Uashington, 22 qershor 2025 – Demokratët në SHBA po e kritikojnë ashpër vendimin e Presidentit Donald Trump për të sulmuar objektiva në Iran, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e veprimit ushtarak.
Udhëheqësi i Pakicës në Senat, Chuck Schumer, e akuzoi Presidenti, Trump se po e shtyn kombin në luftë krye më vete.
“Asnjë president nuk duhet të lejohet ta shtyjë në mënyrë të njëanshme këtë komb në diçka aq të rëndësishme sa lufta”, tha Schumer.
Ai tha se vendimi i Trumpit për përfshirje në luftën mes Izraelit dhe Iranit e shtoi rrezikun për një “luftë më të gjerë, më të gjatë dhe më shkatërruese”.
“Rreziku i një lufte më të gjerë, më të gjatë dhe më shkatërruese tani është rritur në mënyrë dramatike”, tha Schumer.
Ai tha se Trump duhet t’u japë llogari Kongresit dhe popullit amerikan për këtë vendim.
“Rreziku i një lufte më të gjerë, më të gjatë dhe më shkatërruese tani është rritur në mënyrë dramatike”, tha Schumer.
Pelosi: “Sonte presidenti e shkeli kushtetutën”
Ashtu si Schumer, edhe udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, kërkoi që administrata e Presidentit Trump ta informojë menjëherë Kongresin.
“Presidenti Trump e ka mashtruar vendin në lidhje me qëllimet e tij, nuk ka kërkuar autorizimin e Kongresit për përdorimin e forcës ushtarake dhe po rrezikon përfshirjen e SHBA-së në një luftë potencialisht katastrofike në Lindjen e Mesme”, tha Jeffries.
“Rreziku i luftës tani është rritur në mënyrë dramatike”, theksoi ai.
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e akuzoi Trumpin se ka vepruar në mënyrë të paligjshme.
“Sonte, presidenti e injoroi kushtetutën, duke angazhuar në mënyrë të njëanshme ushtrinë tonë pa miratimin e Kongresit”, shkroi Pelosi në X.
“Bashkohem me kolegët e mi në kërkimin e përgjigjeve të administratës në lidhje me këtë operacion që rrezikon jetën amerikane dhe rrezikon përshkallëzim të mëtejshëm dhe destabilizim të rrezikshëm të rajonit”, shkroi ajo.
Nga ana tjetëtr, Trump ka marrë shumë lëvdata dhe mbështetje për sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit nga kolegët e tij republikanë, të cilët aktualisht mbajnë shumicën në të dy dhomat e Kongresit.
Donald Trump njoftoi se forcat amerikane i kanë goditur tri objekte bërthamore iraniane.
“Forcat amerikane goditën tri objekte bërthamore iraniane, në një sulm shumë të suksesshëm”, tha Trump gjatë një fjalimi drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.
“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”, tha ai.
(r.m.)