Kadare e përshendeti “Kuvendin Kombëtar të Alpeve” në Vermosh e Vuthaj dhe mikun e tij plavë-gucias, Demë Balidemaj, me rastin e nderimit me Çmimin e Madh “Nënë Tereza”-

 

            Në skajin ma verior të Shqipërisë Londineze, në Qendren e Turizmit në Vermosh, në 1.200 m. lartësi alpine, me 31 korrik 2022, u mbajt “Kuvendi Kombëtar i Alpeve” (për Shqipërinë) me 92 pjesmarrës dhe të nesërmen, me 1 gusht 2022, prapë në Alpe, në shtëpinë e kulturës në Vuthaj, u mbajt “Kuvendi Kombëtar i Alpeve” (për Malin e Zi), i titulluar ndryshe sipas traditës edhe “Takimi i 3-të i Plavë-Gucisë”, me 78 pjesmarrës. Në vjeshtë do të organizohet “Kuvendi Kombëtar i Alpeve” në Pejën alpine (për Kosovën) derisa me 17 nëntor 2022 do të organizohet në Tiranë “Kuvendi Ballkanik i Alpeve”.

            Në “Kuvendi Kombëtar i Alpeve”, në Vermosh (bashkia Malësi e Madhe) e Vuthaj (komuna Guci) në këto dy treva shqiptare kufitare të ndara padrejtësisht në dy shtete ballkanike, kishin ardhur për të nderuar me praninë e tyre nga Shqipëria e Mali i Zi, Kosova, Lugina e Preshevës e Sanxhaku, nga Amerika e Kanadaja, Gjermania, Zvicra, Hollanda, Belgjika, Franca e Italia.

            Nderonin me praninë e tyre personalitete shtetërore, diplomatike, akademike, kulturore e të shoqërisë civile: Tonin Marinaj- kryebashkiaku i Malësisë së Madhe (mikpritës e bashkorganizator), Bujar Hasangjekaj- kryeparlamentari i Gucisë (mikpritës), Ramiz Tafilaj – drejtor i “Gazeta e Alpeve” (organizatore e Kuvendeve), personalitet i shquar shqiptaro-amerikan (Deçan-Kosovë/Teksas-Amerikë) Skënder Durmishi- ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Besa Tafilaj-Pinchotti- Drejtore ekzekutive (COA) e Organizatës Kombëtare të Familjeve të Ushtarakëve të Amerikës (NMFA-National Military Family Association), Ermina Lekaj Prljaskaj- e vetmja deputete shqiptare në Kuvendin e Kroacisë dhe kryetare e Komisionit Ndërparlamentar të Miqësisë Kroaci-Shqipëri; Gerta Duraku- deputete e Qarkut të Kukësit e Sekretare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian në Kuvendin e Shqipërisë, dr. Getoar Mjeku- Zv/Ministër i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, Dr. Faton Bislimi ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës (LDK) & Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Kanada), dr. Skënder Kandiq – Këshilltar i Zv/Kryeministrit të Kosovës; gjeneral Anton Quni- ish Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, një nder komandantët e Betejeës së Koshares; Gjon Gjonaj- kryebashkiaku i Pukës; Abdulla Domi- kryetar i Këshillit të Qarkut të Kukësit; Hysen Hysaj- Nënprefekt i Prefekturës së Shkodres (për Malësinë e Madhe);  kolonel Ahmet Alishani- ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në kohën e Luftës së Kosovës (nga Lugina e Preshevës); Dr. Ahmet Ulaj- personalitet i botës së biznesit, humanizmit e mjekësisë (nga Vuthajt), prof. dr. Naser Ferri e bankier Arben Ferri të Familjes së heroit legjendar Jakup Ferrit të Plavë-Gucisë, ambasador Mal Berisha- ish ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Republikën e Irlandës; dr. Naim Dedushaj – drejtor ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë (Prishtinë), Skendër Thaçi- kryetar i Shoqatës për Promovimin e Turizmit Malor të Kosovës (Pejë-Prishtinë), Ismet Azizi – kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”  e të tjerë.

            Në këto dy kuvende kombëtare të Alpeve u mbajtën disa kumtesa për promovimin e vlerave historike, kulturore e turistike të këtyre trevave e në Ballkanin Perëndimor, u ndanë çmime e mirënjohje, u hap ekspozita komëbtare “Sanxhaku- histori e dhimbjes kombëtare”, u paraqit me temë dhe vepra “Ambasadorë Amerikanë për Shqiptarët” (Vëll. I, me 352 faqe, botim special, Tiranë, 2022) etj.

            Në “Kuvendin Kombëtar të Alpeve” në Vermosh u dha njoftim publik, ndërsa në Kuvendin Kombëtar të Alpeve në Vuthaj (përndryshe: “Takimi i 3-të Kombëtar i Plavë-Gucisë”) iu nda Çmimi i Madh “Nënë Tereza” – personalitetit të shquar shqiptaro-amerikan, Demë Balidemaj nga Martinajt e Plavë-Gucisë, në vendlindjen e tij.

            Në të dy Kuvendet Kombëtare të Alpeve, në Vermosh e në Vuthaj, u lexua Përshendetja e shkrimtarit të shquar shqiptar, kandidat për Çmimin Nobel, Ismail Kadare dhe Zonja e Tij, Helena Kadare, drejtuar Kuvendit Kombëtar të Alpeve dhe mikut të tyre të çmuar, Demë Balidemaj, të cilën po e publikojmë tekstualisht, me germa korsive të zeza.

