Berlin, 17 shtator 2026 – Johanna Deimel, shefe e katedrës për Ballkanin në Universitetin Ludwig Maximilian në Munih, ka thënë se aktgjykimi dënues i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së “nuk hedh hije” mbi luftën e UÇK-së, sepse gjykata i ka gjykuar individualisht personat e akuzuar për krime lufte.
“Jo, vendimi i shkallës së parë nuk hedh hije mbi luftën e UÇK-së, por krimet që kanë kryer individë të caktuar gjatë luftës. Krimet e luftës mbeten krime lufte edhe kur kryhen në kuadër të një lufte çlirimtare. Është e rëndësishme, si për viktimat ashtu edhe për funksionimin e shtetit të së drejtës, që ato të hetohen dhe të ndëshkohen. Bëhet fjalë për krime lufte të kryera individualisht nga përfaqësues të veçantë të UÇK-së, dhe jo për një faj kolektiv të të gjithë UÇK-së. Gjykata Speciale e ka ndarë në mënyrë të qartë dhe të shprehur këto akuza nga lufta legjitime e UÇK-së për një Kosovë të pavarur”, ka thënë ajo, në një intervistër për Radion Deutsche Welle.
Zonja Demiel ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk do të ndikojë në raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar. Sipas saj, për bashkësinë ndërkombëtare është shumë më shqetësuese kriza politike në Kosovë.
“Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte një ‘ndërhyrje humanitare’, edhe pse pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ajo nuk e mbështeti luftën, por kontribuoi në përfundimin e saj dhe, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, e hapi rrugën për Kosovën e pavarur që nga viti 2008. Për bashkësinë ndërkombëtare, shumë më tepër shqetësuese janë vitet e fundit të krizave politike në Kosovë, të cilat ende nuk janë kapërcyer plotësisht. Sipas mendimit tim, Kosova ka humbur shumë më tepër reputacion dhe peshë ndërkombëtare si pasojë e këtyre krizave sesa nga vetë ky vendim gjyqësor”, është shprehur Demiel.
Ajo është pajtuar se Serbia dhe Rusia do ta shfrytëzojnë aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së për të minuar legjitimitetin e shtetit të Kosovës, por ka theksuar se përgjegjësia penale ndërkombëtare nuk ka të bëjë fare me përkatësinë etnike apo politike të autorëve të krimeve të luftës.
“Po. Moska dhe Beogradi, pa dyshim, do ta shfrytëzojnë gjerësisht këtë vendim për të vënë në pikëpyetje dhe për të minuar më tej legjitimitetin e Kosovës si shtet. Megjithatë, duhet theksuar edhe një fakt tjetër të rëndësishëm: Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër-arrest për Vladimir Putinin për krime lufte. Kjo tregon se përgjegjësia penale ndërkombëtare nuk lidhet me përkatësinë kombëtare apo politike, por me veprat konkrete për të cilat ngrihen akuza”, ka thënë Demiel.
Ajo ka thënë se reagimi i shoqërisë kosovare ndaj vendimit të Gjykaës Speciale nuk ishte I papritur.
“Që nga fillimi, në Kosovë Gjykata Speciale është konsideruar si një institucion i imponuar padrejtësisht nga SHBA-ja dhe BE-ja, megjithëse u miratua nga Parlamenti i Kosovës dhe u themelua formalisht si gjykatë e Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas zonjëës Demiel, shqiptarët e konsiderojnë Gjykatën Speciale si gjykatë politike për shkak se ajo nuk ka mandat të merret edhe me krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë, si edhe për shkak se ka bashkëpunuar me institucionet e Serbisë.
“Gjykata Speciale kishte mandat të merrej vetëm me krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, e jo me krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë. Po ashtu gjykatës i atribuohet si barrë fakti që në procesin e mbledhjes së provave ka bashkëpunuar me institucionet serbe, duke e parë si të njëanshme dhe të motivuar politikisht.
(r.m.)