            “Të dashur bashkatdhetarë,  

             Jemi shumë të prekur nga kjo Ftesë e bukur që na vjen nga Kuvendi i Alpeve.  Jemi gjithashtu të lumtur që ju keni zgjedhur të nderoni me Titullin e lartë “Nënë Tereza” atdhetarin dhe mbrojtësin e  paepur dhe kudogjendshëm të çëshjes sonë kombëtare,  mikun tonë të shtrenjtë e të kahershëm, zotin Demë Balidemaj. 

            Do të ishte një rast i mrekullueshëm të ishim aty, së bashku me ju, siç na i do zemra të gjithëve bashkë. Në pamundësi të arritjes së kësaj dëshire të sinqertë, i urojmë nga larg Kuvendit të Alpeve  sukseset më të mira për këto inisiativa kaq të vlefshme e emocionuese.  Urojmë  gjithashtu Demë Balidemën që e meriton me kaq të drejtë këtë nderim special që zgjodhët për të.

            Ju përqafojmë të gjithëve me mall.

            Ismail dhe Helena Kadare”.

           

            Çmimi i Madh “Nënë Tereza” për personalitetin e shquar shqiptaro-amerikan Demë Balidemaj, mban motivacionin “Për kontributet e shquara atdhetare për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, për Demokracinë në Shqipëri, për institucionet/organizatat shqiptare e komunitetin shqiptar në Amerikë, për letërsinë e kulturën shqiptare në botë, duke vënë në dispozicion të plotë e të pakursyer pasurinë e tij të krijuar në Amerikë”.

            Drejtori i “Gazeta e Alpeve” (media PanShqiptare e NdërBallkanike), Ramiz Tafilaj, botues e humanist, personalitet i shquar shqiptaro-amerikan, ia dorëzoi Çmimin e Madh “Nënë Tereza”, deputetit të Parlamentit të Bavarisë së Epërme në Gjermani, Deli Balidemaj.

            Në këtë event të rëndësishëm mirënjohjeje ishin të pranishëm disa nga miqtë e shumtë të atdhetarit e humanistit Demë Balidemaj, si: shqipato-amerikanët: aktori Avdyl Dedushaj, biznesmeni humanist Shaban Mehaj, dr. Ahmet Ulaj, historian Rexhep Dedushaj e të tjerë.

            Çmimi i Madh “Nënë Tereza”, në këto tre vite, iu është ndarë kolegjialisht nga “Gazeta e Alpeve” dhe nga Takimet në Prishtinë, Shkodër, Gjakovë, Plavë-Guci, Vermosh, vetëm këtyre personaliteteve: Lazim Destani (Tetovë, MV), Shefqet Kastrati (Tiranë), Ram Geci (Tiranë), dr. Muhamet Malo (Ersekë/Tiranë), dr. Ahmet Ulaj (Plavë-Guci/Tiranë), Sami Ahmeti (Prishtinë) dhe Shyqyri Duraku (Tiranë).

            Këto ditë gushti 2022, Çmimi i Madh “Nënë Tereza” do i dorëzohet personalitetit të shquar shqiptaro-amerikan Demë Balidemaj (së bashku me Përshendetjen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare e Zonjës së Tij, Helena Kadare) në mënyrë ceremoniale në Bar-Restorantin e tij “7 Old Fulton & Ëine Bar” (në St Brooklyn, NY, US 11201, në afri e përballë selisë së OKB-së) nga veprimtari shquar shqiptaro-amerikan, Esad Gjonbalaj, ish president i Fondacionit Plavë-Guci dhe editor i portalit “Plavë Gucia Sot”, bashkorganizator i “Kuvendit Kombëtar të Alpeve” në Vuthaj.

            Ky vlerësim i lartë mirënjohje e ceremonialitete të tilla në Vuthaj (MZ), Vermosh (Shqipëri), New York (Amerikë) për veprimtarin e shquar të kombit, Demë Balidemaj, është dhe një tërheqje vëmendje publike për Presidentët e Shqipërisë e të Kosovës për mos vlerësimin e kontributeve të tij të mëdha për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, për demokracinë në Shqipëri, për artin, letërsinë e kulturën shqiptare, për institucionet e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Ramiz LUSHAJ

 

 

 

           

 

 

 

 

 

One Response to “Demë Balidemaj, atdhetari dhe mbrojtësi i paepur e i kudogjendshëm i çështjes sonë kombëtare”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti, phd. says:

    Urimet e mia ma te mira kolegut tim te ngushte Dem Balidemaj per marrjen e cmimit “Nana Tereza” ne mirenjohje per veprmtarie e tij ne sherbim te kombit shqiptar, dhe per ndihen e madhe e mikpritjet karakteristike te tij veprimtarive kombetare ne Amerike.
    Kam njohe Z.Dem Balidemaj per shume vite te gjata e dite te veshtira per Shqiperine dhe Kosoven, dhe kam deshmue shpirtin e tij te sakrifices per kauzen e shenjte mbarekombetare.
    Per zonjen Julia Balidemaj, shoqe e padame e Z. Dem Balidemaj ne çdo dite e ne çdo kohe pergezimet e mia per kete nderim qe e meriton plotesisht,
    me perzemersi
    Sami Repishti, Ph.D.
    ish Krytare i Keshilit Kombetar Shqiptaro-Amerikan